Home KRYESORE Burrat e djeshëm! Nga Lis Bukuroca

Burrat e djeshëm! Nga Lis Bukuroca

“Burrat“ e djeshëm jetonin si priste rrethi prej tyre, jo si u pëlqente.

Ata me lehtësi më të madhe rrahin gratë dhe fëmijët, se sa i përqafonin!
„Burrat“ e djeshëm kishin shpesh shpullën gati, por rrallë herë, ose fare puthjen!
„Burrat„ e djeshëm ishin më bukur të veshur, se sa fëmijët e tyre!
„Burrat“ e djeshëm copën më të madhe të mishit e hanin vet!
„Burrat„ e djeshëm poshtëronin gratë e tyre para fëmijëve! Fëmijët para nënave dhe besonin se zmadhonin veten, gjersa zvogëlonin të dashurit e vet!
„Burrat“ e djeshëm konsideronin bashkëshorten skllave, fëmijët e vet, vegla!
Nga „burrat“ e djeshëm trishtohej familja, por gati askush përjashta!
„Burrat“ e djeshëm ishin të zgjidhur, gratë e tyre ishin të lidhura!

Ata ishin siç ishin, por vetëm një nuk ishin: Ata nuk ishin burra!
Ata nuk ishin burra sepse i trishtoheshin lirisë, barazisë dhe dashurisë!
Në fakt ata më shumë tuteshin nga liria, se sa nga robëria!

“Burrat” e djeshëm i besonin nderit, jo dinjitetit!
Ata besonin se dinin shumë, edhe pse dinin pak, ose aspak!
Atyre u pëlqente të dukeshin jashtë trima, jo të mençur.

“Burrat” e djeshëm nuk falnin dashuri bashkëshortëve. Ata pretendonin nënshtrim dhe seks.
“Burrat” e djeshëm nuk luteshin. Ata urdhëronin vetëm.
Ata nuk kërkonin ndjesë. Ata ishin gjithmonë të pafajshëm dhe gjithmonë dikush tjetër i kishte fajet!
“Burrat e djeshëm” sundonin dhe nënshtronin, ata nuk dashuronin njeri, pos vetvetes!
Ata shpesh ishin e zeza e vetvetes, por edhe ankthi i familjes!

Ata konsideronin burrat më të mençur se gratë, edhe pse nënat e tyre, ishin gra.
Ata nderonin më shumë burrat, se sa gratë!
Ata patën ndarë familjen në gjini fisnike, mashkullore, superiore dhe në atë femërore, me gjini penale, minore!
Ata martonin fëmijët, nuk i lejonin të martoheshin!
Kur gruaja e tij lindte, ai nuk i rrinte pranë kokës, por ikte jashtë!
Gratë e tyre nuk lindin, sipas tyre, ato pillnin!

Ata ishin njerëz me komplekse, por jo burra!
Burri nuk ka frikë nga liria dhe nga barazia e anëtarëve të familjes!
Burri respekton dinjitetin e njeriut, jo gjininë!

Ata takuan bashkëshorten në krevat, fëmijën në sokak!
Ata besuan se me sjelljet agresive bëheshin trima, e dëshmuan se ishin tuca!
Ata gjalluan. Ata nuk jetuan, por shpesh dëmtuan edhe jetën e fëmijëve!

E ne, po dëmtojmë më shumë kundërshtarët (armiqtë) apo të dashurit tonë?! Nëse po, atëherë hija e tyre rëndon mbi supet tona! Atëherë ne, nuk jemi ne, por jemi ata!

Share: