Home KRYESORE “Çmimi AIITC 2018”, NJË NGA CEREMONITË MË TË RËNDËSISHME TË VITIT, SHPALL...

“Çmimi AIITC 2018”, NJË NGA CEREMONITË MË TË RËNDËSISHME TË VITIT, SHPALL FITUESIT NË EDICIONIN 11 TË TIJ

Pas një rrugëtimi të gjatë e të suksesshëm, “Çmimi AIITC” vjen në edicionin e tij të 11, në një stil krejt ndryshe, plot finesë e origjinalitet, duke sjellë për elitën intelektuale shqiptare prurjet më të mira të vitit në fushën e studimeve, letërsisë dhe artit pamor. “Çmimi AIITC” është një nxitje e fuqishme për krijuesit, shkrimtarët, intelektualët dhe studiuesit të cilët japin një kontribut të vyer në pasurimin e kulturës shqiptare.

Mungesa e një kritike të mirëfilltë, aktive dhe të konsoliduar, në fushën e krijimtarisë artistike e kulturore, e bëri të domosdoshëm mbajtjen e këtij evenimenti, në të cilin testohen prurjet e një viti dhe krijohet një orientim i qartë drejt vlerave të mirëfillta dhe mesazheve të dobishme për shoqërinë shqiptare. Për 11 vjet me radhë u vunë në garë qindra autorë nga të gjitha trevat shqipfolëse, duke u konsoliduar vit pas viti. Veprat e sjella në konkurs pasqyrojnë më së miri realitetin shqiptar, historinë, traditat, kulturën dhe botën shpirtërore të popullit shqiptar.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u organizua në Muzeun Historik Kombëtar, me pjesëmarrjen e gjerë të personaliteteve nga bota e politikës, diplomacisë, shkencës, kulturës e artit. Në fjalën e hapjes drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, Prof. Dr. Ardian Muhaj, falënderoi qindra krijues, autorë librash e piktorë që kanë marrë pjesë në këtë konkurs gjatë 15 viteve dhe theksoi se veprat e paraqitura përbëjnë një gjerdan vlerash që dëshmojnë më së miri se puna dhe këmbëngulja, kur i bashkohen talentit, janë jo vetëm gurrë vlerash, por edhe burim shprese për shumë talente që kanë nevojë për inkurajim, për mbështetje e vlerësim. Sipas tij, gjeografia e gjerë e pjesëmarrësve në konkurs është tregues i tejkalimit të kufijve politikë e kulturorë mes trojeve mbarëshqiptare.

Ceremoninë e ndarjes së çmimeve e përshëndeti edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili vlerësoi kontributin e AIITC në evidentimin e veprave cilësore, promovimin e studiuesve dhe talenteve të reja.

Çmimi AIITC ndahet në tri kategori: libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës dhe kulturës islame, peizazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë dhe krijimtaria më e arrirë nga moshat e reja. Veprat dhe punimet që u paraqitën për konkurrim në periudhën kohore të një viti, u vlerësuan nga juritë përkatëse të secilës kategori, të cilët shpallën fituesit në këtë ceremoni.

Për t′i njohur të pranishmit me arritjet dhe evoluimin e “Çmimit AIITC” ndër vite, u shfaq edhe një material filmik ku u shfaq një pasqyrim në retrospektivë i këtij eventi.

Vit pas viti numri i konkurrentëve është rritur ndjeshëm, po kështu edhe niveli artistik e shkencor i krijimtarisë së paraqitur, gjë e cila e bën edhe më të vështirë dhënien e “Çmimit AIITC”. Megjithatë, mes dhjetëra krijimtarive të paraqitura, juria e kategorisë së librit më të mirë të vitit në fushën e shkencës dhe kulturës islame, e kryesuar nga Prof. Emil Lafe, shpalli fitues të vendit të parë librin me titull “Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare” të autorit Nehat Krasniqi, me motivacionin: “Vepër shkencore përgjithësuese, e mbështetur gjerësisht në burime arkivore dhe në studime të mëhershme, që hedh dritë të re mbi gjendjen, zhvillimet dhe tiparet e kulturës sonë shpirtërore, letrare e materiale”.

Një nga momentet më interesante të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “AIITC 2018”, si çdo vit, ishte ekspozita e pikturave pjesëmarrëse në kategorinë “Peizazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë”, ku të pranishmit soditën mes fantazisë dhe frymëzimit të piktorëve të talentuar, duke i vlerësuar personalisht punimet e tyre. Fituesi i kësaj kategorie u shpall piktori Veli Blakçori me peizazhin “Abstraksion”. Kryetari i jurisë Buron Kaceli shpalli fituesin me motivacionin: “Vepër diptike e karakterit abstrakt konceptual, ku përmes një game shpresëdhënëse të të gjelbërave dhe një ritmi plot muzikalitet, artisti shpreh cilësisht profesionalizmin e tij të lartë”.

Një interes i veçantë në konkursin e Çmimeve AIIT i kushtohet krijuesve të rinj e të talentuar, duke synuar promovimin dhe motivimin e tyre, për të sjellë vlera në fushën e letrave shqipe. Për kategorinë e krijimtarisë më të arrirë për moshat e reja, në prozë e poezi, me temë: “E bukura në shpirt dhe në jetë”, kryetari i jurisë Agim Baçi shpalli fituese zonja Arbëria Abdushi, me motivacionin: “Për një stil poetik që fton braktisjen e jetës së cekët dhe ftesën për një endje drejt së plotës dhe vetes”.

Ndërsa akademiku, Prof. Dr. Rexhep Meidani, pjesëmarrës në këtë konkurs me veprën e tij “Rendi global dhe shteti komb”, u nderua me një çmim të veçantë, me motivacionin: “Vepër e rëndësishme filozofike-politike që trajton me thellësi dhe origjinalitet disa koncepte bazë të jetës shtetërore e kombëtare, të vështruara edhe nga përvoja historike dhe nga perspektiva e zhvillimit të shoqërisë shqiptare”.

Në mbyllje të kësaj ceremonie, të pranishmit iu bashkuan koktejit të organizuar me këtë rast, ku patën mundësinë të shkëmbejnë mbresat dhe ndjesitë pozitive që u la kjo ceremoni. Tradita 11-vjeçare dhe eksperienca e fituar gjatë këtij rrugëtimi, janë një shtysë mjaft e madhe për Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, në konsolidimin e mëtejshëm këtij eventi, duke nxjerrë në pah vlerat më të mira në morinë e krijimeve shkencore e kulturore nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Share: