Home KRYESORE Edi Rama le ne ankth ministrat!

Edi Rama le ne ankth ministrat!

5 orë e 15 minuta. Ndoshta një nga mbledhjet më të gjata të kryesisë së Partisë Socialist që kur Edi Rama ka marrë detyrën si kryetar i saj. Mbledhja e “kupolës rozë” që zgjati tej çdo parashikimi duket se nuk mbylli çdo pikëpyetje të kreut të mazhorancës që fund të vitit të parë të mandatit të dytë ndjen se nuk mund të qëndrojë më në pushtet “duke fajësuar Saliun”.

“Çdo ditë ka gjëra për t’u përmirësuar, sepse nuk jemi të pagabueshëm”. Ishte kjo fjalia e parë që u tha gazetarëve që prisnin në oborr. Me një ton të qetë ku munguan etiketimet e zakonshme Rama u ndal të flasë vetë.

“Kemi folur për protestën, kemi folur për partinë, organizimin në tërësi, mekanizmat e komunikimit…” – kreu i qeverisë zbardhi vetë disa nga detajet e mbledhjes maratonë. Menjëherë pas këtyre fjalëve erdhi pyetja: “A do të kemi ndryshime në qeveri?” Pas një buzëqeshjeje për një pyetje që siç duket e priste, Rama la gjithçka të hapur.

“Çdo gjë hap pas hapi. Unë nuk them fjalën e fundit të parën. Unë di radhën e lëvizjeve, pasi gjithmonë mendohem gjatë para se të bëj lëvizjet. Ne do të bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do t’i përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve, por do të shkojmë përtej këtij shqetësimi, sepse ka ende shumë për të bërë dhe pavarësisht rezultateve që janë arritur, njerëzit meritojnë shumë më tepër akoma dhe në këtë aspekt kemi shumë për të korrigjuar.

Kemi bërë gabimet tona, gabime që i bëjnë të gjithë ata që ndërtojnë dhe që marrin përsipër sfida të mëdha, por e rëndësishme është të mësojmë prej gabimeve dhe të shkojmë përpara. Po e lexojmë me shumë kujdes mesazhin e protestës” – tha Rama.

Lapsi.al mësoi se në mbledhjen e “kupolës rozë” nuk është folur që në fillim për protestën e studentëve. Ndoshta Rama ka dashur që ta shmangë “temën e nxehtë” që në nisje. Mësohet se fillimisht është raportuar nga 12 kryetarët e PS në qarqe. Ata kanë folur për situatën dhe për ngritjen e shtabeve elektorale në prag të zgjedhjeve lokale. Peshën më të rëndësishme e kanë zënë qarqet ku pritet që beteja elektorale të jetë më e fortë si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, etj.

Më pas ka pasur një debat të gjatë për arsyet e masivizimit të protestës së studentëve. Burimet thanë se Rama nuk ka adresuar kritika me emra të veçantë, por nuk ka munguar kërkesa e llogarisë për FRESSH që nuk raportoi më herët se si u arrit deri në këtë pikë. Rama e ka mbyllur mbledhjen duke i lënë të gjithë ministrat në ankth pasi përpara gazetarëve nuk e mohoi idenë e ndryshimeve në qeveri.

Nuk janë të paktë zërat brenda mazhorancës se disa nga ministrat kanë ardhur në një pikë ku po shtyjnë ditët në zyrën e tyre. Burimet thonë se Rama mund të shfrytëzojë protestën e studentëve për të përfituar në të dyja krahët. Me prekshin e protestave ai zëvendëson disa nga ministrat më të përfolur ndërsa kritikëve kërkon t’u dërgojë mesazhin se ai është një kryeministër që reflekton.

A mund të shpëtojë Rama me kaq?

Ideja e ndryshimeve në qeveri pritet ta zhvendosë debatin. Menjëherë do të hidhen në tregun mediatik emra që lëvizin dhe “të paprekshmit”. Me këtë lojë kreu i qeverisë kërkon të fitojë kohë, por edhe të japë idenë se shkaku i keqqeverisjes, abuzimit me pushtetin, me tenderat, PPP-të janë ministrat dhe jo ai. Nëse do të largojë Lindita Nikollën, ligji i arsimit të lartë do të mbetet. Nëse largon Damian Gjiknurin, PPP-të do vazhdojnë “të mjelin” buxhetin e shtetit. Nëse largon Ogerta Manastirliun, sërish shëndetësia do të lëngojë si një i sëmurë pa shërim dhe mjekësia falas do mbetet thjesht një premtim elektoral i parealizuar. Nëse largohet Arben Ahmetaj, nuk pritet që ekonomia të lulëzojë… e kështu me radhë. Edhe ata ministra që do të vijnë nuk pritet të ndryshojnë shumë, sepse problemi është më i madh se ata.

Por, Rama ka vendosur të luajë sërish me ministrat. Të paktën deri në 28 dhjetor kur do të mblidhet Asambleja Kombëtare. Deri atëherë, e sigurt është se ministrat nuk do ta kenë mendjen te gjeli i Vitit të Ri, por si të shpëtojnë Ramën nga vezët e vitit të vjetër./LAPSI.al

Share: