Akademiku Artan Funa, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka ironizuar deklaratat nacionaliste të ditëve të fundit, nga politika shqiptare.
Në postimin e tij, Fuga rendit disa “rreziqe” që mund ti kanosen Shqipërisë, ndërsa thekson se shteti i sotëm shqiptar, me dobësinë ndaj fuqive të tjera, nuk qendron dot në këmbë jo më shumë se 48 orë.
“Cfarë mund ta rrezikojë shtetin shqiptar?!
Pa qendrueshmërinë e Bashkimit Europian,
Pa aleancën midis ShBA – BE,
Pa interesimin e ShBA për stabilitetin e kufijve të Ballkanit,
Me rritjen e nacionalizmave në vendet e Ballkanit, në rast të një krize të përgjithësuar politike e gjeostrategjike,
shteti i sotëm shqiptar, me dobësinë ndaj fuqive të tjera, nuk qendron dot asnjë orë në këmbë, ja 24 orë, por në çdo rast jo më shumë se 48 orë.”-shkruan Fuga.
Më tej, akademiku i njohur, shkruan se “skenari i pritshëm imagjinar do të mund të ishte edhe ky:
Grekët zbresin në Korçë dhe në Gjirokastër dhe ngrenë flamurin në kala,
Italianët kapin zotërimet e Venetikut dhe marrin në kontroll Durrësin deri në Lezhë,
Serbët mësyjnë Shkodrën dhe nxitojnë t’i presin rrugën forcave të tjera,
Aleanca e mundshme bullgaro-maqedonase zbret përreth liqenit të Ohrit dhe deri në Dibër,
Turqit kapin menjëherë Pashalimanin dhe rimarrin përsëri Krujën duke marrë peng për jeniçerë të gjithë djemtë e parë të antarëve të këshillit bashkiak,
Mbetet shteti i Qemal Beut, trekëndëshi Vlorë – Berat – Elbasan.
Kryetar i rregjences vihet Mit’hat Frashëri, tashmë i rikthyer në Atdhe.”.
Gjithashtu Fuga ka ironizuar edhe paradën ushtarake te Pallati i Kongreseve, për të cilën shkruan se “Me ato tre autoblinda te Pallati i Kongresve që pashë në ekspozitë, më shumë për të shpërndarë me ujë turma manifestuesish para bashkisë të Tiranës, me atë helikopterin për të sjellë në maternitet gra shtatzana, si edhe me ato tre xhipsat kinezë a sovjetikë nga lufta e parë botërore, si vështirë t’a mbrojmë kufirin.
Uroj të ketë të tjera armatime.
Cunat dhe gocat shqiptare duhet një kohë për t’i sjellë nga Gjermania ku kryejnë zanatet e infermierit dhe mamisë të fshatit dhe stërvitur ata si tankistë.”
“Prandaj kujdes ju kam rixha se do të ikin koka si e Ali Pashës drejt e rrokullisur shkallëve të Kalasë të Janinës.
Mos i fryjmë shumë nacionalizmit se dalim si rruar qethur.”-përfundon postimin akademiku Artan Fuga.