Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, nesër do të zhvillojë vizitë me krerët kryesorë të shtetit. Burime të besueshme të Gazetës Express brenda Qeverisë dhe Kuvendit njoftuan se taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës mund të hiqet në këmbim të futjes së Kosovës në agjendë për liberalizim të vizave.
Edhe pse njerëzit e pushtetit tërë vitin dhanë deklarata se vizat hiqen në dhjetor, dje, Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, konfirmoi se në agjendën e publikuar për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së për datën 6 dhjetor, Kosova nuk figuron që është në rend dite për çështjen e liberalizimit të vizave.
Kjo edhe e rrezikon Kosovën që të vazhdojë të mbes vendi më i izoluar në rajon.
“Taksa hiqet në rast se Kosova futet ne agjendë të liberalizimit te vizave. Johanes Hahn nesër do të ushtrojë presion të madh në takimet që do t’i zhvillojë me përfaqësuesit e shtetit. Takohet me Presidentin Thaçi, kryeministrin Haradinaj dhe kryeparlamentarin Veselin”, thanë burimet.
Pas dështimit të antarësimit të Kosovës në INTERPOL, Qeveria Haradinaj mori vendim për vënien e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjes. Këtë vendim e pritën mirë kosovarët por serbët protestuan disa herë radhazi madje katër kryetarë të komunave dhanë edhe dorëheqje.Vendimi nuk u përkrah as nga zyra e BE-së.
Sidoqoftë, anëtarët e Listës Serbe këtë të diel janë kthyer në Kuvendin e Kosovës, ata po e presin komisionerin Hahn për t’iu ankuar për taksën. Këta u kanë ofruar 10 votat e tyre opozitës për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.
Në tërë këtë situatë keryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës./Lapsi.al