Home Gjeo-Ekonomia Ju mbani përgjegjësi nëse blerësi juaj nuk paguan taksat!!

Ju mbani përgjegjësi nëse blerësi juaj nuk paguan taksat!!

Ju mbani përgjegjësi nëse blerësi juaj nuk paguan taksat

Një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore ngarkon gjoba prej 10 mijë lekësh për çdo rast bizneset që blejnë ose shesin me fatura të rregullta nga biznese inaktive, me supozimin se biznesi duhet të dijë paraprakisht statusin fiskal të partnerit të tij.

Autor: Gjergj Erebara  BIRN

Një projektligj i qeverisë që është aktualisht në diskutim në Kuvendin e Shqipërisë parashikon që kompanive që blejnë nga kompani që, me apo pa dijeninë e tyre janë inaktive në sistemin fiskal, të mos u njihet TVSH e zbritshme për faturën e blerë si dhe me 10 mijë lekë gjobë për çdo rast.

Ndryshimi, i cili synon të zgjidhë një problem që tatimet hasin me bizneset që kryejnë blerje, të dyshuara fiktive, nga kompani inaktive me synim përfitimin e TVSH-së së rimbursueshme përmes skemës së njohur si “shkarkim TVSH-je”, në fakt rrezikon të detyrojë çdo biznes në vend të kthehet në një lloj inspektori tatimor dhe i ngarkon detyrimin të identifikojë çdo partner biznesi si person aktiv ose pasiv në regjistrin fiskal.

“Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet,” shkruhet në propozimin ligjor [link].

Sipas Ministrisë së Financave, bizneset që bëjnë blerje nga njëra-tjetra duhet të kontrollojnë faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku gjendet një listë me rreth 120 mijë subjekte biznesi inaktive apo të mbyllura dhe nga kjo listë të idenfitikojnë nëse shitësi i mallit apo shërbimit, është apo jo inaktiv.

“Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit aktivë, persona fizikë apo juridikë tregtarë, me  tatimpaguesit që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet,” vijon më tej propozimi.

Sistemi tatimor shqiptar njihet për barrën veçanërisht të rëndë administrative që vendos mbi bizneset që përdoren si hallka kontrolli për taksat që duhet të paguajnë të tjerët, por imponimi i këtij detyrimi duket se shënon një rekord të ri në këtë drejtim.

Një kompani që ka me mijëra klientë mund të detyrohet, sipas këtij propozimi, të kontrollojë statusin fiskal të secilit prej klientëve të vet rast pas rasti, për çdo faturë të blerjeve që bën.

Skema e “shkarkimit të TVSH-së” është përdorur nga biznese të ndryshme gjatë viteve të fundit, të cilat, me synimin e reduktimit të detyrimeve të veta mbi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, bëjnë shitje me faturë TVSH-je te biznese të tjera, përgjithësisht të vogla që nuk i nënshtrohen TVSH-së, për ta nxjerrë veten jo si shitës final, por si shitës i ndërmjetëm. Në këtë rast, biznesi që përdor këtë hapësirë shmangieje fiskale, ngarkohet vetëm me detyrimin për TVSH-në mbi vlerën e shtuar të realizuar prej tij dhe jo të TVSH-së mbi çmimin final të shitjes. Në raste ekstreme, bizneset e vogla me të cilat kryen këto transaksione, rezultojnë biznese inaktive prej vitesh.

Skema e “shkarkimit të TVSH-së” raportohet se është një problem i madh për sistemin tatimor shqiptar aktualisht, por propozimi i Ministrisë së Financave duket se nuk lodhet të bëjë dallimin mes një biznesi që në mënyrë aktive bën shitje te biznese inekzistente për të shmangur TVSH-në nga bizneset që, gjatë aktivitetit te tyre të zakonshëm të punës, mund të qëllojë të kenë një shitje te një biznes që pa dijeninë e tyre është inaktiv.

Nga ana tjetër, propozimi bën dallim të pjesshëm sa i përket përmasave. D.m.th., nëse një biznes lëshon një faturë shitjeje me vlerë 10 USD te një biznes inaktiv, ai dënohet me mosnjohje të TVSH-së së zbritshme për këtë faturë si dhe me gjobë 10 mijë lekë. Po kaq dënohet një biznes që bën një shitje te subjektet inaktive me vlerë 1 milionë dollarë. Atij sërish nuk i njihet TVSH e zbritshme për transaksionin dhe merr një gjobë prej 10 mijë lekësh.

Në rast se miratohet ky ndryshim, bizneset do të detyrohen të vizitojnë faqen e tatimeve në internet, të shkarkojnë prej aty “listën e subjekteve pasive” dhe të kontrollojnë niptin e subjektit ku kanë bërë shitjen për të shmangur një dënim të mundshëm. Lista e subjekteve pasive përditësohet çdo ditë, dhe me mijëra biznese i shtohen kësaj liste për arsye të ndryshme. Për rrjedhojë, lista duhet të shkarkohet çdo ditë dhe kontrolli i saj të bëhet për çdo faturë të lëshuar. [Link: Lista e Subjekteve Pasive]

Share: