I gjendur nën akuzat e PD-së për devijim të planit urbanistik për të favorizuar biznesmenin Edmond Bego, kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur sulmin ndaj Lulzim Bashës për çështjen e një kati shtesë mbi apartamentin e tij. Veliaj tha sot në mbledhje të Këshillit Bashkiak se Lulzim Basha i ka dhënë leje vetes për ndërtimin e një kati mbi apartamentin e tij pa paguar taksa, kur drejtonte bashkinë e kryeqytetit. Ai ka paralajmëruar se do ta gjobisë për këtë gjë dhe do të kërkojë prishjen e ndërtimit.
“Për ata që nuk e dinë si duket një leje ndërtimi, po sjell për shembull lejen që Lulzim Basha i dha vetes së vet, që të kuptojnë edhe qytetarët si duket një leje. Kryetari i bashkisë i jep leje vetes së vet që nga kati i 12 të shkojë në kat të 13. Ju e keni parë që Luli kur nuk vinte në Bashki ia delegonte të gjitha Enos, por për këtë leje s’kishte besim, këtë të vetën duhet ta firmoste patjetër vetë. Dhe shiko çfarë thotë leja: Leje zhvillimore ndërtimi për strukturën shtesë 1 kat mbi strukturën 12 kate në pronë të zonjës Aurela Isufi dhe Lulzim Basha. Në vendndodhje Skerdilajd Llagami dhe shoqëria që ndërton Arkimed International. Sipërfaqe e pronës që shtohet 203 m2. Vëllimi që shtohet 323 m3 mbi katin e 12. Më thoni një tjetër njeri që ka marrë dot leje nga kjo bashki të ndërtojë kat të 13 mbi një leje të ezauruar”, deklaroi Veliaj.
Më tej kryebashkiaku paralajmëroi vendim për prishje të katit shtesë.
“Sigurisht, të hënën i shkon gjoba, vendimi për prishje dhe kallëzimi në prokurori, patjetër. Por nga pamjet me dron skica, pallati ka formë kryq dhe ka shtuar katër dhoma. Njeriu që do të bëhet kryeministri i Shqipërisë ndërton pa leje,” tha kryebashkiaku.
Ajo që Erion Veliaj nuk thotë dot është se përse priti deri më tani për t’u marrë me këtë çështje? Ka 4 vjet në Bashkinë e Tiranës dhe do duhej të merrte masat për Bashën nëse është ashtu siç ai thotë se ka ndërtuar pa leje dhe nuk ka paguar taksat. Fakti që e nxjerr pikërisht tani, kur Veliaj është nën akuzë për devijim të planit urbanistik të Tiranës për të favorizuar biznesmenin Edmond Bego, e kompromenton pozitën e tij si denoncues i paligjshmërisë. Erion Veliaj do duhej t’ia kishte prishur katin pa leje Lulzim Bashës me kohë, sepse ka 4 vjet si kryetar bashkie, jo të kujtohet tani si shiu pas të vjelave./Opinion.al