Home KRYESORE Më dhimbset fort Edi Rama! Nga Rezart Palluqi

Më dhimbset fort Edi Rama! Nga Rezart Palluqi

Qyqi, Edi Rama! Fatkeqi shoku Rama! E ka shumë të vështirë që të përballet me ironinë, mprehtësinë dhe guximin e studentëve. Qe mësuar me rrogëtarët shtetërorë. I fuste në sallë e pasi ua mbyllte gojën me kërcënime e shantazhe, bënte shfaqje të tipit Portokalli. Mbllaciste marrëzira të veshura me një arrogacë dhe sarkazmë maskarai.

Lëshonte batuta denigruese si lopa baglën. Dhe të gjithë e dëgjonin me vëmendje. Dhe të gjithë e duartrokisnin me brohori dhe eufori. Dhe të gjithë e adhuronin si një udhëheqës karizmatik. Ose edhe e tallnin nëpër dhëmbë. Mirëpo kjo tallje mbytej poshtë qiellzës së gjuhës.

U desh që të ringjalleshin studentët. Prej tyre atij i ka mbetur qerrja teatrale në baltë. Me studentët e ka gjetur një bela e madhe. I shkreti! I dridhet zemra kur mikrofonin e merr një student që nuk është paracaktuar të flasë, ashtu sic ndodh shpesh.

Pyetjebërësit përcaktohen nga ai e kështu shoku Rama mund të shpalosë velat gjigande të anijes së tij intelektuale, humoristike dhe patriotike. Epo ja që gogolet iu shpifën në ëndrra shokut Rama. Madje, studentët gogolë shpartalluan muret e ëndrrave të tij paranojake dhe shpërthyen para hundës dhe mjekrrës së tij të egër. Po e sfidojnë studentët që iu rëntë pika ishallah! Po e bëjnë rezil, gjithë këtë burrë të madh, me kollare shumëngjyrëshe, mjekërr drizore dhe sy prej kobre të civilizuar.

Dhe ai përbrënda me siguri që thotë: Ah, shoku Enver ku je? Ngrihu nga varri dhe bëji mish të grirë këta buzëqumësht. Jam i sigurtë se ai në castet që studentët ia presin me sharrë këmbët e kolltukut të tij diktatorial, ai do që të ketë nje pistoletë me mulli. E me të tia shpojë studentëve lulet e ballit si shtiza kraharorin e luftarakut mesjetar. Me siguri ai në ato caste mendon sic mendon një mafioz.

E kur i del ndonjë student që s’ka bukë të hajë thotë: U bëre ti more zgjebarak të më flasësh me këto tone mua? E di ti more kush jam unë? Rrobat që ti ke veshur nuk kushtojnë as sa një metër katror i murit të vilës sime në Surrel që ngjan me një repart ushtarak të ISIS! Turfullon shoku Rama në këto momente.

Më dhimbset i mjeri. Zemra i përpëlitet si një flutur krahëprerë kur studentët reagojnë me një ironi të hollë, të mrekullueshme. Ah cfarë drame për lartmadhërinë, Rama! Ah, o Zot, sa i padrejtë që je ndaj tij! Ajo ironi, oj hyjneshë e bekuar! Deri dje ajo ishte e dashura e tij absolute. Sarkazma ishte kallashnikov i tij.

Mirëpo tani Edi Rama e dha sarkazmën me koncesjon tek studentët. Këndej e tutje, Edi Rama do të mbetet ndoshta përgjithnjë pronari i vilës së tij në Surrel. Do të vazhdojë edhe për ca kohë që të jetë shefi i madh i kontrabandistëve së drogës. Po, këto pushtete ndoshta do t’i ruajë edhe për ca kohë në duar. Vecse, ironinë, sarkazmën dhe guximin intelektual nuk do t’i ketë me pasuri të tij absolute.

Do t’i duhet sbokut Rama këndej e tutje që të jetojë me nostalgjinë e së kaluarës. I vetmi shërim i tij është që të mbyllet në një dhomë të errët dhe aty të ndjekë live nga televizori triumfet e tij të incizuara mediatike. Të kurojë egon e tij të sëmurë por të cënuar prej studentëve, me batutat e tij të vjetra dhe kukullat e tij partiake, popullin e frikësuar prej hanxharit që ai ia ka mbajtur mbi kokën e tyre të hutuar që varej në një shtyllë kurrizore aq të trashë sa trupi i fasules apo bimës së misrit.

Audienca e shokut Rama ka qenë e lavdishme. Fasulet dhe kërcejtë e misrit kanë qeshur dhe brohoritur për të. Më shpon zjarr zemra për shokun Rama. Si mund ta shpëtojmë Perandorinë e Edi Ramës? Të detyrojmë studentët që të emigrojnë të gjithë jasht Shqipërisë?

Apo ta hipim shokun Rama dhe të gjithë kastën politike shqiptare në anijen më të madhe tregëtare dhe surdisim ata drejt Siberisë?

E atëherë shoku Rama, mbasi të punojë me nder dhe dinjitet në emigracion nja dhjetë vjet do të na kthehet në atdhe me 9 thasë me para e me to do të ndërtojë një vilë të dytë( simotrën e asaj në Surrel) në malin e Dajtit. Të njëjtin kontribut do ta presim edhe prej emigrantëve, shokëve të vyer, Berisha, Meta dhe ngjala e tij kodrinore, shoqja Monika.

Atëherë të gjithë këta do të na shërbejnë ne, shqiptarëve të izoluar dhe provincialë, ne emigrantëve naivë që dergjemi nëpër fabrika e restorante, si modelet më të shkëlqyera të emigrantëve shqiptarë që duke punuar me nder dhe zell të hekurt kthehen në atdhe dhe ndërtojnë nën qiellin shqiptar kështjellat e tyre mesjetare…

Dhe ne emigrantet e dështuar do t’i pyesim ata se si arritën që në emigracion të kursejnë kaq shumë para?

Rezart Palluqi

20 dhjetor 2018

Share: