Home KRYESORE Rrëfimi i Patozit: E vërteta e lëvizjes kundër Bashës, Ridvan Bodes dhe...

Rrëfimi i Patozit: E vërteta e lëvizjes kundër Bashës, Ridvan Bodes dhe djegies së mandateve

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka bërë në një intervistë në emisionin “Kjo javë” në “News24” një analizë të asaj që po ndodh me aktualitetin politik. Idenë e djegies së mandateve të deputetëve e sheh në dëm të opozitës.

“Mandatet duhet të përdoren politikisht nuk duhet të digjen. Opozita ka vuajtur nga mospërdorimi i tyre (i mandateve) sepse i ka keqpërdorur. Kam parasysh edhe 4 vitet ku kam qenë vetë – tha Patozi duke u shprehur kundër edhe bojkotit të zgjedhjeve.

“Nuk mund të jetë kërcënim me bojkot zgjedhjesh pasi dhe bojkoti vetë që është vetëvrasje politike, nuk është instrument për ta rrëzuar një qeveri. Nuk mendoj se opozitës i mungon fuqia denoncuese, madje ndonjë herë është dhe tepruese, por i mungon modeli që është e ndryshme nga qeveria. Pse është perceptimi i njerëzve që opozita është po aq e përlyer sa qeveria” – tha Patozi.

Ai u pyet edhe për një nga bashkëpunëtorët e tij të vjetër, ish-ministrin e financave Ridvan Bode. Sa i takon vendimit për garuar për në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Patozi thotë se i takon atij të vendosë për të ardhmen.

“As e përqafoj e as e përbuz. Ajo është një dalje e parakohshme në pension në politikë. Më duket shumë modest për aftësitë e tij politike dhe për makroekonominë në Shqipëri”.

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike u pyet edhe për lëvizjen për reformimin e Partisë Demokratike e cila tashmë duket se ka rënë në heshtje.

“Ajo lëvizje e kreu funksionin e saj. Ajo ishte për të sensibilizuar për atë që po ndodhte, por nuk kishte si synim të çonte në ndarje të partisë” – tha Patozi.

Share: