ATA JANË STUDENTË, JO THJESHT “NGELËS” DHE ATA KANË TË DREJTË!
Nga Edmond Hoxha
Në përgjigje të një pyetjeje:” Sesi mund ta ndryshojnë studentët Shqipërinë?” po bëj një shtjellim më të gjerë te Statusit tim. Kur flas për studentët kam parasysh të gjithë studentët: studentët ekselentë, studentët e mire, por edhe studentët ngelës, të cilët sot mund të jenë ngelës, por nesër mund të ndryshojnë dhe mund të bëhen studentë dhe profesionistë të mirë.
Fakti që kjo protestë ka filluar nga një grup studentësh, ku një prej kërkesave të para ishte, provimet e prapambetura, nuk do të thotë se kauza në përgjithësi nuk është e drejtë. Provimet e prapambetura janë problem për një grup studentësh, por unë mendoj se vatra e problemeve që ka sot arsimi i lartë është LIGJI I ARSIMIT TË LARTË. Praktikisht ky ligj ka shumë probleme, është miratuar me shumë nxitim, pa u konsultuar me të gjitha grupet e interesit dhe duke favorizuar grupe të veçanta.
Problemet e këtij ligji nuk janë 1, ose 2 ato janë të shumta dhe lidhen me studentët, pedagogët, financimin, kërkimin shkencor, raportet e padrejta Arsim Publik, Arsim jo publik, etj, etj.
Jam dakord me faktin që përkushtimi i studentëve sot ndaj mësimit nuk është në lartësinë e duhur, por nga ana tjetër kemi edhe studentë shumë të mirë dhe të dy grupet kanë të drejtë të kërkojnë të drejtat e tyre. Jam dakord që përveç të drejtave studentët kanë edhe detyra. Detyra e tyre është studimi dhe përkushtimi ndaj dijes, por në fund ky përkushtim është çështje individuale. Edhe në kohën tonë kishte studentë ekselentë, të mirë dhe të dobët. Gjithmonë do të jenë këto kategori, por në total ata të gjithë janë studentë, kanë të drejtë të kenë tarifa të ulëta, të kenë kushte jetese të mira, të kenë kushte të denja për të zhvilluar mësimin në fund të fundit të marrin një shërbim më të denjë për pagesën që ju kërkohet.
Të gjithë e dimë që në shumë vende Europiane ku ne aspirojmë të shkojmë tarifat e studimit janë shumë herë më të ulëta, ose nuk ka fare, dhe kushtet janë shumë herë më të mira se në Shqipëri. Unë jam i ndërgjegjshëm që ne nuk kemi mundësi të arrijmë ato standarte, por të paktën ti lehtësojmë aq sa mundemi. Është shumë e qartë që buxheti për arsimin nuk është nivelet që kërkohet. Tarifat e studimit janë të larta për studentët dhe mënyra e pagesës është e vështirë për tu përballuar. Studentët paguajnë por kushtet e tyre në, strehim, infrastrukturë, laboratorë, etj, në përgjithësi janë minimale.
Lidhur me pyetjen, ”..Se si mund ta ndryshojnë studentët Shqipërinë?”, më lejoni të sqaroj se, kur them që studentët mund ta ndryshojnë Shqipërinë, kam paraysh faktin, e REAGIMIT ndaj padrejtësive. Edhe pse Shqipëria ka shumë probleme, pronësie, drejtësie, ekonomie, varfërie, akoma në vitin 2018 diskutojmë ujë dhe drita. Shumica e familjeve shqiptare në fund të muajit janë përsëri me borxhe. Faturat e dritave dhe të ujit vijnë të majme. Bizneset e vogla sulmohen, ndërkohë bizneset e mëdha mbështeten, korrupsini rrite. Për çudi edhe pse kemi gjithë këto probleme, përsëri ne nuk reagojmë.
E vetmja pjesë e shoqërisë e cila mund të reagojë ndaj padrejtësive janë STUDENTËT. Arsyeja është e thjeshtë janë të rinj, kanë ëndrra, kanë energji, dhe për më tepër janë të pa implikuar me interesa me pushtetin. Pra janë të lirë dhe kanë kurajo të kërkojnë të drejtat e tyre. Në këtë kuptim, unë mendoj se ata janë të vetmit që mund të reagojnë dhe të bëjnë të mundur ndryshimin e situatës që përmenda më lart dhe ne duhet ti mbështesim studentët. Këtu nuk bëhet fjalë të mbështesim mungesën e përkushtimit ndaj dijes, të një pjese të vogël të studentëve, por të mbështesim Reagimin ndaj padrejtësisë në përgjithësi. Mos harroni se në vitet 1990, ata që protestuan, u rebeluan, filluan ndryshimin, shpërthyen ambasadat, u quajtën “kokëpalarë”. Aktualisht sot në fakt pakënaqësia ndaj padrejtësive ka arritur një nivel shumë të lartë. Studentët protestues mund të quhen “ngelës”, por ata kanë të drejtë.
Sigurisht DHJETORET jane te ndryshem, por padrejtesia vazhdon!