Deklarata për media e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:
Z. Balla, ndërkohë që jashtë po protestohet sërish, cili është qëndrimi i Grupit Parlamentar, a keni një paketë të zgjidhjeve ligjore?
Ndoshta u duket pak e çuditshme, por qëndrimi ynë është shumë i qartë: Ne nuk duam që kjo protestë të mbyllet. Ne duam që një proces shumë i rëndësishëm dialogu mes qeverisë dhe studentëve të shkojë përtej tetë pikave të bëra publike, sepse ne e konsiderojmë këtë si një moment shumë të rëndësishëm për të thelluar një reformë të shumëanshme të arsimit në tërësi dhe të arsimit të lartë në veçanti.
Duke qëndruar këtu, duhet të jetë shumë e qartë se arsyeja përse ne insistojmë te dialogu është bindja jonë e thellë për një përfshirje, pse jo në një bashkëqeverisje të konceptit për t’u mirëkuptuar me studentët në radhë të parë, por edhe gjithë Universitetin në tërësi për ndryshimin e gjendjes, të cilën implementimi i deri tanishëm i ligjit të arsimit të lartë nuk e ka ndryshuar.
Vetë studentët e pranojnë se tetë pikat nuk janë zgjidhja e thellë dhe e plotë e gjithë problemeve që ka sot arsimi i lartë në Shqipëri.
Për këtë arsye ne nuk e konsiderojmë mbylljen e protestës si një moment që: u paraqitën tetë pika, tetë pikat u pranuan; tani hajde të ikim të hamë gjelin e detit secili në shtëpi të vet.
A mund të zgjidhet kjo situatë duke pranuar kërkesën e Presidentit me rritje të buxhetit në 5%?
Kjo pyetje, mendoj unë, nuk ka nevojë as për përgjigje, sepse ne e dimë tashmë se si zgjidhet kjo çështje. Ajo që ju bëni pyetje, përkundrazi nuk e zgjidh këtë çështje. Është e njëjta taktikë, e njëjta lojë.
Ne nuk bëhemi pjesë e këtij skenari, i cili në njëfarë mënyre të enjten e kaluar u përpoq që, pse jo, të tallej me kërkesat e studentëve, të vinte në lojë kërkesat e studentëve dhe të shpëtonte mandatet e deputetëve të opozitës.
E rëndësishme sot është: dialog, dialog dhe dialog me studentët në radhë të parë për të tejkaluar tetë pikat, sepse tetë pikat nuk e zgjidhin situatën e arsimit të lartë.
Po ua them edhe studentëve që kam poshtë dritares së zyrës sime, pavarësisht se nuk janë vetëm studentë, sepse pashë edhe punonjës të Bashkisë Kamëz, që të kuptojnë se dialogu dhe bashkëqeverisja e mirëfilltë mes qeverisë dhe studentëve është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve.
Ne kemi dhënë modelin më të mirë me propozimin që bëmë ditën e enjte dhe të premte, ku përsëri unë u bëj thirrje të gjithë studentëve anembanë vendit nga Shkodra në Vlorë, nga Gjirokastra në Elbasan, nga Durrësi në Tiranë, të vijnë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ballë për ballë me kryeministrin, vetëm ata dhe kryeministri, për të dialoguar.
Do ta rishikoni ligjin e arsimit të lartë?
Ligji për arsimin e lartë është një moment historik për t’i dhënë atë që kanë kërkuar gjithë këto vite universitetet publike shqiptare.
Të gjithë ata që deri para të enjtes ishin në mes të protestës, por në ilegalitet, dhe që sot kanë dalë nga ilegaliteti dhe kanë marrë përsipër edhe pagesën e faturave të autobusëve, ishin kundër ligjit të arsimit të lartë dhe kundër autonomisë, sepse punonin për interesa të caktuara të universiteteve private.
Të gjithë e dinë se ligji i arsimit të lartë është themeli i ngritjes së një Universiteti publik mbi bazën e eksperiencave dhe standardeve më të mira europiane. Por implementimi i tij nuk është sot tërësisht i plotë. Për këtë ne kemi përgjegjësitë tona se përse nuk është implementuar tërësisht dhe në thellësi ligji i arsimit të lartë.
Ndërkohë gjitha aktet nënligjore dhe përmirësimi i tyre është një punë e përditshme që duhet bërë me seriozitet maksimal.
Një gjë është e sigurt, autonomia e universiteteve publike është një hap i rëndësishëm dhe për ta thelluar reformën në arsimin e lartë duhet që përveç tetë pikave, ne të identifikojmë edhe çështje të tjera të cilat sot nuk diskutohen, por që të gjithë ne, edhe studentët, e dimë që janë shumë të rëndësishme për të garantuar cilësi, infrastrukturë mësimore të duhur dhe sigurisht kushte më të mira për të gjithë ata të cilët vijnë nga familjet në nevojë.
Ajo që kemi thënë ne dhe që nuk është kërkuar nga studentët është se për të gjithë fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike apo që kanë pamundësi financiare nuk do të ketë asnjë taksë.
Edhe për të gjithë ata që kanë rezultate të shkëlqyera nuk do ketë asnjë tarifë.
Z. Balla a mund të na thoni me zë vendimin e Grupit Parlamentar? Çfarë do të bëni me buxhetin? Çfarë do bëni me kandidaturën e Vitore Tushës? Çfarë do bëni me amendimet kushtetuese të opozitës?
Sigurisht që ju i merrni vesh përpara se t’ua themi publikisht, vendimet tona dhe kjo është një gjë shumë e mirë.
Po ju them që për sa i përket dekretit për buxhetin, është e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë që Presidenti i Republikës të kthejë buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit është votuar më 3 dhjetor. Kjo nuk ka të bëjë fare me çështjen e studentëve. Unë nuk shoh asnjë lloj lidhje mes këtyre të dyjave. Edhe vetë Presidenti e di këtë gjë.
Për sa i përket çështjes së dekretit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, pozicioni ynë ka qenë i njëjtë që ditën e parë. E kemi vlerësuar personalitetin e kandidaturës, por vlerësojmë po ashtu shumë të rëndësishme, prezencën e saj në institucionin më të lartë të drejtësisë së re sikurse është KED-ja.
Z. Balla, studentët deklarojnë se është e pamundur të plotësohen tetë pikat pa u tërhequr ligji për arsimin e lartë. A është e gatshme mazhoranca që të bëjë amendime në këtë ligj?
E para, në tetë pikat e depozituara, të cilat unë i kam mbi tavolinën e punës, çështja e ndryshimit të ligjit të arsimit të lartë nuk është ndër to.
Edhe një herë po ju them se ligji i arsimit të lartë është një themel shumë i mirë për të garantuar jo vetëm tetë pikat, por tetëmbëdhjetë pika po të doni ju, të cilat janë sot probleme të arsimit të lartë e që nuk janë adresuar.
Dialogu, dialogu dhe vetëm dialogu si hap i parë mes qeverisë dhe studentëve e më pas përfshirjen e të gjithë aktorëve kontribuues për një arsim të lartë të standardeve më të mira europiane në Shqipëri është zgjedhja më e mirë.
Unë nuk di se përse ende ka studentë të cilët mbahen peng nga të infiltruarit e Monikës dhe të Lulit janë kundër dialogut.
Por, të jeni të sigurt se kjo javë do të jetë një javë e rëndësishme e fillimit të një faqeje të re të një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe partneriteti të rëndësishëm mes studentëve dhe qeverisë në funksion të asaj që thashë më sipër: Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një arsim të lartë të standardeve më të mira.
Faleminderit!