Home KRYESORE Avokati i Popullit: Mos kërcënoni t’drejtën e studentëve për të protestuar

Avokati i Popullit: Mos kërcënoni t’drejtën e studentëve për të protestuar

Institucioni i Avokatit të Popullit, të premten pasdite, ka bërë thirrje që t’mos ushtrohet asnjë lloj forme intimidimi apo presioni të fshehur apo të drejtpërdrejtë për të cenuar të drejten e studentëve për të protestuar.

Përmes një deklarate për mediat, ky institucion shpreh shqetësimin për qasjen represive ndaj formave të ndryshme të protestës së një numri studentësh shqiptarë të cilët kërkojnë plotësimin e disa pikave me synim përmirësimin e gjendjes së arsimit universitar në vend.

Avokati i Popiullit vlerëson si një zgjidhje pozitive uljen e tarifave dhe adresimin e disa prej kërkesave të studentëve, duke theksuar më tej se studentët janë ata që kanë të drejtë të bejnë vlerësimin përfundimtar në lidhje me realizimin e kërkesave të tyre.

“Institucioni i Avokatit të Popullit për të disatën herë kërkon që autoritetet tona të garantojnë me të gjitha mënyrat që qytetarët ta shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë paqësore, të pashqetësuar e të pa vënë nën presione të çdo lloji”,- citohet nga deklarata.

Sipas këtij institucioni, janë në kufijtë e të papranueshmes justifikimet se përdorimi i forcës për shpërndarjen e studentëve që kanë zgjedhur ta zhvillojnë protestën e tyre në ambientet universitare, bëhet për të garantuar zhvillimin normal të mësimit në ato ambiente.

Ndërkaq, theksohet se prej më se një muaji është bërë e qartë nga protestat e studentëve se situata nuk është normale, nuk ka asnjë “normalitet” që po ndërpritet nga vijimi i shprehjes së pakënaqësisë së studentëve.

“Avokati i Popullit bën thirrje që askush të mos ushtrojë asnjë lloj forme intimidimi apo presioni të fshehur apo të drejtpërdrejtë për të cenuar të drejten e studentëve për të protestuar dhe të zgjidhet një qasje e re mirëkuptuese, dëgjuese dhe vetëkorrigjuese përballë kërkesave të tyre të drejta”,- citohet nga deklarata.

Më tej, bëhet me dije se ekipet e Avokatit të Popullit janë në ndjekje të vazhdueshme të situatës në të gjitha lokacionet e saj, ata kanë bashkëbiseduar me studentë dhe kanë marrë ankesat e tyre.

Duke shtuar se Avokati i Popullit do të kryejë procesin e verifikimit të këtyre ankesave në përputhje me ligjin dhe do të nxjerrë konkluzionet përkatëse në rast se do të konstatohen shkelje të të drejtave të njeriut dhe keqpërdorim të autoritetit administrativ shtetëror.

Share: