Nuk ka procese automatike, të cilat do t’ia mundësonin Kosovës anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe në rast se do ta merrte njohjen nga Serbia, në fund të procesit të dialogut, thotë Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe aktualisht president i Akademisë Diplomatike Shqiptare. Sipas tij, kjo njohje vetëm do ta lehtësonte procesin e integrimeve të Kosovës. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Bashkurti është shprehur kundër idesë së korrigjimit apo ndryshimit të kufirit, si zgjidhje e kontestit Kosovë-Serbi. Madje, ai nuk beson fare në qëndrueshmërinë e politikave të Serbisë edhe në rast të një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Kosovën e pret faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në rast se ky proces përfundon eventualisht me njohjen e shtetit të Kosovës, a nënkupton kjo rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj, apo do të përballet me sfida të tjera në këtë drejtim?
Lisen Bashkurti: Mendoj që konkludimi i procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të sjellë njohjen e shtetit të Kosovës. Por, kjo nuk nënkupton që të njëjtin qëndrim do të përcjellin edhe shtetet e tjera, veçanërisht fuqitë e mëdha që e kanë bllokuar këtë proces, por edhe organizatat e veçanta, në të cilat Kosova ka nevojë të integrohet. Kjo për faktin, sepse njohja e shteteve dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike është atribut i shteteve sovrane, i vendimeve të tyre politike dhe jo i kushtëzuar nga qëndrimet e njëri-tjetrit.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe njohja e ndërsjellë eventuale, hapë rrugën gati se me automatizëm drejt Organizatës së Kombeve të Bashkuara. A mund të jetë kështu?
Lisen Bashkurti: Bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare, por edhe në praktikën e njohjes së shteteve të reja dhe të pranimit të tyre në Kombet e Bashkuara, ky proces nuk mund të lidhet në mënyrë automatike. Kjo për arsyen që, sikur që e thashë, procesi i njohjes së shteteve është atribut i vendimit politik të çdo shteti sovran, përfshirë këtu anëtarët e thjeshtë të OKB-së, ashtu sikurse edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Është qëndrimi i tyre politik, është vendimi i shteteve sovrane, në përputhje me interesat e tyre kombëtare, ai që përcakton fatin e mëtejshëm të njohjes së Kosovës dhe të integrimit të saj në Kombet e Bashkuara. Nuk ka procese automatike të parashikuara në të Drejtën Ndërkombëtare, respektivisht, në kartën e Kombeve të Bashkuara ose në praktikat e kësaj natyre.