Home KRYESORE Dy prokurorët që hetojnë Tahirin fitojnë betejën ndaj Arta Markut, rikthehen tek...

Dy prokurorët që hetojnë Tahirin fitojnë betejën ndaj Arta Markut, rikthehen tek Krimet e Rënda

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur rikthimin tek Krimet e Rënda të dy prokurorëve Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çelaj të cilët u transferuan nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku në rrethe. Rikthimi i dy prokurorëve u miratua me 6 vota pro dhe 5 kundër.
KLP mori në shqyrtim sot edhe rastin e 2 prokurorëve Çela dhe Hajdarmataj që u transferuan në rrethe nga Arta Marku. Për dy prokurorët mbaroi afati i caktimit të përkohshëm, ndaj prokurori Bujar Sheshi tha se KLP duhet të zgjidhë se ku do të punojnë 2 prokurorët.
KLP zhvilloi sot mbledhjen e tretë që prej konstituimit. Në rendin e ditës janë disa propjektvendime si miratimi i strukturës së KLP dhe propozimi i buxhetit për 2019. Por me propozim të një prej anëtarëve, prokurorit Bujar Sheshi dhe në unanimitet në rend të ditës u fut edhe shqyrtimi i çështjes për plotësimin e vendit vakant në Apelin e Krimeve të Rënda me largimin e prokurorit Bujar Sheshi, i cili është zgjedhur anëtar i KLP.
“Kërkoj që të futet në rend edhe çështja për caktimin e përkohshëm të një prokurori si prokuror në Apelin e Krimeve të Rënda. Mendoj që duhet bërë në këtë mbledhje sepse situata është emergjente. Atje është vetëm një prokuror dhe nuk i ndjek dot të gjitha çështjet. Mund të krijohen probleme dhe për caktimin e masave të sigurisë. Mirë është që ta bëjmë në këtë mbledhje që të mos bëjmë një mbledhje urgjente”, tha prokurori Sheshi.

Ndërsa kreu i KLP, Gent Ibrahimi e hodhi në votim propozimin i cili u miratua. “Shtohet çështja në rendin e ditës. KLP do të shqyrtojë edhe çështjen e plotësimit të vendit të lënë bosh si rezultat i caktimit në KLP të zotit Sheshi”, tha Ibrahimi.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, gjatë fjalës së tij u ndal edhe te plotësimi i vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit, ku deri tani kanë aplikuar vetëm prokurorët Klodian Braho dhe Besnik Muçi.
“U çelën procedurat për plotësimin e 15 vendeve vakante për SPAK, deri tani kemi dy kandidime. Këshilli vendosi që të bënte një lehtësim të dokumentacionit, përmes një emaili që u është dërguar të gjithë prokurorëve. U lehtësua ndjeshëm lista e dokumenteve. Shpresojmë që ky lehtësim të jetë inkurajues. Thirrje të gjithë prokurorët me integritet që të mos e humbin këtë mundësi për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme”, u shpreh kreu i KLP.
Ndërkohë anëtari Kostaq Beluri propozoi një strukturë shtesë të KLP prej 6 prokurorësh, propozim që u miratua me 9 vota pro dhe 2 kundër./RD

Share: