Home I pakategorizuar ENGEL NË KRYE TË KOMITETIT PËR MARRËDHËNIE ME JASHTË NË KONGRESIN AMERIKAN,...

ENGEL NË KRYE TË KOMITETIT PËR MARRËDHËNIE ME JASHTË NË KONGRESIN AMERIKAN, GËZIM I MADH NË KOSOVË

Ligjvënësi Eliot Engel, është zgjedhur kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe ka thënë se është i vendosur që t’i përmbush të gjitha përgjegjësitë.

“Jam i nderuar që kolegët e mi, unanimisht më zgjodhën kryetar të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë. Kongresi do të luajë një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme, dhe unë, jam i vendosur t’u siguroj se ne do t’i përmbushim ato përgjegjësi”, ka shkruar Engel në Twitter.

Për këtë post e ka uruar Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Për Kosovën, Pacolli ka thënë se Engeli është hero.

“Lajm i shkëlqyeshëm në një moment të rëndësishëm nëpër të cilin po kalon Republika e Kosovës, është zgjedhja e Kongresistit, Eliot Engel, në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan. Engel ishte me ne, kur miqtë nuk ishin të shumtë, Engel ishte pranë nesh, kur e ardhmja e jonë nuk ishte edhe aq e sigurt. Engel ishte me ne në luftë, në paqe, në okupim, në liri. Për Kosovën, Engel është hero i cili bashkëndjeu me të gjitha momentet tona, njëherësh maratonist i politikës përkrahëse të SHBA-ve, për popullin dhe shtetin më proamerikan në botë. Mirënjohje e përjetshme për përkrahjen e përhershme të Engel, miqve amerikan, dhe SHBA-ve, vendit dhe popullit të cilin e admirojmë pafund. Paq fat, shëndet e sukses, miku ynë, miku i Kosovës, Engel!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se “zgjedhja e Kongresistit dhe mikut tonë të madh, Eliot Engel, në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën”.

“Engel për dekada, deri në përmasa heroike, u angazhua për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve. Për popullin e Kosovës emri i Engel është ikonë e miqësisë së përjetshme me ShBA-në dhe zgjedhja e tij, në kohën kur Kosova është në fazën e përmbylljes së konsolidimit ndërkombëtar, është krah i fuqishëm për ne. Urime mik!”, ka shkruar Haradinaj.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se nga sot, përkrahësi më i madh i Kosovës në Kongres, Eliot Engel, merr detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Lajm shumë i mirë për vendin tonë dhe mundësi e shkëlqyeshme për thellim të miqësisë së përhershme mes Kosovës dhe SHBA”, ka shkruar ajo./AktivPress

Share: