Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, të mërkurën, lajmëroi se janë deklasifikuar 48 mijë dosje nga fondet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryeministrisë, fondet personale të Enver Hoxhës, Hysni Kapos, ish-arkivit të partisë dhe fondeve të ministrive.
Kjo do të thotë që qytetarët mund të kenë akses në njohjen e informacioneve dhe përmbajtjen e këtyre dosjeve.
Përmes një postimi në Facebook, Bido tregon se tashmë kanë mbetur vetëm 2 mijë dosje që realisht kishin sekret shtetëror dhe që do të presin kohën e tyre të deklasifikimit.
Shënimi i plotë:
I hapëm dhe këto
600 mijë dokumente kishin mbetur të klasifikuara jo se kishin ende sekret, por sepse nuk ishte ndjekur procedura burokratike e deklasifikimit.
Në një vit, 8 nga arkivistët më të vjetër të vendit deklasifikuan 48 mijë dosje nga fondet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryeministrisë, fondet personale Enver Hoxha dhe Hysni Kapo, fondet e ish arkivit të partisë, fondet e ministrive dhe të organeve të tjera qendrore.
Tashmë mbetën vetëm 2 mijë dosje që realisht kishin sekret shtetëror, që do të presin kohën e tyre të deklasifikimit.
Të tjerat, janë për herë të hapura për studiuesit për të ndriçuar siç i ka hije historinë tonë kombëtare./opinion.al