Home KRYESORE Ja “Përsetë” e vitit 2019 dhe Edi Rama. Nga Kasem Seferi

Ja “Përsetë” e vitit 2019 dhe Edi Rama. Nga Kasem Seferi

Për të gjithë ata që e kanë vizituar Izraelin, besoj se nuk e kanë lënë pa parë një qytezë të lashtë pranë Tel – Avivit me emrin Jaffa.

Përveç lashtësisë, Jaffa ka edhe një ngjarje mjaft domethënëse me Perandorin Franc Jozef të Austro – Hungarisë, i cili i ftuar për të marrë pjesë në përurimin e Kanalit të Suezit, vendosi të vizitojë Jaffa – n një ditë. Të nesërmen deti u trazua dhe askush nuk po merrte përsipër ta çonte Perandorin në Kryqëzorin e tij larg prej shkëmbinjve nënujorë të bregdetit të Jaffa – s.

E mori përsipër vetëm një arab por me kushtin që Perandori të fuste kokën mes shalëve të tij. Përpara Perandorit u përmbys bota kundrejt një oferte të tillë. E mendoi mirë e mirë dhe më në fund vendosi të fuste koklën mes shalëve të arabit se sa të turpërohej me mospsjemarrjen e tij në përurimin e Kanalit të Suezit, ku do të ishin të pranishëm burrat udhëheqës të fuqive më të mëdha të botës.

Mu kujtua ky episod, pikërisht, kur në Gazetën Panorama pashë një fotomontazh të skulpturës së Davidit me kokën e Edi ramës dhe poshtë liderë të opozitës.

Një kontrast mjaft domethënës në kohë të largëta, por politikisht i vlefshëm në çdo kohë.

Vendosa të rendis përsetë e vitit 2019 si më poshtë.

Korrupsioni, si në nivel qendror ashtu dhe në nivel vendor, nën qeverisjen e pesë viteve të Edi Ramës pozoi një sfidë serioze për rritjen ekonomike dhe zhvillimin të vendit, për arsye se minoi demokracinë dhe qeverisjen e mirë duke shpërfillur ose sabotuar proçeset zyrtare.

Korrupsioni në zgjedhje dhe në organet legjislative zvogëloi përgjegjshmërinë dhe shtrembëroi përfaqësimin në hartimin e politikave.

Korrupsioni në sistemin gjyqësor kompromentoi sundimin e ligjit dhe korrupsioni në administratën publike rezultoi në padrejtësinë e sigurimit të shërbimeve.

Me pak fjalë: korrupsioni erodoi kapacitetin institucional të qeverisjes pasi proçedurat nuk u respektuan, burimet nuk u shpërndanë në mënyrë transparente dhe zyrtarët u shiten (kur ofruan favorizime të padrejta) dhe u blenë (kur morën shpërblime, ose dhurata për favorizimet që kanë bërë në mënyrë të padrejtë).

Korrupsioni minoi gjithashtu legjitimitetin e qeverisjes, si dhe vlera të tilla demokratike si besimi dhe toleranca.

Demokracia e ligjit u kthye në demokraci të Maliqit.

Rezultat i kësaj dukurie kemi: rritjen e kostos së bizneseve private dhe kostos së administratës publike, uljen e nivelit të konkurrencës së drejtë në treg, shtrembërimin e zhvillimeve ekonomike në treg, minimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe konkurueshmërisë së tij në raport me tregjet rajonale dhe globale, që gjeneruan, gjithashtu, shtrembërime ekonomike në sektorin publik, ulën nivelin e zbatimit të legjislacionit të ndërtimit, të mjedisit, zvogëluan cilësinë e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike qendrore dhe vendore, si dhe rritën presionet për shpenzime buxhetore, duke bërë të mundur largimin e kapitalit nga vendi.

Kur analizohen shkaqet që e lindin dhe e influencojnë nivelin e korrupsionit, një vend dhe një rol i veçantë dhe i rëndësishëm i jepet nivelit ekonomik të jetesës, ose sikundër thuhet shpesh në gjuhën e popullit: varfërisë.

“A doni më për Belulin”!

Analiza e shkaqeve që e lindin dhe e faktorëve që influencojnë mbi nivelin e korrupsionit, nuk duhet përqëndruar te perceptimi, por te provat, te dëshmitë dhe te vendimet e pakundërshtueshme dhe të zbatueshme të niveleve të ndryshme të pushtetit gjyqësor.

“Merre me lëng se mishi u mbarua”!

Niveli i korrupsionit favorizohet nga informacioni i pamjaftueshëm për shkak të mungesës së transparencës nga ana e qeverisë për të gjithë veprimtarinë e saj; mungesës së lirisë së duhur për të siguruar informacionin e nevojshëm mbi legjislacionin; mospërfilljes, ose neglizhencës për ushtrimin e lirisë së fjalës dhe shtypit; praktikave të dobëta kontabile, që përfshijnë mungesën e menaxhimit financiar në kohën e duhur; mungesës së organizmave, mjeteve dhe metodave për matjen e korrupsionit te ata që e pësojnë prej korrupsionit dhe jo te ata që preken prej tij; nivelit të lartë të ekonomisë informale dhe ndikimit të saj mbi zyrtarët e zgjedhur dhe/ose të emëruar në hartimin e politikave fiskale në interes të grupeve të caktuara të interesit.

Polarizim i paparë!

Kontrolli i pamjaftueshëm mbi veprimet negative të qeverisjes është rezultat i një demokracie funksionale jo të plotë; pamundësisë së monitorimit të qeverisjes nga shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare; kulturës së pakët të zgjedhësve në lidhje me politikën, veçanërisht, në zgjedhjet mbarëkombëtare, pasi vota e tyre nuk ka shumë peshë; moszbatimit të ligjit, pothuajse, në të gjitha nivelet; nivelit të pamjaftueshëm në profesionin e juristit; nivelit të pamjaftueshëm të pavarësisë të sistemit të drejtësisë; mbrojtjes së pamjaftueshme të kundërshtarëve të qeverisjes; mungesës së standarteve të vlerësimit të proçedurave dhe krahasimit të tyre me të ngjashëm në nivele të njëjta, ose të ndryshëm të qeverisjes, në veçanti, krahasimit me ata që bëjnë punën më të mirë.

Mundësi dhe nxitës të korrupsionit, ndër të tjera, janë centralizimi i fondeve publike dhe jo decentralizimi i tyre; pamundësia e mbikqyrjes së investimeve të mëdha publike; privatizimi, dhënia me konçesion, si dhe shitja e pronës shtetërore; zyrtarë të paguar në nivele të pamjaftueshme; licensat për të bërë biznese të veçanta, që inkurajojnë mitmarrjen dhe kushtet për të bërë marrëveshje; qendrimi për një kohë të gjatë në njëjtin vend pune mund të krijojë marrëdhënie brenda dhe jashtë, të cilat ndihmojnë për të fshehur korrupsionin dhe favorizimin (rotacioni i zyrtarëve në pozicione të ndryshme dhe në rrethana të tjera mund të ndihmojë për ta parandaluar këtë faktor); fushatat zgjedhore të kushtueshme me shpenzime që i tejkalojnë burimet normale të financimit politik (ndërveprimi më i vogël me zyrtarët zvogëlon mundësitë për korrupsion).

Mosdënimi është shkaku kryesor i korrupsionit!

Pavarësisht trajtimit intensiv në median e shkruar dhe atë elektronike, pavarësisht ligjeve që e dënojnë korrupsionin, pavarësisht bujës në media, verdikti i përbashkët, në thelb, mbetet i pandryshuar: korrupsioni mbetet një krim i pandëshkuar për shkak të reagimit të dobët shoqëror që e sfumon ashpërsinë e ndëshkimeve.

Kariera e politikanëve të përfshirë në çështje të korrupsionit nuk është cënuar nga akuza për korrupsion, nga diskretitimi publik dhe nga pasojat e ndëshkimit, pa përmendur faktin e ndikimit të korrupsionit në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave në partitë politike, situatë e njëjtë kjo edhe në mjedisin e shoqatave të biznesit.

Marrëveshjet e shumëllojshme në gjirin e aparatit politiko – administrativ shkaktuan vështirësi të përherëshme të gjykimit midis interesave kontradiktore dhe ndikimit në rritje të interesave ekonomike mbi funksionet publike.

Shembuj të qartë të praktikave korruptive janë shitja e votës në këmbim të shumave të parasë në dorë, ose shërbimet e ndryshme, nepotizmi, përfitimi i paligjshëm, administrimi i keq, vështirësitë e kontrollit, kundërshtimi për t’iu bindur masave ndëshkuese, favoritizmi (rekrutime, ose kontrata publike në favor të personave të lidhur) duke mos respektuar proçedurat si dhe mungesa e kundërveprimit me anë të reformave efektive.

Format më të dukshme të korrupsionit ishin dhe janë pasurimet vetiake, favoritizmi i njerëzve të afërm, ose i personave të lidhur, përfitimet e paligjshme të fondeve për qëllime zgjedhore, etj; përveç korruptimit të njerëzve ekziston edhe korruptimi i organizatave qofshin ato parti politike që kërkojnë fonde, qofshin administrata që ndryshojnë orientimin e proçedurave të tyre, apo qofshin biznese që përdorin korrupsionin për të arritur objektivat e tyre ekonomike.

Në këtë fushë interesat financiare dhe shpërdorimet në ushtrimin e pushtetit kanë shkuar paralelisht!

Stabiliteti ekonomik dhe formimi i institucioneve nuk e arritën fundin e tyre logjik dhe të dy bashkë u bënë shkak për korrupsion galopant!

Shpenzimet në kushtet e një buxheti të pamjaftueshëm (me defiçit të konsiderueshëm) u orientuan në ato sektorë që premtonin rryshfete të mëdha.

Ajo që i pasqyron direkt mënyrat e ndryshme të manifestimit të korrupsionit është gjendja e ndërmjetme e ekonomisë së vendit e cila nuk ka arritur stadin e plotë të transformimit të saj nga një ekonomi e planifikuar dhe e centralizuar në një ekonomi tregu.

Favorizimet morën formën e zaptimit monopolist të tregjeve, të preferencave në blerjen e pronave shtetërore, ose të lejimit për ndërhyrje speciale në pushtetin politik.
Këto veprime dëmtuan përdorimin me efektivitet të kapitalit dhe për pasojë ndikuan në uljen e nivelit jetësor.

Këto janë disa ngapërsetë e vitit 2019 për atë që po i ndodh Kryeministrit Rama 2!

Koha për të futur “kokën midis shalëve të arabit” ka skaduar!

Të shohim se çfarë do të na falin ditët në vazhdim!

Kasem Seferi – ekonomist pensionist

Share: