Home KRYESORE Manastirliu: Nuk do te kete rritje te cmimeve dentare

Manastirliu: Nuk do te kete rritje te cmimeve dentare

Gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore nr. 8 në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë bëri një apel për prindërit t’i drejtohen 4 qendrave me shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike, pa patur nevojë të shkojnë në QSUT.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër qendrën shëndetësore nr. 8 në Tiranë, një prej qendrave 24 orëshe, ku bëri një apel për të gjithë prindërit, që në këtë periudhë të ngarkuar me viroza dhe grip, ta marrin shërbimin pranë qendrave shëndetësore.

“Është e njëjta cilësi shërbimi, ndaj nuk është e nevojshme të shkoni në Urgjencën Pediatrike në QSUT, por shërbimi tashmë ofrohet 24 orë në 4 qendra shëndetësore”, tha Manastirliu.
Qendra shëndetësore nr.6 në Kombinat, nr.7 në Laprakë, nr.8 në zonën e ish-Bllokut dhe nr.10 në Allias ofrojnë shërbim pa ndërprerje për urgjencat pediatrike.

E pyetur nga gazetarët në lidhje me rritjen e tarifave të shërbimit dentar, Manastirliu u përgjigj:

“Dua të siguroj qytetarët që nuk do të ketë rritje të tarifave dysheme të shërbimeve dentare sepse nuk është kompetencë e Urdhrit të Stomatologëve të vendosë për këtë.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë e ka kundërshtuar këtë propozim në mbledhjen e Asamblesë dhe pasi u njohëm me vendimin, kemi bërë padi në gjykatë për ta rrëzuar atë, sepse është një vendim i paaplikueshëm, për shkak se Urdhri ka tejkaluar kompetencat që i njeh ligji. Pra është një vendim që nuk do të zbatohet. Siguroj qytetarët se nuk do të ketë rritje të tarifave dysheme, pasi instancat perkatëse do të marrin masat që ju njeh ligji”, tha Manastirliu.

Share: