Home KRYESORE PD gati kryesia e re, ja emrat në garë për lidershipin e...

PD gati kryesia e re, ja emrat në garë për lidershipin e ri

Partia Demokratike pritet të mbyllë procesin e ristrukturimit të saj, duke zgjedhur Kryesinë, nënkryetarët dhe Sekretariatet, në javën e tretë të muajit janar.

Ndryshimet e reja statutore të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të çojnë në një ulje të ndjeshme të numrit të anëtarëve të kryesisë, nga 57 që ka aktualisht.

Paketa që kaloi në unanimitet i heq të drejtën 24 krerëve të Departamenteve drejtuesë të PD-së të jenë pjesë e këtij forumi.

Pjesë e saj nuk do të jenë më as Florion Mima që kryeson Departamentin e Ekonomisë dhe Tregut, Sherefedin Shehu i Financave Publike apo dhe Suzana Guxholli që drejton Departamentin e Energjisë dhe Burimeve Natyrore apo i ambientit, Jamarbër Malltezi.

Automatikisht ndryshimet e reja prekin edhe 8 prej deputetëve që aktualisht janë kryetarë apo nënkryetarë në komisionet parlamentare.

Listës së gjatë të atyre që nuk do jenë më pjesë e këtij forumi i shtohen edhe Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Genc Pollo, Bardh Spahia, dhe Tritan Shehu.

Po jo domosdoshmërisht këto figura nuk do të jenë pjesë e Kryesisë së re, për faktin se ata mund të garojnë për funksione drejtuese, apo mund të zgjidhen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, pasi në Kryesi statuti sanksionon që 15 anëtarë të jenë me garë.

Mësohet se kryetari Lulzim Basha, ka nisur lëvizjet e para duke kontaktuar kandidatët e mundshëm për kupolën drejtuese të Partisë Demokratike. Burime të faktor.al mësuan se Basha do të zgjedhë një deputete si nënkryetare të PD dhe një sekretar të përgjithshëm një profil që ka një reputacion të madh në shoqëri…

Finalizimi i ristrukturimit të Partisë Demokratike vjen në një moment të rëndësishëm të zhvillimeve politike në vend, vetëm pak muaj para zgjedhjeve vendore, por dhe kur situata është e ndezur mes mazhorancës dhe opozitës.

Ky proces në Partinë Demokratike merr rëndësi dhe për faktin se Basha do të krijojë ekipin që do i prezantohet shqiptarëve për të kërkuar votëbesimin./faktor.al

Share: