Home KRYESORE “Pse sot jam stomatolog” Nga Isuf Kalo

“Pse sot jam stomatolog” Nga Isuf Kalo

Nga Prof. Isuf Kalo*

E di që do më zemërohen shumë nga miqtë e mi, madje dhe njerëzit e mi të afërt, dhe pa dyshim të gjithë ata që kanë probleme dhe kanë paguar e sidomos ata që sot e tutje do të paguajnë  për problemet që kanë me dhëmbët. Ata të gjithë janë shprehur ditët e fundit  tepër  të indinjuar  me vendimin e Urdhrit të Stomatologëve tanë që kanë rritur çmimet e shërbimeve që ofrojnë.

Të gjithë, përveç autorëve të atij vendimi e quajnë këtë akt të gabuar madje “idiotësi, çmenduri”. Duket sikur ai është marrë nga të sëmurët e një spitali psikiatrik. Më tepër e zemëruar është shprehur Ministria e Shëndetësisë. Ajo është kapur në befasi dhe lajmin e ka quajtur të pabesueshëm. Prandaj menjëherë i është drejtuar gjykatës për këtë “gafë” apo  “thagmë” të padëgjuar.

Në fakt ky akt tek në është vërtetë i padëgjuar, por unë mendoj se nuk është gafë, është risi. Është përpjekje (ndër të rrallat tek ne) të një strukture organizative legale, konkretisht e Urdhrit të Stomatologëve tanë për të rivlerësuar dhe rirregulluar bazuar në gjykimin dhe argumentet e tyre, shpërblimin e veprimtarisë profesionale që ata kryejnë dhe ofrojnë në tregun e lirë të shërbimeve shëndetësore.

……………………………………………………..

Unë vetë nuk jam stomatolog, por sot jam një i tillë. Jo me diplomë, as anëtar i urdhrit, as mik i presidentit të tij, të cilin as e njoh as e kam takuar ndonjëherë.

“Unë jam sot me bashkësinë profesionale të stomatologëve, në mbrojtje jo thjesht të tyre si individë apo si grup për ca lekë me pak apo me shumë, por në mbështetje të dy prej arritjeve të pakta, por mjaft të rëndësishme të reformës  së sistemit tonë shëndetësor. Ato janë autonomia profesionale dhe  liberalizimi i tregut të shërbimeve shëndetësore. Lejimi i privatizimit dhe liberalizimi i shërbimeve  stomatologjike dhe farmaceutike krijoi një hop cilësor në pajisjen,  modernizimin e tyre dhe përqasjen me metodat bashkëkohore. Kjo ishte një nga arritjet e para të frutshme të reformës tonë shëndetësore në periudhën e demokracisë. Mendoj se ajo duhet zhvilluar me tej, jo penguar.

Liberalizimi i tillë nuk do të ishte funksional e produktiv pa u njohur dhe mbështetur nga ana e ekzekutivit, Ministrisë së Shëndetësisë të drejtat e profesionisteve për organizim dhe për autonomi  në veprimtaritë konkurruese të tyre në tregun e lirë. Natyrisht kjo veprimtari duhej  të mbikëqyrej, por jo drejtuar me urdhra autoritare nga lart. Ajo duhej vlerësuar dhe monitoruar me anë të standardeve të cilësisë të vendosura, e të shpallura paraprakisht nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Mbi këtë logjike u krijuan tek ne Urdhrat përkatëse profesional i mjekëve, i infermierëve, i stomatologëve dhe i farmacistëve, në të cilët edhe qeveria ka përfaqësuesit e saj.

…………………….

Unë jam sot stomatolog sepse sipas gjykimit tim vendimi fundit i Urdhrit të tyre, pavarësisht se përdor si mjet çmime relativisht më të larta për shërbimet që kryen, në thelb si qëllim final synon cilësinë më të mirë dhe shpërblimin më të merituar të tyre. E thënë shkurt, synon  shërbime me cilësi e siguri konform standardeve të lejuara.

Standardet e cilësisë dhe sigurisë të shërbimeve, të qendrave dhe të institucioneve shëndetësore, përfshi atyre stomatologjike, janë kërkesa të shkruara e te botuara. Ato janë të ligjëruara që duhen plotësuar për të përfituar shërbim cilësor. Krijimi i tyre nuk është  mandat i urdhrave profesional: Është  kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë e cila ka përgjegjësi ndaj votuese dhe popullatës për nivelin e cilësisë së shërbimeve të lejuara dhe ofruara ndaj saj. Ministria, natyrisht i krijon ato në bashkëpunim me profesionistet e fushës dhe me partnerët e tjerë të interesuar. Urdhrat profesionalë janë njëri nga ata.

Për fat të mirë standardet e duhura të cilësisë për licencimin dhe akreditimin specifik të klinikave tona stomatologjike të krijuara nga Qendra jone Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit Shëndetësor (QKCSA), vartëse e Ministrisë së Shëndetësisë janë që prej më shume se 5 vitesh në dispozicion. Ato ekzistojnë të miratuara zyrtarisht nga Ministria dhe janë botuar dhe shpërndarë nga QKCSA. Detyra e Urdhrave  profesional , e vetë profesionisteve  dhe drejtueseve të tyre ka qenë t’i njohin standardet dhe domosdoshmërisht  të kontribuojnë në zbatimin e vazhdueshëm të tyre. Ministria e Shëndetësisë nga ana e saj duhej t’i nxiste, t’i  vlerësonte, t’i monitoronte  por dhe t’i mbështeste aktivisht ato në procesin e plotësimit të standardeve, qoftë atyre minimale të domosdoshmërisht për licencimin personal të profesionistëve dhe të klinikave të tyre, po ashtu edhe në procesin më të vështirë, atë të akreditimit institucional  i cili është edhe detyrim i tyre i sanksionuar në ligjin e shërbimit shëndetësor.

Kjo nënkupton që mangësitë apo mosplotësimi qofte dhe i njërit prej standardeve të domosdoshëm për licencim i heq automatikisht asaj qendre të drejtën që të funksionojë. Mandatit për licencimin e qendrave shëndetësore e pati fillimisht Ministria e Shëndetësisë,  por më pas ju kalua Agjencisë Qendrore Kombëtare të licencimit, ku jepeshin certifikata edhe për çdo lloj shërbimi ekstra mjekësor. Kurse akreditimi i qendrave dhe institucioneve shëndetësore publike dhe private përfshi edhe i klinikave të stomatologjisë është mandat i  QKCSA. Përfshirja në procesin e akreditimit ka qene dhe është detyrë për të gjitha institucionet dhe qendrat mjekësore që operojnë në Shqipëri  e sanksionuar kjo edhe me ligj. Teknikisht është mundësuar dhe demonstruar  nga ana e QKCSA zbatueshmëria e tij por ka munguar vullneti në nivel të institucioneve dhe mbështetja e forcimi i tyre nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Mirëpo për fat të keq nga një studim që u bë lidhur me zbatimin e standardeve të licencimit në klinikat tona shëndetësore u gjetën plot mangësira që dëshmonin mosplotësimin në shumë nga ato të standardeve minimalisht të domosdoshme për funksionimin. Të licencuara me mangësi të tilla, pa vullnetin e ndjeshmërinë, pa mbështetjen dhe masat detyruese, natyrisht qendrat tona shëndetësore  ishin dhe janë ende larg plotësimit të standardeve dhe akreditimit dhe për t’ju  nënshtruar vlerësimit të jashtëm të tyre nga ana e QKCSA, siç e kërkon edhe ligji.

………………………………

Unë jam sot me stomatologët sepse licencimet “fallso” dhe mos akreditimi e bën të pamundur vlerësimin objektiv të cilësisë së shërbimeve  që ofrohen në sistemin dhe tregun tonë të lirë shëndetësor. Pa to është e pamundur të ndihmohen qytetarët për të identifikuar dhe zgjedhur qendrën,  klinikën apo spitalin më të mirë, më të sigurtë dhe më cilësor. Po kaq e pamundur është që ata të dallojnë cilësinë e vërtetë nga reklamat apo mashtrimet lidhur me saktësinë dhe çmimet e përligjura. Vetëm me anë të licencimit dhe akreditimit serioz, kompetent, të ndershëm, rigoroz do të mund të ndahen në shërbimet tona shëndetësore krundet nga mielli. Pa to, ushtrimi i profesionit nuk duhet të lejohet dhe qendrat përkatëse duhet të mbyllen si të rrezikshme ose mashtruese ndaj pacientëve  dhe qytetarëve. Ndërkaq konfirmimi i  besueshmërisë së praktikes profesionale me cilësi të lartë duhet të bazohet  jo me opinione dhe reklamë, por me shkallën e plotësimin e kërkesave të standardeve më të larta. Cilësia e tyre duhet të matet shkencërisht me mekanizmat e përligjura të disponueshme  nga strukturat dhe personat kompetent. Kolegët stomatologë dhe sidomos drejtuesit e Urdhrit apo edhe fakulteti i stomatologjisë në Universitetin mjekësor duhet ta kuptojnë se kanë edhe ata vetë detyra të pakryera në këtë drejtim.

…………………………….

“Unë sot jam stomatolog” sepse i mirëkuptoj përse ata i rritin çmimet. Ata duan të trajtohen si miell jo si krunde. Në një treg jo mirë të mbikëqyrur dhe të rregulluar mashtruesit vendas a të huaj, që flasin turqisht, gjermanisht apo kinezçe nuk e kanë vështirë të shesin sapunin për djathë dhe të bëjnë para të pamerituar me cilësi të keqe e të pakontrolluar.

Stomatologët tanë me vendimin e fundit po tentojnë të mbrojnë veten nga ata dhe mbase edhe  nga njëri- tjetri. Sepse jo të gjithë prej tyre janë të aftë t’i bëjnë “ato që duhen ashtu siç duhet”. Pavarësisht nga emocionet që krijoi ky vendim i papritur, ata duhen mirëkuptuar me gjakftohtësi. Sepse nuk janë armiq, janë kolegë bij e bija, vëllezër e motra tona. Përderisa tek ata vinë që nga vendet e huaja,  përshi ato evropiane perëndimore,  klientë që mbeten të habitur për çmimet aq të ulëta për të njëjtat procedura në krahasim me kolegë të tyre ne vendet ku janë (çka ka  krijuar e lulëzuar  tek ne turizmin dentar ), vetvetiu atyre u lind dëshira të rivlerësojnë shpërblimet për shërbimet që japin. Çmimi më i lirë nuk është patjetër më i mirë. Po ashtu edhe ai me i shtrenjti. “Mirësia” duhet të matet në mënyrë objektive, jo thjesht të pretendohet dhe të shpallet. Në vlerësimin e saj ka disa parime që duhen njohur dhe pranuar paraprakisht. Cilësia e mirë “kushton”  (si të gjitha mallrat a shërbimet “firmato”). Ajo është më e shtrenjtë imediatisht, por rezulton më e lirë në afat më  të gjatë. Kosto po u nda nga cilësia e humbet kuptimin. Këtë e ilustron një “barsoletë stomatologjike”  që rastësisht e kam dëgjuar në vitet që punoja për cilësinë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë:

“Në një klinikë dentare ishin afishuar në dritare për  heqjen e një dhëmbi të prishur tre lloj çmimesh. Çmim normal, çmim “ekonomik” dhe një falas. I pari  çmimi normal ishte më i  lartë por siguronte heqjen e plotë të dhëmbit të sëmure me anestezi, pra krejt pa dhimbje për pacientin. Çmimi  “ekonomik” , ishte  relativisht më i ulet se i pari  dhe siguronte  heqjen e  dhëmbit të sëmurë por pa anestezi, pra me dhimbje. Kurse ai falas kryente heqje dhëmbësh  natyrisht me dhimbje pa anestezi, por dhe pa garantuar patjetër që do të hiqej dhëmbi i vërtetë i sëmurë ….”. Cilin çmim  prej atyre të trevë  do të donin dhe do te zgjidhnin vallë si më të mirë për ta qytetarët tanë?

…………………………………

Unë jam sot me Urdhrin e Stomatologëve, sepse në mënyrën si e lexoj dhe e kuptoj unë  ligjin që rregullon veprimtarinë dhe misionin e tyre më duket që vendimi që kanë marrë është brenda misionit të tij. Në atë ligj në nenin 4 pika 2 përfshin në mision edhe mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve të tij. Në këtë kontekst shpërblimi  i merituar për shërbimin ose me saktë rivlerësimi i tij bazuar në cilësi me duket  kauzë e drejtë e tyre. Do doja që Ministria e Shëndetësisë të mos ta shikojë  atë vendim si revoltë apo sfidë ndaj autoritetit të saj. Përkundrazi, ajo me këtë rast do jetë mirë të rishikojë rolin e vet monitorues dhe vlerësues të zbatimit të standardeve të cilësisë, atë të licencimit por edhe rolin mbështetë ( të cilin thuajse nuk e ka bërë) sidomos ndaj institucioneve publike që ka në varësi për t’i ndihmuar  ato në plotësimin e mangësive që i pengojnë  për arritjen e standardeve të akreditimit. Nëse qendrat klinikat do të mund të akreditohen, do mundësohej kështu edhe rankimi i tyre, se cila prej tyre është më e mira në raportet me rezultatet e pritshme mjekësore, cilësinë dhe çmimin.

…………………………………

Unë jam sot stomatolog, por jam edhe me pacientët e qytetarët. Edhe ata kanë nevojë, madje më shumë se profesionistët e mjekësisë për respektimin e të drejtave, për  mirëkuptim dhe mbështetje. Dhëmbi është organ me funksion autentik. Ai është jo më pak i rëndësishëm për shëndetin dhe cilësinë e jetës së njerëzve sesa organet e tjera. Në fakt një numër i madhi njerëzve tanë i kanë ato të prishur ose u mungojnë. Por në vend që të mallkojnë  ngritjen e çmimeve të shërbimeve që ata marrin nga profesionistët, duhet të ndërgjegjësohen së në tregun e liberalizuar, zgjidhja nuk është ndërhyrja me arrogancë e qeverisë për t’u imponuar profesionistëve çmimet që do ajo apo që duan klientët dhe  popullata. Ndodh që kjo bëhet për qëllime politike, populiste, fushata elektorale. Në të vërtetë ajo që po diskutohet  nuk është sa i merituar, është çmimi i ri në raport me volumin, cilësinë dhe eficencën e shërbimeve që ata realisht ofrojnë. Kjo është detyre e stomatologëve, që ata vërtetojnë ose garantojnë. Por theksi po vihet gjetkë, te shkalla e përballueshmërisë së çmimeve të reja nga popullata jonë e varfër, çka është detyrë dhe problem për t’u zgjidhur, jo nga stomatologët, por nga politika dhe qeverisja. Nëse çmimet e vendosura rishtas nga stomatologët tanë janë realisht më të larta, jo realiste, jo të merituara për nga cilësia dhe efikasiteti,  ato vetvetiu do t’i ndëshkojë tregu konkurrues i cili siç njeh fitimin dhe suksesin njeh edhe falimentimin. Po të jetë se problemi kryesor është përballueshmëria  atëherë kjo do parë në nivel të gjerë politik dhe ekonomik dhe më pak në rrafshin mjekësor.  Një mënyrë ndofta është t’i referohemi si është reaguar ndaj rritjes progresive të çmimeve të banesave nga ana e ndërtuesve, ndaj rritjes së pandalshme të çmimeve në tregun ushqimor, ato të konsumit elektrik dhe të ujit, ndaj marzhit të fitimeve të bizneseve, ndaj  pagës dhe shpërblimeve të politikanëve, të deputeteve. diplomatëve etj., të cilat edhe ato janë rritur heshturazi, pa zhurme dhe realisht nuk janë siç kanë qenë disa vite më parë.

Një mënyrë tjetër ndoshta mund të ishte rishikimi i disa investimeve prej qindra milion eurosh pa vend ose abuzive në shëndetësinë tonë. Po qe se do të të trasferoheshin  vetëm 1%  prej tyre në stomatologji, ato para do mjaftonin që qindra a mijëra bashkë atdhetar tanë të  bëheshin me të gjitha dhëmbët  prej floriri. Prandaj në vend të konfliktimit  them se është më mirë të mendohen zgjidhjet. Një e tillë p.sh mund të jetë që ajo pjesë e popullatës që nuk i përballon çmimet e reja, t’i kërkojë qeverisë t’ua mundësojë atë me anë të  mekanizmave  ligjor, rregullator fiskal dhe financiar ekzistues apo të reja. Eksperiencat në vende të tjera janë të shumta prej nga po ekzistoi vullneti mund të mësohet.

Qeveria ndoshta mund të ndërhyjë  për të vendosur çmime tavan, por jo ato dysheme të propozuara nga vetë profesionistet. Mendoj se duhet respektuar parimi që çmimin e propozon ai që prodhon dhe shet, jo ai që blen. Një zgjidhje tjetër e pëlqyeshme për popullatën mund të ishte rritja e ndjeshme e pagave minimale të punonjësve , apo një tjetër mundësi mbulimi i një sërë procedurash të kushtueshme dentare nga ana e fondit të sigurimeve shëndetësore ose mbulimi nga buxheti i shtetit i shërbimeve dentare esenciale tek personat në nevojë dhe më e rëndësishmja rifuqizimi i shërbimit profilaktik dhe edukatës e kulturës së shëndetit oral, sidomos në shkolla (që është dobësuar dhe zbehur së tepërmi). Kjo do mund të lehtësonte dhe te minimizonte paraprakisht në të ardhmen e afërt falë pakësimit të ndjeshëm të problemeve dentare, barrën financiare të shërbimit  tonë stomatologjik.

……………………………..

Mendimi  im i sinqerte është se bllokimi i vendimit të ri të Urdhrit të Stomatologëve edhe po ndodhi në gjykate nuk do jetë fitore e as në dobi të ekzekutivit, as të shoqërisë tonë. Vërtetë do kurseheshin në afat të shkurtër ca para, por do cenohej dhe dëmtohej rëndë fryma dhe kultura e autonomisë dhe funksionaliteti  i urdhrave dhe shoqatave profesionale të cilat janë ende të pa konsoliduara dhe mjaft të brishta tek ne. Ky do ishte akt jo në frymën e tregut të lirë, as në shërbim të cilësisë,  por veprim imponues i autoritarizmit shtetëror. Ai do zgjaste më tej futjen e hundës së shtetit në çështjet e brendshme etike rregullatore dhe financiare të bashkësisë së profesionistëve tanë mjekësor.

Kjo brishtësi e autonomisë së urdhrave të tillë u duk edhe me heshtjen dhe lënien vetëm në debat të Urdhrit të Stomatologëve nga ana e të tre Urdhrave  mjekësor si vëllezër të tij; Urdhrit të Mjekëve, të Infermierëve dhe të Farmacistëve. Braktisje kjo e trishtë por mjaft domethënëse ndaj kolegëve homolog dhe partner me ta.

………………………….

Edhe pse nuk kam aktualisht ndonjë dhëmb të prishur “unë  jam sot stomatolog”. Jam solidar në përpjekjen e Urdhrit të tyre për identitet, përgjegjshmëri, për më shumë autonomi  profesionale dhe vetëveprim në tregun e lirë të shërbimeve shëndetësore. Këto në funksion  të një cilësie shërbimi më të mire ndaj pacienteve dhe qytetarëve dhe të konsolidimit të mëtejshëm të demokracisë së brendshme në shëndetësinë tonë.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike

Universiteti Evropian i Tiranes

Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencës

Share: