Mbas një procesi parapërgaditor të gjatë Presidenti Putin erdhi në Serbi, ose thënë në termat gjeopolitike erdhi në ‘Rusinë e vogël’. Nuk ka vënd tjetër në këtë pjesë të botës më rusofil se Serbia. Nuk ka fuqi tjetër botërore më pro Serbe se Rusia, gjithashtu. Aleanca strategjike Ruso-Serbe vijon të jetë në linjat e aksit tradicional. Kohët e fundit kjo aleancë po forcohet. Ndërkohë, përreth këtij aksi vërtitet dilematike politika dhe diplomacia e Bashkimit Evropian. Sikundër, përballë këtij aksi qëndrojnë të paqartë ShBA, që vijojnë të lëkunden midis linjave tradicionale të Luftës së Ftohtë dhe përpjekjeve për një rendit të ri botëror.
Gjeopolitika Ruse – ‘back to the future’
Federata Ruse në drejtimin e Presidentit Putin po ndjek pricipin ‘back to the future’, pra ‘mbrapa drejt të ardhmes’. Që në krye të herës shumë studiues dhe analistë, politikanë dhe diplomatë e kanë definuar gjeopolitikën e Putin si përpjekje serioze për të rikuperuar humbjet e Rusisë tradicionale të Pjetrit të Madh, sikundër edhe ato të shpërbërjes së BRSS. Thënë ndryshe, Putini po tenton të rimarrë terrenet e humbura në gjeopolitikën Ruso-Sovjetike dhe të imponojë prezencën dhe hegjemoninë e vet në sistemin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo tentative restauratore e Putinit nuk mundësohet gjithaq nga zhvillimet e fuqizimet e brëndshme të Rusisë, sesa nga dobësitë dhe konfuzioni i rivalëve dhe kundërshtarëve të saj kryesor në Perëndim.
Tendenca restauratore gjeopolitike e Putinit në pamundësi për të zhvilluar dhe fuqizuar ekonomikisht Rusinë së brëndshmi po shfrytëzon dy mënyra kryesore: së pari, dobësitë e kundërshtarëve më të mëdhej gjeopolitik botëror, pra të BE dhe ShBA si dhe ringjalljen e lidhjeve tradicionale bazuar në racën sllave, ortodoksinë dhe ideologjinë.
Lidhur më mënyrën e parë, vërëhet qartësisht se Federata Ruse po rritë agresivitetin e vet me rrugë dhe metoda të sofistikuara për prezencën dhe ndikimin e saj në jetën politike të ShBA. Debati në vazhdim për ndikimin Rus në zgjedhjet e fundit presidenciale të ShBA, edhe nëse mund të jetë fiktiv ose i ekzagjeruar (kjo ngelet për t’u provuar), sërish ka zënë vënd të konsiderueshëm në përceptimin e gjërë të opinionit publik Amerikan dhe botëror. Në hapsirën gjeopolitike të BE, përceptimi në rritje është se Federata Ruse po qëndron më së shumti prapa cdo krize të brëndshme të organizatës. Brexit, rritja e euroskepticizmit, gjallërimi i lëzivjeve populiste dhe nacionaliste, konsiderohen si të mbështetura nga Rusia.
Lidhur me Balkanin Perëndimor vizita e Putinit në Beograd qartësoi publikisht pozicionet e Rusisë. Rusia po ndërhyn haptazi në Ballkanin Perëndimorë për frenimin e zgjerimit të BE dhe NATO. Pikpamja Ruse është së politika e Perëndimit, BE, NATO dhe ShBA, me strategjinë e zgjerimit po e destabilizojnë Ballkanin Perëndimorë. Rusia e akuzon Perëndimin se tërhoqi forcërisht Malin e Zi në NATO, se bëri ndërhyrje të sforcuar për Marrëveshjen e Prespës për të integruar Maqedoninë në NATO dhe BE si dhe kritikoi Greqinë për shërbimin ndaj interesave Perëndimore në Ballkanin Perëndimorë. Me pak fjalë Rusia u deklarua botërisht se është kundër politikave Perëndimore në Ballkanin Perëdimorë, se do bëjë gjithcka për të penguar integrimin e këtij rajonin në BE dhe NATO. Serbia është ‘leva e Arkimedit’ për realizimin e synimeve Ruse në këtë rajon.
Tendenca restauratore gjeopolitike e Putinit ka një mbështetje të dukshme dhe në rritje të opinionit të gjërë publik në Federatën Ruse. Sondazhet e kryera në fund të vitit 2018 nga ‘Qendra Levada’ në Rusi tregojnë që rënia e Bashkimit Sovjetik konsiderohet një arsye për t’u turpëruar nga 45 përqind e rusëve. Nga 28 përqind që ishtë në mesin e vitit 2015 turpërimi për rënien e BRSS është rritur thuajse dyfish, ose baraz-krahasuar me nivelet e viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000.
Reagimi i vetëm pozitiv më popullor në Rusi është turpërimi për dështimin e Rusisë për të zhdukur varfërinë, që ka një dominim opinional me 61 përqind dhe që shpreh pakënaqësi edhe ndaj politikave ekonomike të Presidentit Putin. Ndërkohë, sipas sondazheve, Rusët ndjehen krenarë në masën 45 përqind për përfshirjen e Krimesë si pjesë të Federatës Ruse. Ky tregues është shumë sinjifikativ për gjeopolitikën restauratore të Putinit. Pra, parimi ‘back to the future’ duket se gëzon një mbështetje opinionale në rritje në mjediset Ruse. Ky tregues inkurajon afensivën gjeopolitike të Presidentit Putin.
Serbia, ‘Kali i Trojës’ së Rusisë në Ballkan
Një nga mënyrat më efikase për zbatimin e parimit ‘mbrapa drejt të ardhmes’ është ringjallja e lidhjeve tradicionale të bazuar në racën sllave, ortodoksinë dhe ideologjinë pan Ruse. Vizita e fundit e Presidentit Putin në Serbi është prova më e dukshme për këtë. Putini erdhi në Serbi njëlloj si në ‘Rusinë e vogël Ballkanike”. Nga ana tjetër, serbët e konsideruan Putinin si lideri botëror politik e shpirtëror i tyre, si shpresa për mbështetjen e interesave kombëtare dhe pozitave ndërkombëtare të Serbisë.
Serbia pret shumë nga Rusia ekonomikisht dhe strategjikisht. Ndërkohë që Rusia pret nga Serbia vetëm që të mos aplikojë sanksionet e BE kundër Rusisë dhe të vijojë netralitetin ndaj NATO strategjikisht. Putin përpiqet që të lidhë Rusinë më shumë me shtetin e vetëm rusofil në Evropë. Ekonomikisht Putini nuk ka cfarë t’i ofrojë Serbisë. Paradoksalisht edhe gazi rus është në Serbi më i shtrenjtë se në Gjermani. Dhe premtimet për kalimin e gazsjellësve Rusë nëpër territorin e Serbisë janë akoma endrra në sirtar. Putini po përpiqet që me investime të pakta ekonomike të arrijë objektiva të mëdha politike brënda Rusisë dhe gjeopolitike jashtë Rusisë.
Në rafshin strategjik Serbia pret shumë nga Rusia. Aleanca tradicionale Ruso-Serbe ka qënë historikisht aleancë ushtarake. Ndërkohë që Rusia është e kënaqur vetëm me neutralitetin strategjik të Serbisë. Ky neutralitet strategjik konsiderohet sukses i madh Rus kundër zgjerimit të NATO në Ballkanin Perëndimorë. Dhuratat e premtuara strategjike Ruse për Serbinë, si avionët ushtarak MiG-29, tanket e pajisje të tjera ushtarake janë paguar paraprakisht nga Serbia. Ndërkohë ‘Baza Humanitare e Nishit’, me synimin për ‘status diplomatik’, synon t’i bëjë karshillët ‘Bazës Ushtarake të Bon Steel’ në Kosovë.
Për bashkëpunimin e gjërë bilateral Ruso-Serb, në Beograd u nënshkruan 21 marrëveshje bashkëpunimi. Letra shumë, para pak. Marrëveshjet lidhen me bashkëpunimin mes universiteteve, me energjinë atomike, me hekurudhat etj. Mirëpo ekonomia Ruse e tkurrur nga kriza dhe nga sanksionet nuk afron gjë për të qënë për Serbinë. Rusët vetë më së shumti janë kritik për gjëndjen ekonomike të tyre. Prandaj Putin në rafshin ekonomik synon kryesisht të kufizojë efektin e sanksioneve ekonomike të BE për shkak të Krimesë, duke bërë diversion me shtete te vecanta, midis të cilëve me Serbinë. Putin e propogandon Serbinë në vendin e vet si arritje të madhe të politikës së tij me një shtet pranë antarësimit në BE.
Serbia vijon të bëjë një zgjedhje të sforcuar dhe artificiale midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian. Është kjo një zgjidhje pa të ardhme. Herët ose vonë Serbia do të duhet të përputhë politikën e saj të jashtme me atë të BE. Serbia është në procesin e negocimit për antarësim me BE. Kapitulli 31 i negociatave për anëtarësim në BE parashikon një politikë të përbashkët të jashtme. Pra, ky kapitull e detyron Serbinë që t’i pranojë sanksionet kundër Rusisë. Përndryshe Serbia nuk anëtarësohet në BE. Pa anëtarësim në BE, rruga e prosperitetit ekonomik të Serbisë ngushtohet. Prandaj cdo hap i Serbisë drejt afrimit me BE është në thelb një hap drejt largimit nga Rusia. Serbia nuk mund të rrijë gjatë në dilemën BE-Rusi. Serbia e din mirë se mund të anëtarësohet në BE vetëm nëse do respektojë sanksionet e futura nga BE kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë.
Të vetëdijshëm se politika Serbe do rrëshqasë drejt BE, Rusia dhe Serbia firmosën një marrëveshje të vecantë midis dy ministrave të jashtëm që parashikon planin për konsultime midis dypalëshe për periudhën 2019-2020. Kjo marrëveshje imponon që Serbia, së paku për dy vjet, të mos aplikojë sanksione ndaj Rusisë.
Këtë fakt e vëren edhe vetë Vucic, i cili shprehet për paqartësitë e BE lidhur me kapitullin 31. Në këtë periudhë paqartësie dilematike, mesa duket Vucic ka vendosur të ndjekë politikën me dy vektorë BE-Rusi. Për këtë shërbim rusofil Vucic u nderua me dekoratën e lartë Ruse, njëlloj si Pashici. Vucic dhe Pashic qëndrojnë në një nivel vlerësimi nga Rusia. Kohë të ndryshme, vlerësime të njëjta, liderë të përafërt.
Projekti Rus – Kosova si ‘krizë e ngrirë’
Në aspektin e interesave kombëtare Serbët presin shumë nga Presidenti Putin. Në mënyrë të vecantë Serbët shpresojnë shumë që Kosova të mbetet në Serbi. Gjatë vizitës së fundit të Presidentit Putin në Beograd, qështja e Kosovës zuri vënd të dukshëm në agjendën e bisedimeve dhe të deklarimeve publike. Presidenti Putin u shpreh qartazi kundër pavarësisë së Kosovës, duke e quajtur atë si një veprim i njëanshëm dhe kundër të drejtës ndërkombëtare. Me këtë deklaratë Putin injoroi opinionin këshillimor të Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë të 11 Korrikut të vitit 2010, opinion i cili e konsideroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës jo në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Presidenti Rus u deklarua pro qëndrimeve Serbe ndaj Kosovës. Ai tha prerazi se Rusia do vijojë ta mbështesë këtë qëndrim Serb dhe se nuk mund të ketë zgjidhje të qështjes së Kosovës pa pjesëmarrjen e Rusisë. Gjithashtu, Putin thekoi se Rusia do mbështesë cdo qëndrimin Serb në marrëveshjen me Kosovën në kuadër të Rezolutës 1244 të KS të OKB.
Zgjidhja që ofroi për Kosovën Presidenti Putin është mos-zgjidhja. Opsioni Rus është bllokimi i qështjes së Kosovës në një status quo pa kurrëfarë afati kohor. Kosova për Rusinë është një qështje e mbetur pezull. Ose më saktë, thënë në termat gjeopolitike Ruse, ’Kosova të mbetet krizë e ngrirë’ sikundër janë përreth Rusisë, Osetia Jugore, Apkazia, Nagorni-Karabaku.
Presidenti Rus, Vladimit Putin nuk shpalosi asnjë lloj opsioni të ri në adresimin e qështjes së Kosovës. Putini vetëm ushqeu me lugë të zbrazur Serbinë, duke njohur sensibilitetin politik dhe opinional të Serbëve. Ndërkohë mediat kanë theksuar se një opsion i mundshëm i mbështetur në prapaskenë nga Rusia është ai i shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, që mediatikisht është mbështetur nga presidentët e dy vëndeve, Kosovës dhe Serbisë.
Gjithsesi, mesa duket diplomacia Ruse do vijojë ta mbajë qështjen e Kosovës në agjendën e saj diplomatike për tre arsye kryesore: si kazus për ta mbajtur të përcarë dhe të tensionuar Ballkanin Perëndimorë; si mjet presioni dhe diversioni përkundër BE dhe politikave të saj të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor; dhe si tit-for-tat, pra si mjet shkëmbimesh interesash në marrëdhëniet gjeopolitike me ShBA.
Serbia, model Rus apo Perëndimor
Fjalët më të munguara në mendimet, qëndrimet dhe materialet e firmosura gjatë vizitës së Presidentit Rus, Vladimir Putin në Beograd ishin ‘demokracia’, ‘të drejtat e njeriut’, ‘integrimi’. E gjithë vizita nuk mbante erë demokracie, pluralizmi, të drejta njeriu, enonomie tregu të lirë, mirëqeverisje. Gjithcka mbante erë modeli Rus, që nga protokolli dhe ceremoniali e deri te përmbajtja dhe aktet formale.
Ky shqetësim u vu në dukje nga shumë organizatat për të drejtat e njeriut në Serbi. Organizatat jo qeveritare në Serbi tërhoqën vëmendjen se Serbia po ndjek modelin Rus, të një lidershipi autoritarist larg nga modeli demokratik Perëndimor. Ato theksuan se modeli autoritarist i Putinit nuk mund të jetë një model lidershipi për udheheqjen Serbe.
Organizatat jo qeveritare në Serbi shfaqën frikën e tyre se vizita e Presidentit Putin në Serbi mund të cojë në braktisjen e reformave dhe integrimit Evropian të vëndit. Sipas mediave, shumë OJQ prestigjioze serbe kanë frikë se vizita e Presidentit Rus po tregon se Serbia është e gatshme të sakrifikojë respektimin e të drejtave të njeriut dhe një standart më të mirë prosperiteti të shoqërisë Serbe për hir të marrëdhënieve të mira me Moskën. Shumë OJQ në Serbi, gjithashtu janë të mendimit se vizita e Putinit do rrisë autoritarizmin e Presidentit Vucic në Serbi si dhe do dobësojë institucionet demokratike, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, nën arsyetimin e miqësisë tradicionale Serbo-Ruse.
Me 17 janar 2019 Presidenti Putin erdhi në Serbi. Ishte një rrikthim në ‘Rusinë e vogël’. Rusofilia Serbe dhe serbofilia Ruse dominuan gjithë vizitën. U duk qartë se nuk ka vënd tjetër në këtë pjesë të botës më rusofil se Serbia. Nuk ka fuqi tjetër botërore më serbofile se Rusia. Aleanca strategjike Ruso-Serbe vijon të jetë në linjat e aksit tradicional. Kohët e fundit ky aks po forcohet. Ndërkohë, përreth këtij aksi vërtitet plot dilema Bashkimi Evropian. Sikundër qëndrojnë të paqartë ShBA, që po lëkunden midis linjave tradicionale të Luftës së Ftohtë dhe përpjekjeve për një rendit të ri botëror. Vizita e djeshme e Presidentit Rus, Putin në Serbi nuk shënoi asgjë të re nga aleanca e vjetër.