Rikthehet operacioni policor “Forca e ligjit”, pas apelit publik që ambasadori i BE, Soreca i bëri ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Policia njoftoi sot se në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar llogaritë bankare me vlerë 5.2 milionë euro të dy personave. Po kështu janë sekuesteuar edhe 7 apartamente, pasi ka dyshime se paratë dhe investimet kanë ardhur nga aktiviteti kriminal.
Deklarata e policisë nuk përmban emrat e personave që iu janë sekuestruar para dhe pronat:
“Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, sekuestrohen rreth 5.2 mln euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale
Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar 2019.
Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale rreth 5.2 milione Euro dhe 7 apartamente”./opinion.al