Home KRYESORE Saga “Balili” / Ra mburoja politike apo ranë provat kundër tij?

Saga “Balili” / Ra mburoja politike apo ranë provat kundër tij?

“Klement Balili është një bos i krimit të organizuar me lidhje politike. Prej dy vitesh, policia dhe prokuroria nuk kanë mundur dhe nuk kanë patur vullnetin për ta arrestuar atë”.

Kjo është një prej deklaratave të fundit të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Ai foli gjatë konferencës së prezantimit të bilancit 6-mujor të operacionit “Forca e Ligjit” në korrik të 2018. Në këtë muaj mbusheshin dy vite që nga dalja në skenë e emrit të Klement Balilit, i pagëzuar nga mediat greke edhe me emrin “Eskobari i Ballkanit”.

Si kryediplomat i përfaqësisë diplomatike më të fuqishme në Tiranë Donald Lu duhet të ketë qenë në dijeni se nga buronte mburoja politike për Klement Balilin. Por për shqiptarët asnjëherë s’u mor vesh qartësisht për këtë, falë edhe zotësisë së klasës politike për t’ia shitur herë mazhorancës, e herë opozitës.

Si përfundoi emri i Klement Balilit nga një person i panjohur në emrin më të lakuar në 3 vitet e fundit? Në prill të 2016, një aksion i gjerë kundër trafikut të drogës me nismë të autoriteteve greke dhe ndërmarrë në disa vende të Europës përfundoi me mbi 20 persona të arrestuar në Greqi, Bullgari dhe Belgjikë. Pjesa më e madhe e arrestimeve ndodhi në Greqi dhe mes tyre kishte disa shtetas shqiptarë.

Por, të ndaluarit ishin vetëm korrierët e ngarkesave dhe për kokën e trafikut autoritetet greke, ndihmuar edhe nga një dosje voluminoze prej 10 mijë faqesh nga DEA amerikane hidhnin sytë nga Shqipëria.

Grekët pohonin se nga dëshmitë e personave të ndaluar dhe nga tabulatet telefonike të kryera prej tyre, emri i personit të cilësuar si organizator i trafikut ishte 45-vjeçari, Klement Balili dhe në maj të po atij viti e shpallin në kërkim. Në Greqi, ky emër nuk kishte ndonjë domethënie, përveç faktit që akuzohej për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe u cilësua si “Eskobari i Ballkanit”, por në Shqipëri gjërat ishin ndryshe.

Hoteli i Balilit në Sarandë

Klement Balili ishte një emër me lidhje politike dhe në kohën kur besohet se ka organizuar në drejtim të Greqisë trafikun e hashashit mbante postin e Drejtorit të Transporteve në Sarandë dhe veç kësaj, konsiderohej edhe si një biznesmen i suksesshëm, aq sa në përurimin e hotelit të famshëm “Santa Quaranta” politikanët nuk munguan.

Megjithatë, edhe për publikun shqiptar Balili pak njihej përtej Sarandës e Delvinës, por do të bëhej i famshëm vjeshtë-dimrin e 2016, kur për të dhe dosjen në ngarkim të tij do të fliste media në Greqi dhe Shqipëri. Fillimisht shtypi grek dhe më pas edhe mediat në Shqipëri hamendësonin në fillim të dhjetorit të 2016 se dosja në ngarkim të Klement Balilit po zvarritej qëllimisht nga Tirana.

Dosja ishte dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, që duhet të bënte përkthimin dhe certifikimin si prova ligjore për legjislacionin shqiptar të dosjes greke. Në atë kohë qeveria ishte një koalicion mes PS-së dhe LSI-së dhe në krye të Ministrisë së Drejtësisë ishte Ylli Manjani. Përmes rrjeteve sociale, ai hidhte poshtë akuzat se dosja qëndronte prej disa muajsh pezull në sirtarët e dikasterit të tij.

“I surprizuar nga përhapja e një lajmi mbi vonesat e dosjes se Klement Balilit. Dua t’u bëj me dije se që prej ditës së djeshme, (06 dhjetor 2016) Prokuroria shqiptare ka në dispozicion dosjen e përkthyer zyrtarisht. Ministri i Drejtësisë është autoriteti ligjor që përkthen dhe certifikon përkthimet ligjore. Dokumentat origjinale në gjuhën greke ne i kemi marrë zyrtarisht, më datë 14 Nëntor 2016. Kjo dosje ju përcoll ashtu siç ishte brenda ditës Prokurorisë. Kjo e fundit i regjistron këto dokumenta në dosjen hetimore. Më datë 16 Nëntor, është sjellë në Ministri, nga Prokuroria kopja e dosjes për t’u përkthyer zyrtarisht. Procedurë e kërkuar nga ligji”, reagoi ministri i asaj kohe.

Ylli Manjani

Tre ditë pas kësaj deklarate të Ylli Manjanit në media shfaqej vëllai i Klementit, Hektor Balili. Deklaronte se ndaj Klementit nuk kishte një urdhër arresti dhe se gjithçka ishte lojë politike, duke shtuar akoma më shumë mjegullnajën që qarkullonte rreth kësaj çështjeje. Në mes të dhjetorit të 2016, emri i Klement Balilit do të përmendej për herë të parë, të paktën publikisht nga ambasadori amerikan, Donald Lu që do të vinte pikat mbi “I” dhe do të zhdukte edhe dilemat më të vogla që kishin mbetur nëse ai ishte shpallur në kërkim apo jo.

“Politikanë nga e majta dhe e djathta u kanë kushtuar vëmendje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar, kriminelëve të mëdhenj dhe madje edhe trafikantëve të drogës. Kanë kaluar 7 muaj që kur policia greke ka arrestuar trafikantët e lidhur me Balilin. Tani janë 10 000 faqe dokumentacion. Agjencitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë thënë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta arrestojnë Balilin. Nëse nuk kapet Balili, si do të mund të shkojë pas peshqve të tjerë të mëdhenj drejtësia shqiptare? Kush do ta besonte se ky është vend serioz në luftën kundër trafikut nëse nuk procedohen peshqit e mëdhenj?”, deklaronte ambasadori amerikan gjatë një aktiviteti të organizuar më tematikë shtetin ligjor dhe luftën kundër trafiqeve të ndryshme.

Saimir Tahiri, në atë kohë ministër i Brendshëm zotohej publikisht dy ditë pas kësaj deklarate të Donald Lu, se ditët e lirisë për Klement Balilin ishin të numëruar.

“Klement Balili nuk ka asnjë shpresë t’i shpëtojë arrestimit sado të fshihet skutave e ferrave të zonës ku ka vendosur t’i bëjë rezistencë forcës së ligjit. Është i mbaruar dhe fundi i tij do të jetë aty ku kanë përfunduar shumë të tjerë përpara tij”, deklaronte ai, duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, për dështim të Policisë së Shtetit në prangosjen e Balilit.

Nga opozita ish-Kryeministri Sali Berisha fliste më drejtpërdrejtë. Ai kishte deklaruar vazhdimisht se kush po e mbronte Klement Balilin dhe kujdesej, që në postimet e shpeshta, kryesisht përmes Facebook ta lidhte atë me LSI-në dhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në fund të janarit të 2017, Edi Rama shkarkon Ylli Manjanin pas kalvarit të gjatë të përplasjeve mes tyre. Kritikat e ish-ministrit të Drejtësisë ndaj qeverisë ku bënte pjesë, të paktën ndaj gjysmës socialiste të saj ishin ashpërsuar ndjeshëm. Pas shkarkimit, Manjani, që u zëvendësua nga Petrit Vasili shpërthen edhe më tej.

“Nuk është rastësi që bashkohet emri im me dosjen e Klement Balilit. Ndërkohë që në Tiranë lidhej emri im me Klement Balilin, ministrat flinin me dashnoret te Santa Quaranta”, deklaronte ai.

Edi Rama dhe Ilir Meta

Edi Rama publikisht kishte heshtur për këtë çështje, ndërsa Ilir Meta, që në atë kohë mbante postin e kryetarit të Kuvendit, deri në shkurt të vitit 2017 qëndroi i distancuar. Pikërisht në këtë periudhë flet në Top Channel. E kishte vënë re angazhimin e Sali Berishës në këtë çështje dhe i kujton ish-kryeministrit të shkuarën si demokrat të Klement Balilit.

“Kam dëgjuar edhe nga Doktori, i cili është marrë shumë me këtë çështje, por ai harron që personi në fjalë ka qenë në të kaluarën një aktivist i PD-së. Ai ka qenë në të drejtën e tij të shkojë apo të kalojë te një parti tjetër. Kjo është puna e tij”, deklaronte Meta.

Më tej, në atë kohë edhe kryetar i LSI-së, Meta flet pa komplekse dhe mbron kryebashkiakun e Delvinës, një i afërm i Klement Balilit, që kishte kandiduar dhe fituar nën siglën e LSI-së për këtë bashki.

“Po kështu, dua t’ju them që unë nuk jam për dënime kolektive. Kjo do të thotë që nëse personi në fjalë ka probleme me ligjin, me DEA-n, me Greqinë apo me Shqipërinë, të përgjigjet para ligjit. Ai duhej të ishte përgjigjur dje dhe jo sot, aq më tepër nesër. Unë nuk kam asnjë kompleks pse një i afërm i tij, një djalë i ri, është kryetar i bashkisë së Delvinës. Ai të paktën vetingun që kemi bërë ne para caktimit të kandidatëve për në zgjedhjet vendore, e ka kaluar me sukses dhe është tërësisht i rregullt. Çdo njeri duhet të paguajë vetë për shkeljen e ligjit dhe për problemet që ka me ligjin apo me shoqërinë. Koha e dënimeve kolektive ka ikur”, shtonte më tej.

Në ato ditë, Ilir Meta kishtë kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një lëvizje e interpretuar si e paprecedentë. Dha arsyet se përse e kishte bërë këtë.

“E kërkova, sepse ky ka qenë një shqetësim i SHBA-së, i cili është bërë publik fuqishëm edhe nga ambasadori Lu, nëse e keni parasysh, para disa javësh në një konferencë me Avokatin e Popullit dhe ajo që më bëri përshtypje është se në takimin që pata me Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit, i cili mbulon luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të drogës dhe njëkohësisht, edhe programet e drejtësisë, siç është dhe programi që ne kemi me OPDAT-in në të gjithë botën, kemi pasur një marrëdhënie dhe një bashkëpunim shumë të mirë dhe në këtë rast kemi pasur një bisedë të shkëlqyer dhe i vetmi shqetësim konkret që ai më ka ngritur për të ardhmen, ka qenë mosarrestimi i Klement Balilit me emër, një shqetësim i agjencive ligjzbatuese amerikane, që ka të bëjë me raportin mes dy vendeve dhe besueshmërinë në këtë luftë”, sqaroi Meta në intervistën dhënë për emisionin Top Story.

Donald Lu

Ditët e muajt kalonin dhe sa më shumë zgjatej në kohë arratia e Klement Balilit, aq më pak nisi të flitej për të në publik. Vendi kishte sfida të tjera më të rëndësishme përpara, po ashtu si Ambasadori Donald Lu. Saimir Tahiri që akuzohej nga opozita për kanabizimin e vendit në 2016, nuk ishte më ministër i Brendshëm dhe barra për arrestimin e Balilit i kaloi Fatmir Xhafajt. Ishte periudha e vështirë e miratimit të ligjeve, sidomos vettingut dhe ngritjes së institucioneve të reformës në drejtësi, por edhe zgjedhjet e përgjithshme, që u kërcënuan nga bojkoti i PD-së që protestonte në çadër.

Donald Lu i la mënjanë “peshqit e mëdhenj” dhe Kelment Balilin duke përqendruar energjitë se bashku me ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Brukselit në shpëtimin e zgjedhjeve të vendit. PS do të qeveriste e vetme nga shtatori 2017, kur në qeverinë e re ministër i Brendshëm u vendos Fatmir Xhafaj. Kur Xhafaj nuk kishte mbushur ende një muaj në këtë pozicion, Donald Lu i rikthehet çështjes së Klement Balilit dhe “peshqëve të mëdhenj”. Veç Balilit, flet edhe për katër klane dhe 20 familje mafioze në Shqipëri.

“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Magjistari Klement Balili prej 18 muajsh kërkohet nga Greqia dhe DEA e SHBA, por ia ka dalë të shpëtojë falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë”, deklaronte ambasadori në 20-vjetorin e themelimit të Shkollës së Magjistraturës.

Kryeministri Edi Rama i jepte plotësisht të drejtë Donald Lu, por arsyet e mosarrestimit të Klement Balilit i gjente tek lidhjet e forta politike që kishte. Rama përjashtonte partinë e tij dhe sa herë që përmendte në publik emrin e Balilit, kujdesej që të nënkuptonte lidhjen e tij me LSI-në.

“Ky ishte drejtor, i lidhur politikisht, siç tha ambasadori dhe politikisht i promovuar drejtor dhe çuditërisht, jo drejtor peshkimi, por drejtor transporti. Sot është në kërkim dhe patjetër që në bashkëpunim me partnerët, më herët se vonë, ai do të kapet”, deklaronte Kryeministri.

Klemend Balili

Në nëntor, prokuroria urdhëroi sekuestrimin e pronave të Klement Balilit. Mes aseteve të sekuestruara ishte edhe i famshmi hotel “Santa Quaranta”. Pak kohë më vonë do të niste zyrtarisht procesi i Vettingut. Tek ky proces Donald Lu shpresonte që të ngriheshin strukturat e drejtësisë në gjendje që të luftonin krimin e organizuar dhe të nxirrnin para ligjit edhe Klement Balilin. Në prill të 2018, në një intervistë për emisionin “Opinion” në televizionin Klan, Donald Lu i rikthehet çështjes “Balili”. Ndryshe nga herët e tjera, duket më optimist dhe me siguri për vendndodhjen e Klementit.

“Klement Balili fshihet në Shqipëri dhe këto ditë do të arrestohet”, deklaronte ai.

Kaluan ditë, javët dhe muajt dhe asgjë në horizont. Në ditët e para të këtij viti qarkulloi në media në formën e një thashethemi një lajm me burim Prokurorinë për Krimet e Rënda. Në të thuhej se dosja në ngarkim të tij ishte gati, se provat për të dënuar ishin të mjaftueshme dhe se shumë shpejt ajo do të përfundonte në gjykatë edhe në mungesë të të akuzuarit.

Klement Balili nuk priti që dosja të gjykohej në mungesë të tij dhe këtë të martë (15 janar) u vetëdorëzua. Vetëdorëzimi i tij lidhet mbërrin pas të paktën 3 operacioneve të dështuara të Policisë së Shtetit në zonën e Delvinës dhe Sarandës. Janë të famshme dy prej tyre, që morën vëmendje mediatike e ku u përfshinë masivisht edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA. Por, në të gjitha rastet forcat speciale u kthyen duarbosh dhe pati zëra për dekonspirim të operacioneve të tyre për kapjen e Klement Balilit.

Nëse do të flasim me termat e ish-ambasadorit Donald Lu, “peshku i madh Klement Balili i politikës” u prangos në një moment delikat të politikës shqiptare, të përfshirë në një sherrnajë publike të pashembullt mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama. Pyetja që lind është: a ra mbrojtja politike për “Eskobarin e Ballkanit”, apo ai është i bindur në pafajësinë e tij?

Koha do të provojë nëse Klement Balili do të dënohet, apo do të shpallet i pafajshëm – shkruhet në analizën e portalit “Gazeta Si”.

k.a. / dita

Share: