Studentët vijojnë protestën e tyre, kundër Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku kërkojnë përmbushjen e 8 kërkesave themelore të tyre.
Në kushtet kur kërkesat e tyre vijojnë të mos plotësohen, një grup nga këta studentë por edhe pjesëmarrës nga emigrantët, kanë marrë nismën më të fundit, për krijimin e një partie të re.
Sipas një njoftimi të mbërritur në adresë të “Fax News”, mësohet se “Partia do të quhet “Shpresë për Shqipërinë”. Kjo parti nuk do të ketë një kryetar, por një Këshill Kombëtar Koordinatorësh.”
Njoftimi:
Përshëndetje. Disa studentë, me mbështetjen e emigrantëve dhe intelektualëve kanë marrë nismën për të themeluar një Parti të re Politike. Partia do të quhet “Shpresë për Shqipërinë”. Kjo parti nuk do të ketë një kryetar, por një Këshill Kombëtar Koordinatorësh. Kjo parti është një parti e frymëzuar nga studentët, e iniciuar nga disa prej tyre, por që synon të ngjallë shpresën e shqiptarëve dhe të marrim frenat e vendit në dorë. Nisma jonë synon të hedhë poshtë këtë klasë politike dhe ti japë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit pafund. Ne kërkojmë që ti kthejmë shpresën shqiptarëve, të ngjallim dëshirën dhe ëndrrën që një ditë ky vend do bëhet. Kërkojmë nga ju, që brenda mundësive të shpalosim platformën tonë në median tuaj.
Ju falenderojmë!
(B.B/ Faxweb.al)