Home KRYESORE CEZ/ Balla: I qëndroj akuzave; Berisha: Balla udhëton me trafikantë droge

CEZ/ Balla: I qëndroj akuzave; Berisha: Balla udhëton me trafikantë droge

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje sot Prokurorisë të mos ndërpresë hetimet për çështjen CEZ. Balla e bëri deklaratën pasi doli nga Prokuroria, ku tha se dëshmitari kyç i çështjes, Nue Kalaj, ndodhet në Kosovë dhe kandidon për anëtar të Komunës së Prizrenit.

“Prokuroria të mos pushojë çështjen ndaj Berishës dhe Kalajt për të cilët ne kemi bërë një kallëzim penal. Qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 mln euro me kompaninë CEZ. Duhet të përdor këtë moment dhe i bëj thirrje Prokurorisë të vijojë hetimet dhe kjo dosje ti vihet në dispozicion Prokurorisë Speciale që pritet të krijohet. Nuk mund të na thotë Prokuroria që nuk gjejmë Ndue Kalajn ku është kandidat për anëtar në Komunën e Prizrenit. Ne nuk jemi si ata, pasi çdo akuze dhe çështje i shkojmë deri në fund. Akuzat që kemi ngritur qëndrojnë plotësisht”- tha Balla.

I mënjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Shkëlzen Berishës, i cili i konsideroi akuzat si shpifje të Ballës, që kërkon të fshehë dështimin në komisionin hetimor në këtë çështje, si edhe konceisionet që ka dhënë qeveria e tij.

“Nuk ka asnjë provë që pretendohet për evazionin fiskal. U përpoq të rikthente vëmendje në komisionin e dështuar parlamentar, që ai e udhëhiqte. Ai më akuzonte me udhëtime për persona që unë nuk i njihja. Balla ka udhëtuar me trafikantë droge. Si ka mundësi që taksat e taksapaguesve shqiptarë nuk shkojnë për studentët, por shkojnë tek një person që nuk merr pjesë fare në tender. Mazhoranca nuk e heton. Dalin nëpër televizione dhe gënjejnë se ka një masë sigurie në  gjykatë, ndërkohë që nuk ekziston. Beteja ligjore vijon”, tha Shkëlzen Berisha.

Share: