Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Ibrahim Biçakçiu/ Nga kryeministër në pastrues banjosh prej komunistëve!

Ibrahim Biçakçiu/ Nga kryeministër në pastrues banjosh prej komunistëve!

“Kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë, për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomi, si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar”

Një burrë i gjatë, veshur me uniformën e komunales me çizme llastiku, shfaqej çdo ditë para markatës së Elbasanit, me një fshesë në dorë. Ishte Ibrahim Biçakçiu, pastruesi i banjave të qytetit. Ata që e jetuan atë kohë e mbajnë mend mirë Ibrahimin, sepse kishte qenë kryeministri i Shqipërisë, që komunistët e kishin kthyer në një punonjës të rëndomtë. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Të afërmit e Ibrahimit rrëfejnë se kur kthehej nga puna si pastrues i banjave, Ibrahimi vishej si zotëri dhe vazhdonte të lexonte literaturën që kishte mundur të shpëtonte nga bastisjet  komunistëve.

Ibrahim Biçakçiu kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomisë si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja: gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ibahim Biçakçiu u kthye në Shqipëri pas studimeve në Vjenë. Në 1926, ndërroi jetë i ati, Aqif Pashë Biçakçiu, dhe Ibrahimi mori nën administrim pasuritë e të atit.

Biçakçiu ishte pronar i disa fermave, fabrikës së prodhimit të cigareve “Elbasani” (Flora) në Tiranë, dhe kafe “Flora” (këtu ka punuar dhe Enver Hoxha). Ishte pronar i shoqërisë tregtare “Ibrahim Biçakçiu”, bashkëthemelues i Shoqërisë “Albiger” që merrej me tregtinë Shqiptaro-Italo-Gjermane. Së bashku me Ahmet Ndroqin dhe Renzo Brunori-n, zotëronte rreth 2500 ha tokë, disa shtëpi rezidenciale dhe disa magazina.

Pas një përvoje të gjatë në administrimin e pasurive të familjes, Ibrahimi u angazhua në politikë në vitin 1937, kur u zgjodh deputet i pavarur i Elbasanit. Pas një shkëputje, Ibrahimi u kthye në vitin 1943, si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, kryeministër i vendit në një fazë tranzitore, kur komunistët po merrnin pushtetin.

Me të ardhur në pushtet, komunistët nisën goditjen e personaliteteve më të larta të Shqipërisë, duke vrarë e burgosur të gjithë elitën politike dhe intelektuale të asaj kohe. Në prill të vitit 1945, në Tiranë, u zhvillua gjyqi special, ku u gjykuan rreth 60 politikanë, ushtarakë, intelektualë, ndër të cilët ishte i akuzuar edhe Ibrahim Biçakçiu. Akuzoheshin si tradhëtarë të atdheut. Gjyqi special u zhvillua në ish-kinema “Kosova”, sot Teatri Kombëtar dhe gjyqi u drejtua nga Koçi Xoxe. Në atë gjyq, Ibrahim Biçakçiu u dënua me vdekje.

Por në atë kohë, elita e kohës në Elbasan hartoi një peticion, ku kërkoi t’i falej jeta, duke argumentuar se Ibrahim Biçakçiu ishte pinjoll i një familje patriotike dhe bamirëse. Ata garantuan se Ibrahim Biçakçiu nuk kishte pasur kurrë veprimtari kundër popullit të tij. Më pas, Ibrahim Biçakçiu u dënua me 18 vite burg. Pjesën më të madhe të burgut e kaloi në burgun e Burrelit, atje ku ishte e përqëndruar e gjithë elita e intelektualëve të dënuar nga regjimi diktatorial komunist.

Ibrahim Biçakçiu doli nga burgu në 5 maj të vitit 1962. U kthye në Elbasan, ku u caktua nga regjimi komunist si punonjës i varrezave të qytetit. Pas disa vitesh, Ibrahimi u caktua në ndërmarrjen komunale për pastrimin e banjave të qytetit, ku punoi deri më 4 janar 1977, ditën kur u nda nga jeta.

Zotëria që pastroi banjot e Elbasanit

Ibrahim Biçakçiun e njihnin të gjithë në Elbasan sepse ishte i biri i Aqif Pashë Biçakçiut. Personalitet i shquar, kryetar i Kongresit të Lushnjes, si dhe një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Kushërira e tij, Dudush Biçaku, rrëfen:

“Ishte e rëndë për ne kur e shikonim Ibrahimin plak që pastronte banjat e qytetit. Sapo vinte në shtëpi, pikërisht ky pastrues, bisedonte në gjermanisht me babën tim. Të dy kishin studiuar në Vjenë dhe bisedat e tyre ishin të nivelit të lartë. Ne gratë kujdeseshim sa të mundeshim për të, duke e pastruar dhe larë. E megjithëse ishte pastrues i banjave, Ibrahimi e mbante veten shik. Pasi lahej, ai shpesh vendoste kravatë”. Ajo tregon se të qenit pastrues i banjave, ishte si dënim që i bënë Ibrahimit. Më parë ai punonte roje i varrezave të qytetit. Por, teksa bëhej një ceremoni e varrimit të një personaliteti, në një gazetë doli një fotografi, ku në sfond dukej Biçaku. Kaq mjaftoi që nga roje varrezash, ta “ulnin në detyrë” si pastrues i banjave të qytetit.

(Rëfimet janë marrë nga libri i botuar nga gazetari Ronald Qafoku, ku përmenden detaje interesante lidhur me jetën e 33 kryeministrave të historisë së Shqipërisë)./Opinion.al

Share: