Në tre vitet e fundit më është dashur të provoj disa sfida profesionale, në gazetari dhe përtej saj. Duke nisur me ato që nuk kanë të bëjnë me profesionin e zemrës. Ishte megjithatë privilegj të punoja si këshilltar i medias për ish-ministren e ekonomisë Milva Ekonomi.
Më pas të drejtoja marrëdhëniet me publikun në organizatën Albanian Food Industry nga ku preka nga afër betejat e përditshme me të cilat përballet biznesi.
Të qenurit drejtor informacioni në Report Tv për 17 muaj ishte një përvojë e jashtëzakonshme. E quaj të tillë pasi punova me një grup njerëzish në televizion, gazetën Shqiptarjacom print dhe online, të cilët unë i quaj heronj në atë që bëjnë çdo ditë, me ato burimeve njerëzore e teknike që kanë në dispozicion.
Megjithatë gjatë këtyre tre viteve mbërrita në përfundimin se nuk kishte ardhur ende koha për mua, të varja në gozhdë – siç thotë Indro Montaneli – këpucët e gazetarit, dhe të mbyllesha në zyrë larg vendbetejës së përditshme të lajmit, terrenit.
Kësisoj kam vendosur ta rinis atje ku e lashë në prillin e 2016-tës. Të rikthehem në Top Channel me besimin tim dhe mbështetjen e gjithë stafit të këtij televizioni për të prodhuar lajme On Top njësoj si ato 11 vite, 6 në Londër dhe 5 në Tiranë. Ka një arsye pse. Edhe gjatë viteve të fundit, disa mendonin që unë vazhdoja të punoja në Top Channel.
Një falënderim nga zemra për të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar këto tre vite. Nuk dua të harroj pa falënderuar edhe ata të cilët pas largimit nga Report Tv kërkuan të më kishin pjesë të televizioneve të tyre në drejtimin e projekteve serioze dhe ambicioze.
Tani është koha për të përveshur mëngët e nisur një rrugëtim të ri sa të bukur dhe sfidues.
Nga sot ritakohemi në ekranin e Top Channel. Tung…