Home Approccio Italo Albanese Në Tiranë, kard. Parolin bekon gurthemelin e spitalit “Zoja e Këshillit të...

Në Tiranë, kard. Parolin bekon gurthemelin e spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”

Qendra e re spitalore u përurua sot, në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin. Synimi është të hapet pas 18 muajsh, në shërbim të gjithë popullit shqiptar.

R.SH. – Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, përuroi sot në Tiranë, në orën 11.30, punimet për hapjen e spitalit të ri katolik, ngjitur me universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në përfundim të punimeve, pas 18 muajsh, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë do t’i shtohen fillimisht 40 shtretër, që më vonë do të arrijnë deri në 240, përveçse shumë reparteve mjekësore.

Në praninë e kardinalit Parolin, të rektorit të Universitetit, prof. Bruno Giordina, të eprorit të përgjithshëm të Kongregatës “Bijtë e Zojës së Papërlyer”, atë Michele Perniola, të kryeipeshkvit metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, të presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe të zv.kryetarit të bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi, kryetari i Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, atë Daniele Bertoldi, u shpjegoi të gjithëve hapat e projektit ambicioz, që do të kushtojë 22 milion euro.

Spitali lind për dëshirë të Nënë Terezës

Atë Bertoldi nënvizoi se ideja e ndërtimit të spitalit katolik nuk është e sotme. Ajo lindi 26 vjet më parë, në prill 1993, me interesimin e shën Nënë Terezës. Qe pikërisht misionarja shqiptare e bamirësisë dhe e dashurisë ajo, që garantoi kontratën e nënshkruar nga qeveria shqiptare, e përfaqësuar nga zv.ministri i Shëndetësisë, Besim Nuri, dhe nga Kisha Katolike, e përfaqësuar nga nunci apostolik, më pas kardinali Ivan Dias.

Karakteristikat e spitalit

Dy janë qëllimet, me të cilat etërit koncepsionistë, nisin punimet për spitalin: të ofrohen shërbime shëndetësore dhe asistenciale me cilësi të lartë dhe, të mbështetet formimi universitar i studentëve. Me të vërtetë, spitali do të funksionojë si Poliklinikë universitare, në mbështetje të veprimtarisë mësimdhënëse dhe të punës kërkimore-shkencore në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Gjithashtu, do të ketë specializim të lartë në ato fusha, për të cilat ka më tepër nevojë sistemi shëndetësor shqiptar. Natyrisht, duke respektuar natyrën e vokacionin e tij katolik, në shërbim të të gjithëve, pavarësisht nga feja, por sipas parimeve etike të Kishës Katolike.

Fazat e projektit

Siç shpjegoi atë Bertoldi, në fazën e parë, në spital do të funksionojnë: senologjia, ortopedia, oftalmologjia e kirurgjia e përgjithshme. Do të punohet për rritjen e cilësisë. Në fazën e dytë, do të shtohen shtretërit, do të nisë punën kardiologjia, një pikë lindjeje, etj.. Do të konsolidohet mbështetja e formimit universitar. E, së fundi, do të konsolidohen përmasat e spitalit e do të plotësohet oferta në fusha të ndryshme mjekësore. Fazës së tretë i përket realizimi i qendrës së ndihmës së shpejtë apo urgjencës.

Kardinali Pietro Parolin: spitali “bashkëpunim virtuoz ndërmjet publikes dhe privates”

 Në përshëndetjen e tij, kardinali Pietro Parolin, kujtoi shpesh fjalët e Papës Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në shtator 2014. Shqipëria është “tokë heronjsh dhe martirësh”, pati thënë Ati i Shenjtë, i cili dërgon, përmes kardinalit, përshëndetjen e tij të përzemërt dhe premton lutje për popullin shqiptar. Kardinali Parolin nuk harroi edhe impenjimin e feve të tjera në fushën e shëndetësisë, dëshmi e asaj bashkëjetese paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, që i bën të bashkëpunojnë edhe në kuadrin shëndetësor.

Spitali, vijoi kardinali Parolin, duke falenderuar koncepsionistët, është “bashkëpunim virtuoz ndërmjet institucioneve publike e atyre private”; do të sigurojë respektimin e së drejtës universale për mbrojtjen e shëndetit edhe për njerëzit, që nuk kanë mundësi të mëdha financiare; do të ngrejë standartin cilësor të asistencës shëndetësore; do të krijojë mundësi punësimi e do ta lidhë gjithnjë e më shumë sistemin shëndetësor shqiptar me atë Evropian.

Nënë Tereza, model për mjekët

Një vend të veçantë në fjalën e tij zuri kujtimi i Nënë Terezës, ideatores së këtij spitali katolik. Kardinali Parolin përmendi fjalët e Papës Françesku kushtuar “Lapsit të vogël në dorën e Zotit”, që gjithë jetën s’bëri tjetër, veçse të përkulej mbi plagët e njerëzimit, me mëshirë e dashuri, duke parë në fytyrën e çdo nevojtari, fytyrën e Krishtit. Ajo, nënvizoi ai, duhet të jetë modeli për t’u ndjekur nga mjekët e deri tek vullnetarët, që shërbejnë në spital, të cilët duhet të kujtohen se kanë përpara njeriun e jo vetëm të sëmurin. “Jo shkenca, por dashuria e ka ndryshuar botën”, përfundoi kardinali Pietro Parolin.25 shkurt 2019, 17:06

Share: