Nga Kasem Seferi
Në një version të thjeshtuar, Lufta e Ftohtë e marrëdhënieve SHBA – BE, u pa si një “kontratë statike” ose “pazar”: angazhimi i sigurisë së SHBA – së për Europën si përgjigje e pranimit europian të lidërshipit global të SHBA – ve.
Ngritja e fuqisë ekonomike europiane, erozioni i rolit hegjemonik të SHBA – ve dhe ndryshimet dramatike pas rënies së Murit të Berlinit kërkonin një ndryshim cilësor në marrëdhëniet SHBA – BE.
Në këtë mënyrë marrëdhëniet transatlantike kërkonin dhe kërkojnë rikonsiderimin jo vetëm në lidhje me termat e marrëdhënieve, por për justifikimin e tyre të vërtetë.
Zgjidhja për bashkëpunimin SHBA – BE dhe stabilitetin e pas – Luftës së Ftohtë në kushtet e shumëpolarizimit dhe hipernacionalizmit, kërkon që regjimet ekzistuese dhe organizatat ndërkombëtare nevojiten të ristrukturohen me qëllim që jenë efektive, gjë që kërkon një “lidërship sipërmarrës”.
Rëndësia e institucioneve në periudhën e pas – Luftës së Ftohtë u rrit, sepse ato siguronin një “pikë reference të përbashkët për liderët që përpiqeshin të luftonin me pasigurinë dhe rrëmujën” dhe “rregullat e institucioneve kufizonin strategjitë e pazareve të shteteve, prandaj i bënë veprimet e tyre më të parashikueshme.
Institucionet i ndihmojnë qeveritë për t’u marrë me fragmentimin e marrëdhënieve të shkaktuara nga ndërvarësia; ato veprojnë si “absorbues të goditjes” për rezultatet e ndryshimit dhe kanë një rol të rëndësishëm në adaptimin me kushteve të ndryshuara politike dhe ekonomike.
Ka tre arsye kryesore përse bashkëpunimi ndërkombëtar mund të ndodhë në rregullin e përkohshëm ndërkombëtar pas – hegjemonik:
së pari, lidërshipi hegjemonik nuk ka të ngjarë të rivendoset vetëm nga SHBA, ose nga ndonjë shtet tjetër;
së dyti, politika botërore nuk është një gjendje konstante lufte;
së treti, për këtë arsye shtetet kanë interesa që plotësojnë njëri – tjetrin.
Në një mjedis, të cilit i mungonte kërcënimi sovietik dhe prodhonte sfida dhe tensione të reja, partnerët vazhdonin të ndanin qëllime dhe interesa të rëndësishëm afatgjatë të përbashkët ekonomikë, politikë dhe të sigurisë.
Koalicioni SHBA – BE mund të sigurojë “lidërship të përbashkët”, sepse ai përfaqëson bazën më favorizuese për “një koalicion fitues stabël” në një kuadër të ri të sigurisë shumëdimensionale (në krahasim me aleancat e tjera potenciale fituese, si për shembull Bashkëpunimi Ekonomik Azi – Paqësor).
Aksi SHBA – BE simbolizon në mënyrë të veçantë koncentrimet e larta të pasurisë, burimeve të politikës dhe avantazhet pozicionale brenda kuadrit ekzistues shumëpalësh për të promovuar përgatitje më të gjëra bashkëpunuese shumëpalëshe.
Megjithëatë, kritikët në dritën e nismave të SHBA – BE të tilla si “hapësira ekonomike” ose “zona e lirë tregtare”, theksonin se menaxhimi i përbashkët mund të ishte i padëshirueshëm sepse mund të minonte zhvillimin e OBT – së dhe mund të shkaktonte përshtypjen e një bote të ndarë sërishmi ndërmjet vendeve të pasura dhe të varfëra.
Prandaj, në vlerësimin e nismave të SHBA – BE, ishte e domosdoshme t’i jepej përgjigje pyetjeve vijuese:
A mbështeste bashkëpunimi ekonomik transatlantik një rregull global më të gjërë shumëpalësh duke siguruar një “rol pionier” në liberalizimin dhe vendosjen e rregullave ndërkombëtare?
Ose, e minonte shumëpalësinë me anë të dominimit të negociatave shumëpalëshe dhe “ndërtimin e koalicionit” dhe, në këtë mënyrë, me anë të prezantimit të “standarteve veriore” si “faite – s accomplish“ për vendet e tjera?
Për të shmangur zhvillimin e një “vakumi të rrezikshëm” u rekomandua marrëveshja e “axhendës së përbashkët” dhe “rrugëzgjidhja e përbashkët” për të mbështetur reformën e institucioneve të pas – luftës, që ende vazhdojnë të ndikojnë tregtinë ndërkombëtare (GATT/WTO, NATO, IMF, World Bank), si dhe të sigurojnë strukturë institucionale për marrëdhëniet ekonomike SHBA – BE.
Historia nuk e përsërti vetveten, por nganjëherë mund të gjenden dhe ngjashmëri, për arsye se për atë kohë kishte një lloj inversioni në prirjen që shkonte në lidhje me çështjen se me kë do ta ndërtonte BE – ja zonën e tregtisë së lirë.
Në vitin 1995, kishte një reklamë mbi tregun transatlantik dhe u ngrit Dialogu i Biznesit Transatlantik (TABD), i cili organizoi qindra konferenca dhe takime që synuan kapërcimin e barrierave të tarifave tregtare, ku theksi u vu mbi rëndësinë e shifrave përshtypjelënëse që gjenerohen nga marrëdhëniet tregtare transatlantike ndërmjet SHBA dhe BE , të cilat madje sot janë marrëdhëniet dypalëshe më të mëdha të tregtisë dhe investimit në botë, me një vlerë pothuajse një të tretën e tregtisë globale.
Ky ishte momenti kur BE – ja ka fituar një tregt të vetëm dhe Perëndimi, që ndjek “End of History” të Fukuyama besoi se ai ishte shfaqur si ngadhnjimtar i historisë. Ishte gjithashtu koha kur SHBA dhe Europa ishin të bindur se ato do të qendronin përjetësisht të bashkuar; askush atëhere nuk pati imagjinatën të parashikonte se kontinenti euroaziatik do të kërkonte gjithnjë e më shumë për bashkim përtej Perëndimit klasik.
Por kohët kanë ndryshuar dhe historia po tregon shenja të qarta të gravitetit gjeografik; madje në vitet 1930 – të, Bashkimi Sovietik ishte i një interesi të veçantë ekonomik për çelikun gjerman, industrinë inxhinjerike dhe elektrike dhe qeveria gjermane vendosi të emetojë hua prej afërsisht 300 milion marka për partnerin e tij rus.
Në fund të nëntorit 2010, përsëri duke pasqyruar vëzhgimin e vjetër të Monteskje se gjeografia, dukshëm, ka rëndësi për politikën.
Kryeministri rus Vladimir Putin shprehu dëshirën e tij për të vendosur një zone tregtie të lirë me BE – në, që arrin “nga Lizbona në Vladivostok”.
Ky ishte flirti i dytë i drejpërdrejtë rus me Europën në një muaj, që ndoqi Samitin e NATO – s në Lisbonë, ku rusët kishin një “karrige vëzhguesi” në tavolinën ku europianët (pas takimit në Deauville) po përpiqeshin të merrnin vesh shkallën me të cilën ata duhet t’i përgjigjeshin propozimeve të Medvedjevit mbi arkitekturën e re të sigurisë europiane dhe t’i jepnin asaj lustër europiano – ruse.
Rusia kishte probleme të thella ekonomike (WikiLeaks e konfirmoi edhe njëherë këtë) dhe, me dëshpërim, ishte duke kërkuar mundësi të modernizonte ekonominë dhe shoqërinë e saj.
Moska i kishte ndjerë vështirësitë ndërmjet dy fuqive madhore që e qarkonin dhe e qarkojnë atë (BE – ja dhe Kina) dhe, me këtë të fundit, nuk duket më aq sfiduese dhe aq më e fortë se sa më parë, pra më e rrezikshme për Rusinë, i mbetej Perëndimi.
Në të njëjtën kohë, Amerika po e zhvendoste vështrimin e saj, gjithnjë e më shumë, në Pacifik. Sot analistët e kritikojnë si një dështim të politikës amerikane të Presidentit Obama.
Po kërcënohej kësisoj pozicioni i Amerikës në botë me rritjen e ekonomisë dhe shtrirjen e arritjeve politike të Rusisë, Kinës Indisë e shteteve të tjerë antiamerikanë?
Kjo është pyetja që bëjnë analistë të ndryshëm në mbarë botën me qëllim që të marrin një përgjigje të qartë në lidhje me të ardhmen e ekonomisë botërore pas krizës së fundit financiare dhe ekonomike globale, pasi shumë prej tyre mendojnë se vërtetë Rusia Kina dhe India po ngrihen, por kjo nuk do të thotë se Amerika do të humbë kontrollin e çështjeve botërore me të cilat ajo tashmë është kaq e familjarizuar.
Ngritja ekonomike dhe regjimet politike përkatëse të Rusisë, Kinës, etj, pa dyshim, po shihen si një nga dramat e mëdha të shekullit 21 – të.
Kjo “panoramë“ e një ekonomisti, si unë, dëshmitar që ka marrë pjesë jo pak herë në forumet ekonomike të Euroazisë, tregon se përse sot shtjellohet me detaje ndikimi rus në Ballkan.
Politika, veçanërisht, analistët opinion – formues, duhet të kenë kujdes kur flasin për ndikimin rus duke dashur t’ia lenë kopilin njëri – tjetrit si përfaqësues të partive, ose erërave politike që fryjnë në këtë periudhë tranzitore, ku vendi nuk po gjej qetësi për një zhvillim ekonomik dhe për një përmirësim të kushteve ekonomike.
Historia përsëritet!
Por ne shqiptarët nuk duhet të përsërisim gabimet e bëra nga ne në histori!
DIALOG (ose “FJALË NGA TË DY/OSE MË SHUMË PALË“)?!
QEVERIA e ka fjalën.
I mençuri, i forti, largpamësi, mbetësi frymëzues në histori, të paktën, këshillohet nga thënia popullore, në mënyrë simbolike: “I mençuri i hap rrugë budallait!“.
Të shohim se kush ka të drejtë!
Kasem Seferi – ekonomist