Nga intervista me Violeta Muratin…
Ne gratë jemi qenie më erotike se sa burrat…Hapja maximale (10 cm e gruas në momentin e lindjes) ndaj dashurisë, ndaj krijimit është aq e thekshme dhe njëkohësisht aq magjike, por që bota e burrave është privuar për ta ndjerë në këtë mënyrë, ndaj gjithnjë kam menduar se ne gratë kemi një privilegj më të madh, se sa burrat në raport me erosin: atë ndjesinë e gjithçkasë që ndodh në brendësi të trupit tonë në raport me burrat që fara iu derdhet jashtë trupit të tyre….
KUR FILLON TË NDIESH GJUHËN E TRUPIT PËRMBYSEN TË GJITHA MITET, DIKTATURAT
Intervistoi: Violeta Murati
A mund të na kujtoni kur keni dëgjuar zërin tuaj, të brendshëm për të shkruar? A keni një kujtesë?
Kur duhet të shkruaja për partinë dhe xhaxhin Enver. Për të qeshur apo jo?! Por më fal, që të vegjël, vetëm vargje për ta na nxitnin të recitonim përmendsh dhe të shkruanim. Madje vihej në dyshim dhe dashuria për prindërit, nëse ishte ajo e para apo e dyta. Pastaj erdhi adoleshenca dhe gjithçka u kthye përmbys. Kur fillon të ndiesh gjuhën e trupit përmbysen të gjitha mitet, të gjitha institucionet, të gjitha diktaturat. Atëherë fillon të mendosh se ke ardhur në këtë jetë nga një fuqi më misterioze se ajo që mundohen të të injektojnë në tru; fuqia e erosit si filozofi jetësore. Dalëngadalë ky ishte zëri më i fuqishëm që filloi të diktojë te unë imazhe e ndjesi që vazhdoj t’i shenjoj dhe sot nëpërmjet fjalëve.
Kur keni botuar për herë të parë? Si kanë ardhur librat tuaj më pas?
Te revista “Nëntori”, pastaj gazeta “Drita”, por sigurisht jo poezi sirtari. Poezitë e sirtarit i përmblodha në vëllimin “Vargje të përfolura” botuar në 1993. Ishte një libër që ra menjëherë në sy dhe të gjitha kopjet u shitën shumë shpejt dhe për shkak të një interviste jashtë çdo skematizmi që organizoi asokohe në TVSH gazetari i mirënjohur Alfred Kanini. Pastaj disa nga poezitë e mia u bënë tekste këngësh si “Nëse natën vij…”, “Pesë fustanet dhe adhuruesit” etj. Libri tjetër “Shija e instinktit”, 1998 u përurua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe u gëzova fort se studiues e shkrimtarë të njohur patën shumë vlerësime pozitive, duke e quajtur poezinë time si një poezi që nuk ia përcakton dot as kohën, as vendin, as brezin për shkak të një mesazhi universal…e kështu me radhë u botuan “Këtu poshtë këndohet live”, ku u përfshi dhe cikli për figurën e Krishtit, poema me të njëjtën titull, etj. Derisa një ditë të bukur erdhi vullkani “Vrima”, pra, jo rastësisht dhe aq më pak qëllimisht.
Ju i takoni një brezi që besoj-më ka gjurmë nga diktatura, si ishte adoleshenca juaj? Ndikimi që pati tek ju dhe si e shihni nga këndvështrimi i sotëm?
Po, i përkas atij brezi që provova edhe sistemin arsimor në atë kohë dhe atë të punësimit. Ndonëse kam jetuar në një familje me “biografi të mirë” e kam ndjerë gjithnjë te prindërit presionin që vinte nga lart, frikën se në çdo moment ishe i përgjuar, atë çka ndodhte me miqtë e tu që i përkisnin familjeve me “biografi të keqe” etj., etj. Por kur je i ri në çdo kohë dhe në çdo sistem, i gjen më kollaj mënyrat e tua të argëtimit, qofshin këto dhe të ndaluara. Ja psh., Nuk do ta harroj kurrë kur donim të bënim “jetë nate”, mblidheshim në shtëpitë e njëri-tjetrit, mbyllnim dritaret me batanije dhe dëgjonim muzikë Rock apo kur ndryshonim vargjet e këngëve të Beatles-ave dhe i bënim shqip, për t’i kënduar me zë të lartë në zbore dhe aksione. Kulmi arrihej në plazh që kur shihnim nga larg një polic, të gjithë ndryshonim stacionin e radios menjëherë. Nuk i kam shpëtuar dot, megjithëse s’kam qenë kurrë ekstravagante, fletërrufeve për shfaqje të huaja… apo në punë kur punoja te Shtëpia Botuese e Libri Shkollor jam sulmuar se po prishja ato skematizmat që ata i kishin ngulitur, e s’kish burrë nëne që t’ua lëvizte. Megjithatë…megjithatë në këto 57 vjet të jetës sime kam kuptuar se në thelb njeriu mbetet njëlloj pavarësisht sistemeve. Më vjen keq kur njerëz të caktuar me poste shtetërore sot janë aq të ngjashëm në sjellje e fodullëk, në moszbatim të ligjit (pasi mendojnë se ligji janë ata vetë) njëlloj si ata të kohës së diktaturës; të vjen keq se prapaskenat e të paaftëve ndaj të aftëve janë të njëjta të frikshme me ato të asaj kohe. E vetmja gjë që ndryshon është, se nuk të presin kokën, por të shkaktojnë dëme morale, profesionale e materiale.
A ka një angazhim konkret te ju, kuptojmë me krijimtari, për ta përballur shoqërinë, jetën sociale këtu?
Të them të drejtën i vetmi angazhim imi është të mbijetoj bukur në raport me kurthet që na ngrihen prej hipokritëve dhe të paaftëve. Dalja në sipërfaqe të gëzon shumë e njëherësh është rrezik; nuk të duron kush të kesh dhe pushtet intelektual dhe pushtet mirëqenieje. Mundohen të të hanë mishin e të të lenë skeletin (si peshkut të Heminguejit). Por preferoj luftën këtu e të mbetem me një skelet aq të bukur të një fitoreje të madhe, se sa të iki apo të tërhiqem nga fusha e mejdanit. Ajo do të ishte vdekje për mua dhe më ka pëlqyer aq shumë kur një gazetar i mirënjohur më ka quajtur amazonë (ndonëse qëllimi im më i madh nuk është lufta, por dashuria).
Raporti mes intimes, erosit e në mundsh, të ruash edhe personalitetin …si ndërveprojnë tek ju?
Duket pak si vështirë, pasi profesioni im (që e ushtroj prej 35 vjetësh) në edukimin shkollor, por edhe tani si botuese shkojnë kundër kësaj në pamje të parë. Njerëzit kanë konvencione në mënyrën se si e trajtojnë njeriun serioz nga ai jo serioz; gruan serioze nga gruaja jo serioze. Pak për të qeshur, por me mua ndodh shpesh kjo, Kur më shohin të ftuar në emisione televizive apo në takime, seminare, trajnime etj., shtangen pasi iu dukem shumë serioze. Kanë krijuar në kokën e tyre një imazh tjetër duke nisur nga vargjet e mia me një gjuhë krejtësisht të çliruar. Jeta ime e përditshme, mënyra e sjelljes sime nuk ka lidhje me artin; arti krijohet nga nënvetëdija e artistit, në jetën e përditshme është arsyeja që udhëheq mbijetesën tonë që iu përshtatet rregullave të shoqërisë ku jetojmë. Por përsëri këmbëngul se parimi mbi të cilin përpiqem të bëj jetën time si individ apo si krijuese është vetëm një: sinqeriteti dhe guximi për të fituar sa më shumë liri në terrenet e kufizuara prej censurës dhe autocensurës.
Ju shkruani për jetën tuaj?
Çdo ditë e jetës sonë duket sikur ikën, shuhet, po kështu dhe vitet, por në fakt ato janë shtresëzuar aty në trurin tonë. Të gjitha shkruhen aty me një majë të mprehtë, si një sizmograf që regjistron luhatjet e ndjesive dhe të mendimeve tona. Mjafton të kesh durimin t’i deshifrosh, t’u nxjerrësh kuptimin. Dhe në këtë rast gjithkush e ndien se ti si shkrimtar je frymëzuar dhe udhëhequr nga imazhet e tua personale për të shkruar historinë e tjetrit që është lexuesi. Po ndodh dhe e kundërta; ka shkrimtarë që shkruajnë historinë e dikujt tjetri, duke iu fshehur vetes. Ata s’mund të jenë të dashur për lexuesin, pasi lexuesi s’mund ta gjejë veten te historia e tjetrit. Një lexues e gjen veten vetëm te historia e sinqertë e shkrimtarit. Arti vërtet është trill, sajim i shkrimtarit apo poetit, por nuk duhet të bjerë në nivelin e sajesës; e figurave dhe imazheve të kërkuara për ta bërë shkrimtarin të duket bukur boll i mençur.
Ç’është për ju poezia? Gjithnjë keni dashur të jeni poete? Përse jeni poete?
Nuk mund të them atë që do të thoshin shumë krijues, që jeta ime pa poezinë nuk do të kishte kuptim. Jeta ime do të kishte kuptim edhe pa shkruar. Ndërsa jeta njerëzore nuk do të kishte kuptim pa artin në përgjithësi dhe pa artin e poezisë në veçanti. Jeta njerëzore do ishte bardhezi pa ngjyrat që i jep arti. Ç’është poezia? Poezia është një imazh i kulluar që na vjen në mendje nëpërmjet emocioneve që marrim dhe këto nuk janë vetëm emocione të çastit. Ato fiksohen ditë pas dite, vit pas viti në kujtesën tonë dhe vjen një çast kur ndodh metamorfoza…imazhet kthehen në fjalë. Kjo është poezia, që në ndryshim nga proza ka një nëntekst shumë më të fuqishëm, se përmblidhet në aq pak fjalë.
Përse jam poete? Më është dhënë kjo dhunti, të cilën unë nuk e shndërrova në profesion. Nëse ka një art i cili zor të shndërrohet në profesion, mendoj se është poezia. Mund ta kem dhe gabim, por unë kështu e mendoj. Njerëzit kanë një standard në kokë për sa i takon poezisë. Kur të takojnë ose kur janë me ty dhe ndërkohë po perëndon dielli pas shpinës tënde, ata të thonë në mënyrën urdhërore: “Bëj një poezi tani! Po kështu kur shohin që ndodh një padrejtësi, të thonë: Bëj një poezi kundër të keqes! Sigurisht çdo poet, të paktën mbi mesataren, mund të shkruajë për këto dukuri që ndodhin çdo ditë. Po kësaj i thonë të vargëzosh duke kërkuar krahasime dhe epitete. Poezia është metaforë e jetës, është një sintezë imazhesh e ndjesish që arrijnë majat më të larta te poeti, pasi ajo është mbarsur në trurin e tij, siç mbarset gruaja apo toka me farën e re.
Keni “dhënë” jetën tuaj si shkrimtare e poezisë erotike, në një botë që ende mbizotërojnë burrat…
E bukur kjo shprehje. Në një fragment poetik nga libri “Vrima” kam shkruar “Oh i dashur/ truri im është ky/ në duart e mia larë në gjak/ a mund të mendosh me trurin jashtë?
Po këto vargje vërtet janë tronditëse? Çfarë përjetuat ato momente?
Hapja maximale (10 cm e gruas në momentin e lindjes) ndaj dashurisë, ndaj krijimit është aq e thekshme dhe njëkohësisht aq magjike, por që bota e burrave është privuar për ta ndjerë në këtë mënyrë, ndaj gjithnjë kam menduar se ne gratë kemi një privilegj më të madh, se sa burrat në raport me erosin: atë ndjesinë e gjithçkasë që ndodh në brendësi të trupit tonë në raport me burrat që fara iu derdhet jashtë trupit të tyre. Ndaj figurativisht do të thosha se libri “Vrima” është shkruar nga dhimbjet e lindjes së trurit dhe duke e mbajtur atë në duart e mia.
Ju kapni në poezitë tuaja një temë të gjerë të identitetit dhe të përvojës femërore. Pse drejt kësaj ideje?
Shiko, dëgjoj shpesh që poeti i mirë nuk ka gjini, nuk i dallohet gjinia. Nuk jam kundër kësaj pasi një mesazh universal nuk është as femëror dhe as mashkullor. Dhe shumica e poezive të mia janë të tilla. Por unë nuk vuaj as nga kompleksi, që kanë disa poete se mos ngjaj si femër. Unë jam femër dhe truri im do apo nuk do komandon një trup me organe gjenitale femërore. Instinktet e mia më tepër do ngjasojnë me instinktet e një ulkonje apo luaneshe, se sa të një ujku apo të një luani. Nga ana tjetër, ka dhe letërsi të ashtuquajtur femërore, kur tematika është e një natyre të kufizuar dhe i drejtohet në një mënyrë komerciale apo të angazhuar vetëm botës femërore. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një letërsi brenda kornizave. Në poezinë time është individi në përgjithësi (dhe indirekt femra, gruaja ) që përballet me dukuritë e jetës gjatë udhëtimit nga lindja në vdekje. Shumica e këtyre ndjesive dhe eksperiencave janë të njëjta si për botën femërore ashtu dhe për atë mashkullore. Ndaj poezia ime nuk ka tematikë femrën, gruan, problemet e saj; femra gruaja janë boshti rreth të cilit sillet kozmosi.
E cilësuar poete e erosit, që me vëllimin poetik “Vrima” thyen tabu, që trondit ‘normat” e një shoqërie përballë seksit. Të ka emocionuar kjo, si i keni pritur reagimet apo keni provuar ndjesi të kundërt nga ajo që merr një poet, kënaqësinë, çfarë…?
Fillimisht jam gjendur e papërgatitur. Nuk kam qenë asnjëherë në qendër të vëmendjes të aq shumë njerëzve…Vrima u kthye në epidemi, një çudi që nuk zgjati 3 ditë, por më shumë se një javë dhe vazhdon edhe sot. Në atë kohë nuk kishte statuse në fb pa u përmendur Vrima, nuk kishte bisedë të njerëzve pa u tallur me Vrimën. Dukej sikur shoqëria mezi kish pritur fjalën Vrima për të nxjerrë në një tepsi të përbashkët gjithë ushqimin e keq që kish ngrënë për shumë e shumë vite. Dhe në këtë pikë unë dhe shumë njerëz të tjerë që mendojnë si unë themi, më mirë që ndodhi kështu. Kjo gjë sot më është kthyer në adrealinë dhe e di shumë mirë që në biografinë e një poeti është një plus shumë i madh kjo ngjarje. Të provokosh një shoqëri të tërë vetëm me një fjalë, nuk është gjë e vogël; të shkruash vargje që tronditin, është gjë e madhe. Dhe për mua, që gjithçka e bëra spontanisht, mendoj se kjo kthehet një ditë në vlerë, sepse sikur poezitë e mia mos kishin vlerë, ato nuk do të ishin tronditëse.
Në fakt unë e kisha ndier një lloj shtangieje te njerëzit e mi që e lexuan për herë të parë “Vrimën”, ende pa u botuar. Kur ua lexoja disa fragmente poeme, e shihja se si mbeteshin dhe reagonin me vonesë. Aty fillova ta kuptoj se kisha shkruar një libër të mirë. Por kurrë nuk e kam parashikuar një vullkan të tillë, mbase instinktivisht po, sepse libri “Vrima” u shkrua pas 15 vjetësh që u botua “Kënga live” dhe te unë ishin mbledhur si një llavë vullkani ndjesi të pafundme, të cilat kishin nevojë të shpërthenin. Në të gjitha kontekstet Vrima është vullkani, i cili shkatërron dhe njëkohësisht, mbi të riciklohet një jetë e re.
Cili është imazhi më erotik që mund të sillni në mend ose që ju ka kthyer ankthet, dhe misterin në një muzë?
E kam shprehur në poezinë “Dashnori Krisht”; është një imazh fantastik ajo koka e anuar anash, ku në qafë duken shenjat e dhëmbëve të ngulura. “Dhuna” pa kaluar në sadizëm apo mazohizëm është mënyrë e bukur për të arritur kulmin e kënaqësisë trupore dhe atë trunore, do të shtoja. Ekstaza arrihet kur trupi lihet në një gjendje lirie absolute…Dhe kënaqësia që përftohet prej kësaj është një dhimbje e bukur e thekshme. Ky është akti i vetëflijimit për hir të dashurisë…prandaj gjithnjë e kam parë imazhin e vuajtur të Krishtit të gozhduar me kokën dhe qafën e anuar si një vetëflijim madhështor për hir të dashurisë njerëzore.
Jeni prezantuar me një tjetër vëllim “Kënga e turmës”, pse e tillë? A mund ta marrim si një përgjigje?
E quajta “Këngët e turmës” e shtyrë nga lexuesit. Para epidemisë Vrima unë, si shumë poetë të tjerë, kisha një rreth shumë të vogël lexuesish, si dhe isha e njohur në qarqet letrare. Pas skandalit Vrima mua m’u zgjerua me përdhunë rrethi i lexuesve. Ajo që më bëri përshtypje ishte se pas leximit të librit nuk pati asnjë reagim të ri kundër vargjeve të mia provokuese. Përkundrazi, ata lexues që lexuan vetëm Vrimën filluan të kërkojnë poezitë e mia të mëparshme. E dija se librat e mëparshëm patën jehonë vetëm në qarqet letrare, por jo te lexuesit në masë të gjerë. Kështu që vendosa të botoj poezitë e mia të shkruara ndër vite, si dhe poezi të reja.
Meqë është një botim koleksioni, me imazhe, piktura dhe poezi të mbledhura, cili ka qenë procesi?
Poezitë janë renditur sipas botimeve të mëparshme duke filluar nga “Vargje të përfolura” 1993, “Shija e instinktit” 1998, Këtu poshtë këndohet live”, 2002, cikli “Në mes dy botëve” 2016 dhe gjithashtu janë përfshirë poezi e poema të reja te cikli “Mëkati i shegës”. Dikur unë dhe vizatoja imazhet që më vinin në kokë dhe para se t’i bëja poezi i pikturoja. Pra ato nuk janë thjesht ilustrime të poezive, por qëndrojnë dhe më vete. Mendoj t’i rikthehem përsëri vizatimit dhe pikturës me bojë vaji. Kam shumë imazhe në kokë, të cilat do të më ndihmojnë në aventurën time prej amatoreje. Formati katror i librit është i njëjtë me librin Vrima, pra ndihmon në puthitje. Është bukur kur ti ke dy ose më shumë libra të një shkrimtari dhe ato të puqen bukur në bibliotekë…dhe kur do t’i rikthehesh, i gjen kollaj.
Vargjet: Këndova këngën tënde turmë,/Më shumë se këngën time,/ Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh,/ nga manipulatorët…sigurisht kjo është një ide e shkëputur nga konteksti, por për ju pse një vendim i tillë, për “Kënga e turmës”, ç’raport krijon me vëllimin “Vrima”, konsideruar në kufijtë e skandalozes?
Turma në vetvete është shumë e bukur dhe ndjellëse; turma është gojëpisët, e shthurur, mbushur me të marrë dhe të mençur, ndaj është shumë potente. Kur turma manipulohet është e rrezikshme se i kthen gjërat mbrapa duke shkatërruar; kur turmën e drejtojnë liderë të vërtetë, ajo shndërrohet në popull. Askush nga ne nuk është i imunizuar nga të rënit në rrjetën e psikologjisë së turmës. Sa herë e kemi kapur veten në këtë rrjetë. Disa mbesin aty gjithë jetën, disa luftojnë të dalin e të krijojnë individualitetin e tyre. Por turma ka dhe diçka të mrekullueshme. Të eksiton. Sa e bukur bëhet turma kur këndohet kënga e saj e shpirtit. Atëherë trupat bashkohen e ngjiten njëri pas tjetrit….jo për seks, as për lavdi…është dëshira e trupit, Muzika. Kjo është kënga e turmës për të cilën kam kënduar unë, pra për ata dhe për vete…në instinkte jemi pothuaj njëlloj, na ndajnë vetëm kufijtë e formalitetit.
Çfarë është kultura për konceptin tuaj? A mendoni se prej saj varet natyra e poezisë që shkruani?
Sigurisht që varet shumë. Unë do përsëritja thënien e grekëve të vjetër se: U di atë që s’di asgjë. Sa më i ditur të jetë një njeri, aq më shumë dije i dalin si sfidë. Ndaj njeriu për të bërë një jetë të bukur e pa stres, duhet t’i seleksionojë dijet. Dijet nuk janë për t’u mburrur. Ka disa njerëz që vetëm numërojnë emra pa fund dhe vepra apo citime njerëzish të mëdhenj. Për mua, i ditur është ai njeri, që kulturën e vet e vë në shërbim të së përditshmes së tij, në shërbim të profesionit, të komunikimit me të tjerët dhe të ndjesive të tij. Për shembull, ne të gjithë dashurojmë, madje edhe njeriu që s’di shkrim e këndim. Por sa bukur është të dashurosh si një njeri i ditur. Në këtë kuptim, unë nuk kam krijuar mite në kokën time; pëlqej pothuaj gjithë veprat e mëdha shkruar në stile të ndryshme e në kohë të ndryshme dhe ato më kanë formuar mirë besoj.
Poezia juaj është një udhëtim i brendshëm, ndjesi dhe imazhe jo të zakonta – a mund të na thoni keni ndonjë vend favorit që lexoni apo shkruani? Çfarë ka ndikuar?
Sa pyetje e bukur, por që përgjigjja ime është krejtësisht e kundërt me të. Jo unë nuk kam asnjë vend ku shkruaj; asnjë poezi nuk është shkruar fillimisht në letër; të gjitha janë mbaruar në trurin tim. Prandaj mund të shkruaj kudo ku ndodhem, në restorant, në zyrë, në shtrat, gjatë një konference, në një shfaqje, në një bisedë miqsh, duke ngarë makinën, në banjë etj, ej. Psh; shumica e fragmenteve të poemës Vrima janë shkruar duke notuar. Mua më pëlqen shumë maratona e notit “stil i lirë”. Më jep një hapësirë të mrekullueshme mendimi kur ndiej ujin që më futet e gurgullon në çdo vrimë e pore të trupit tim, më pëlqen dhe gurgullima apo zhurma kur krahët dhe këmbët futen e dalin mbi ujë. Dhe kam një shprehje të bukur krejtësisht autentike: “Free stile është njëlloj si në jetë; të dish të mbash ritmin, të kesh nën kontroll frymëmarrjen, t’ia dorëzosh trupin kënaqësisë”. Ky është dhe parimi im kur shkruaj poezi…të kem nën kontroll gjithçka, por dhe t’i dorëzohem frymëzimit poetik.
Kur një poezi sipas jush i përket intimes, erosit asaj zone të errët që pak guxojnë të jenë të hapur, ku janë skajet estetikë dhe asaj thjesht si guidë erotike?
Veç një fill e ndan erotiken nga pornografikja, po kështu dhe në art. Nuk ka shumë fjalë për ta shpjeguar këtë. Është diçka që ndihet. Edhe kur bën seks, e kupton nëse partneri ka ndjenja për ty apo thjesht epsh. Edhe kur lexon një libër e kupton, nëse shkrimtari do të të ngacmojë ty seksualisht apo do të zgjerojë kufijtë estetikë të imazheve të tua erotike. Kjo e dyta është e mrekullueshme.
Në ç’mënyrë i shërbeni librit tuaj për t’u njohur, përhapur?
Mendoj se tani ka disa mënyra shumë të bukura për të shkuar poezia te lexuesi. Është e habitshme, por më ka ndodhur kur më kanë ftuar të lexoj poezi, në disa lokale nate ku ka muzikë live e kryesisht Rock. Është aq bukur të kombinohet poezia me Rock-un apo baletin. Të gjithë e mbajnë mend “Penetrimin e shpirtrave” me regji të Arian Sukniqit dhe debutimin e balerinëve të mrekullueshëm, skenari i të cilit u ndërtua mbi librin “Vrima”. Salla ishte plot dhe nuk pipëtinte askush kur recitoheshin vargjet. Kam përjetuar një ndjesi të mrekullueshme. Dhe prapë me Sukniqin kemi një ide të çmendur në kokë.
Çfarë është një ditë tipike e të shkruarit për ju?
Profesioni im i të shkruarit nuk është poezia siç e thashë më lart, por të shkruarit e teksteve shkollore të letërsisë. (pa u mburrur mund të them se numri i teksteve, ku unë jam si bashkautore ka shkuar 40). Këtë punë e bëj me aq pasion, si dhe kur shkruaj poezi. Poezia më ushqen përditë me shumë dashuri dhe më ka zgjeruar rrethin e njerëzve që më duan dhe i dua.
A vazhdoni të jeni ende me mendimin se natyra femërore, ju, e keni sfiduar vërtet botën dhe ndryshuar atë? E keni pasur një utopi në këto poezi, që i përkasin ’98-ës.
Disa nga poezitë e mia të librit të parë dhe të dytë i përkasin viteve të diktaturës, pra janë shkruar si një rebelim që kish ngritur krye brenda kufijve të trupit apo të trurit tim. Këtë mund ta vërtetojnë shumë miq të mi të cilëve ua jepja të m’i lexonin në ato kohë. Dhe ata me shaka më thonin që t’i mbaja të fshehura se do kisha probleme. Ndërsa unë i mbaja në sirtar se as më shkonte mendja se do t’i botoja apo se isha e denjë për t’u quajtur poete. Duke qenë poezi kaq të virgjëra ato janë shumë të denja për të analizuar botën femërore para dhe pas viteve ’90. E thashë dhe më lart, jo vetëm si femër por dhe si individ i kam përjetuar dy periudhat para dhe post diktatoriale. Dhe kam zgjedhur t’i këndoj më tepër autocensurës se sa censurës. Se lufta më e madhe është ajo që bëjmë me veten tonë dhe rrethin e ngushtë të njerëzve që jetojnë me ne. Unë kam një poezi në dukje naive: Unë do ta ndryshoj botën / hipur mbi biçikletën time të kaltër / që ecën me energjinë e muskujve të mi…Gjthkush nga ne kur është i ri ëndërron për princ të kaltër dhe një botë me re të kaltra; është bukur të ëndërrosh ëndrra të kaltra, por më bukur të fillosh të sfidosh në jetë retë e zeza dhe vetëtimat. Bota është aq e madhe sa nuk e ndryshon dot një njeri, këtë fillon të kuptosh kur përballesh me jetën, siç kupton kur fiton në disa sfida, se secili prej nesh mund të ndryshojë botën e vogël rreth e qark tij. Në këto sfida, të qenit femër më ka ndihmuar. Mendoj se meshkujt janë më të dobët se femrat, sepse kanë më shumë komplekse se femrat, komplekse të ushqyera nga gjyshet dhe mamatë e tyre. Dhe një femër e mençur nëse di ta kuptojë këtë nuk ka pse ta quajë veten seks i dobët, përkundrazi mund të bëhet lidere me armët e veta të feminilitetit, të elegancës, dhembshurisë dhe të fortësisë së mbijetesës, pse jo edhe të atyre negative, që siç them unë në një nga poezitë: Do të të sfidoj me pabesinë e seksit femëror! Nëse meshkujt zgjedhin armë të dobëta për të na sfiduar dhe ne s’mund të zgjedhim armë të tjera. Ka rregulla në dyluftime. E gjithë jeta jonë është e bukur se në bazë të saj është lufta mes seksit mashkullor e femëror. E gjithë jeta jonë është e bukur nga dashuria mes SEKSIT mashkullor dhe femëror.
Skica nga Ina Lajthia