Nëse dikur zgjedhjet europiane ishin një çështje e qetë, këto të vitit 2019 sigurisht nuk ishin të tilla. Dhe krejt qartësisht nga votimi i kësaj fundjavë Europa nxori pesë mësime, raporton Dita duke cituar mediat ndërkombëtare:
- BE është akoma e qëndrueshme
Që nga shpërthimi i krizës ekonomike në vitin 2009, ekspertët e çështjeve europiane konsideruan çdo krizë me të cilën Bashkimi Europian u përball në vijim si diçka që rrezikonte ekzistencën e tij. Megjithatë, përtej gjithë problemeve të saj, BE është akoma e qëndrueshme. Mbështetja e përgjithshme për projektin e integrimit është në nivele historike dhe përfitimet e anëtarësimit janë të dukshme edhe për kritikët e saj populistë. Prandaj si nacionalistët ashtu dhe euroskeptikët bëjnë thirrje për reformë , por nuk e specifikojnë dot se çfarë kjo reformë duhet të jetë, dhe nuk kërkojnë shpërbërjen e bllokut. Por duhet kujdes, se dhe pse BE nuk po përballet me rrezikun e rënies, ajo po rrezikohet nga politikat nacionaliste.
- Politika europiane reflekton politikat vendore
Këto të kësaj fundjave mund të konsiderohen si zgjedhjet më “europiane” të mbajtura ndonjëherë. Ndarja politike gjithnjë e më e thellë mes nacionalizmit dhe perspektivës pro-BE po dominon të gjithë kontinentin, ashtu si çështja e emigracionit. Ndonëse disa figura politike kanë bërë fushatë jashtë vendit, si Salvini apo Le Pen, votat europiane në të gjitha shtetet e BE-së ishin të ndikuara nga çështjet politike të brendshme, që nga korrupsioni, niveli ekonomik, të drejtat e LGBT apo problemet klimatike.
- Mos i nënvlerësoni populistët
Rënia e koalicionit qeverisës austriak dhe dorëheqja e kryeministres britanike Theresa May tregojnë rreziqet e strategjisë “nuk ka armik të djathtë,” e preferuar nga shumë parti konservatore europiane. Mësimi për partitë e qendrës kudo në Evropë është se përpjekjet për të bërë kompromis me të djathtën ekstreme e shkatërrojnë karakterin e partivë të qendrës si forca politike thelbësisht të moderuara, si në rastin e kryeministrit hungarez Viktor Orban, dhe i shtyjnë këto parti drejt një gare që nuk mund të fitohet.
- Sytë nga lindja
Politika europiane ka tendencën t’i konsiderojë “vendet e reja” anëtare të Europës Lindore si më të afërta me populizmin, prapambetjen dhe korrupsionin. Ky këndvështrim nuk është tërësisht i pabazuar. Për shembull, Hungaria nuk është më demokraci liberale, por një regjim hibrid që i ngjan Turqisë ose Rusisë dhe qeveria e tanishme e Polonisë nuk e ka fshehur ambicien e saj për të “ndërtuar një Budapest në Varshavë”. Megjithatë, e vërteta është se edhe shtetet e vjetra në BE po përballen me të njëjtat sfida. Nga ana tjetër, disa vende të Evropës Lindore po ia dalin mbanë ta mbajnë gjallë ‘projektin europian’. Sllovakia, për shembull, po udhëhiqet nga një koalicion i ri i moderuar pro-BE të qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë (Progressive Slovakia-SPOLU), që edhe në zgjedhjet europiane fitoi me diferencë të konsiderueshme.
- Cirku i Brexit-it duhet të marrë fund
Tre vjet pas votimit për të dalë nga BE, Mbretëria e Bashkuar po dërgon në Bruksel një grup parlamentarësh europianë, pas një votimi që pak pritej të ndodhte. Politika britanike nuk duket të ketë një vizion të realizueshëm të Brexit-it, ndërsa shtyrja e tij vetëm sa vonon edhe më ndërhyrjet për implementimin konkret të Brexit-it. Nëse kontigjenti i ri i deputetëve është çmimi që duhet paguar për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE, kjo mund të pranohet vetëm me kushtin e heqjes dorë të Britanisë nga Brexiti. Përndryshe Britania duhet ta lerë BE-në, me ose pa marrëveshje.
e.ll./dita