Nga Ela Daci*
Një takim interesant mbi temën e marrëdhënieve Shqipëri – BE do të mbahet në 24 maj në orën 15.00 në Romë.
Vendtakimi është në Via di Torre Argentina 76, seli e Partisë Radikale Transnacionale Italiane. Mes relatorëve politikanë italianë të gjithë spektrit politik (Di Salvo për Partinë Demokratike, senatori Basini për Ligën, Maurizio Turco e Elisabetta Zamparutti për Radikalët), personalitete të dilplomacisë (ish-ministri i Jashtëm Terzi di Sant’Agata) e ekonomisë.
Gjithashtu mes folësve të programuar edhe një përfaqësi shqiptare: sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të PS Teuta Vodo, juristi Ermir Lushnjari, ekspertja e fondeve të BE-së Ela Daci dhe publicisti Gjergji Kajana.
Takimi është i hapur për çdo ndërhyrje nga të pranishmit.
Tema është shumë aktuale. Takimi mbahet dy ditë para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në Itali dhe në një çast vendimtar për rrugen shqiptare drejt BE-së: pritjen për hapjen e negociatave të aderimit, paradhoma e fundit përpara hyrjes në Bashkim. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Juncker janë pro hapjes së negociatave, por vendimi përfundimtar i takon 28 qeverive të vendeve anëtare.
Mes skeptikëve ndaj Shqipërisë Franca dhe Holanda, trembur nga fuqizimi brenda tyre i partive euroskeptike. Italia, vend me interesa të fuqishme politike e ekonomike në Ballkan (në rivalitet me Gjermaninë, vend “filoshqiptar” për negociatat), njihet prej dekadash si mbështetëse e Tiranës në këtë proces.
Takimi përkon edhe me një çast kthese për shqiptarët jashtë: pjesëmarrja masive e kandidaturave me këtë kombësi në zgjedhjet evropiane e lokale kudo në kontinent, tregues i përfshirjes së tyre të plotë në shoqëritë ku jetojnë.
Ela Daci, pjesë e panelit dhe e një forumi informal të quajtur Albanians for EU – që ka për objektiv informimin e publikut mbi BE-në -, na deklaron se ky takim meriton vëmendje si një risi për shqiptarët e diasporës. “Duhet të organizohemi gjithnjë e më fort për të tilla takime, që bëjnë bashkësinë të ndërgjegjësohet mbi vlerën e vet dhe i japin një vetëdije informative më të madhe” – na pohon ajo.
Për aderimin shqiptar në BE klima gjeopolitike mbetet plot të papritura fatkeqësisht. Për organizimin e shqiptarëve në diasporë, ndërkohë, klima sociale mund dhe duhet të jetë vetëm e hapur. Takime si ky mendojmë se e ndihmojnë këtë klimë.–
Ela Daci, Expert on European & NATO projects +39 347 1794749