Home KRYESORE Anullimi i 30 qershorit, shkarkimi i presidentit, institucionet e nëpërhumbura

Anullimi i 30 qershorit, shkarkimi i presidentit, institucionet e nëpërhumbura

Interpretimet ligjore pamundësojnë pikëmbështetjen e plotë te vetë ligji apo Kushtetuta, për shkak të mish-masheve që lidhen me institucionet e nëpërhumbura të shkaktuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur rëndom si “procesi i “Vetting”-ut”

Denion Ndrenika

Kryeministri Edi Rama nuk e përmendi shkarkimin, por tha të dielën në Burrel se kryetari Ilir Meta ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrë pasi anulloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Deklarata e zotit Rama lexohet si paralajmërim shkarkimi pasi presidenti Meta e shfuqizoi mbrëmjen e së shtunës dekretin për zgejdhjet, referuar Kushetteiutës, të lëshuar jo më vonë se 9 muaj nga data e mbarimit të detyrës së të zgjedhurve.

Interpretimet ligjore pamundësojnë pikëmbështetjen e plotë te vetë ligji apo Kushtetuta, për shkak të mish-masheve që lidhen me institucionet e nëpërhumbura të shkaktuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur rëndom si “procesi i “Vetting”-ut”.

Sipas nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti shkarkohet me 2/3 e votave në Kuvend për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë dhe nëse Gjykata Kushtetuese e miraton fajësinë e Presidentit.

Pra, duhet vërtetuar nëse dekretai për shfuqizimin e vendoreve të 30 qershorit është shkelje e rëndë e Kushtetutës apo kryerje e një krimi të rëndë.

Neni 90 thotë:

1-Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij (Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008).

2-Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

3-Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Në nenin 91 thuhet se kur Presidenti ka pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.

Presidenti ka të drejtë ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e mundshëm të shkarkimit nga Kuvendi.

Pika 2 e nenit 91 thekson: Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.

Por, në Shqipëri për shkak të moskalimit të vetingut nga gjyqtarët, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon dhe të gjitha rrethanat e parapara kanë ngërçe.

Plotësimi sipas pritshmërive i vendeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duket i vështirë, sepse presidenti emëron 3 prej gjyqtarëve dhe në rastin e shkarkimit të tij, kush e ushtron këtë të drejtë?

Sakaq, sipas nenit 92 presidenti shpall zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore (shkronja “gj”: “(Presidenti) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”.

Presidenti i Republikës, po sipas nenti 90, pika 1, “nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”.

Kryeministri tha se akti i presidentit për shfuqizimin e 30 qershorit, ishte politikisht vetëvrasje, ligjërisht nul dhe moralisht turp si s’ka më turp!

Kryeministri e ironizoi presidentin si “shpëtimtar të opozitës” dhe opozitarët si “ata që kishin mbetur në rrugë” dhe shtoi se presidenti dhe opozita nuk duan reformën në drejtësi.

Për zotin Rama anullimi i zgjedhjeve nuk është “çmenduria e fundit” e presidentit, të cilit i kujtoi se fati në politikë vetëshkruhet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të vendosë për ecurinë e procesit dhe fushatën sepse çka ka nisur dhe vazhdon, lidhet me dekretin e 30 qershorit, tashmë të shfuqizuar.

Sipas Kushtetutës, zgjedhjet i bie të zhvillohen në vjeshtë, por presidenti nuk caktoi ndonjë datë të re dhe as bisedoi me kryetarët e grupeve të deputetëve, të shumicës qeverisëse apo të opozitës mandatdorëzuar apo opozitës zëvendësuese.

Presidenti tha se do ta arsyetojë të hënën anullimin e zgjedhjeve dhe fajësoi qeverinë dhe opozitën që nuk tërhiqen nga kërkesat e tejskajshme.

Zoti Meta tha se duke qenë i shqetësuar thellë, ka vetëdije të plotë se kushtet e Shqipërisë nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse.

Sipas presidentit, zgjedhjet e lira e të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagenit dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake.

Share: