Home KRYESORE Kostumi i ri

Kostumi i ri

Tregim nga Robert Goro –

  • Ku je, bos! – iu përgjigj shoku i zyrës “mjes”- it tim. Dhe, pa më dhënë kohë për të reaguar, vazhdoi: – Na hiqesh si fakir, por e paske e dhe ti mikun… S’kam ç’ them! Je i madh!
    Më në fund munda ta pyes:
  • Si është puna?
  • Të kërkojnë lart, por shko më mirë të ta thotë xhaxhi.
    Si dreqin është puna?, pyeta përsëri, kësaj here veten time. “Lart” ishte vetëm një gjë: selia e Komitetit Qendror të Partisë, kurse “xhaxhi” ishte kryeredaktori im.
    Trokita një herë në portën e rëndë prej arre dhe hyra.
  • Më jep një cigare! – tha xhaxhi, para se të ngrinte sytë, – Se ku mutin i humbas gjithmonë.
    Mes gjithë atij vandaku me letra e gazeta, mirë që s’humbiste dhe vetë…
    Pasi e përgjysmoi cigaren me dy të thithura, xhaxhi kaloi dorën përmes flokëve dhe u kollit. Ishte gati për të folur. U ula përballë tij dhe ndeza cigare dhe për vete.
  • Sot është një ditë mjaft e rëndësishme për ty, edhe për gazetën; por sidomos për ty. Të kërkojnë lart. Një delegacion gazetarësh nga Burkina Faso do të vizitojë shokun Neti. (Shoku Neti ishte shefi ynë i drejtëpërdrejtë atje “lart”). Do të përkthesh. Siç e sheh, është një nder i madh dhe vlerësim për ty, por dhe për ne që të afirmuam. E di se nuk është nevoja të të jap këshilla, mirëpo ki mendjen se mos lëshosh ndonjë glasë, siç e ke zakon.
  • Mos ki merak, xhaxhi, do të të nderoj!
  • Ashtu bravo! Shko tani në shtepi, mi i arave, të rruhesh, të bësh edhe një dush që të heqësh përçin.
    Mi i arave, ishte shprehja më e dashur e shefit; edhe kur të lëvdonte, edhe kur të shante, njëlloj të thoshte.
    Teksa po tërhiqja derën pas vetes, e dëgjova të më thërriste: Më dhjetë të jesh te hyrja. Do të dërgoj makinën të të marrë në shtëpi.
    U ktheva në zyrë që të merrja çantën.
  • Bosi, – më tha Fatja, – mos u kthe duarbosh që andej, na nok ndonjë shishe konjak e ndonje paketë cigare!
  • Mos ki merak! – i fola duke dalë. ***
    Sa kohë po lahesha në banjë, kisha vënë të vetmin pantallon poshtë dyshekut që t’i shtroheshin paksa rrudhat. Më keq ishin bërë! Njëra këpucë kishte hapur sapo gojën, në një gjysmëbuzëqeshje. Edhe të gjeja këpucë të tjera, nuk kisha para t’i paguaja, kështu që, për bukuri qenë edhe këpucët e shqyera. Se ku gjeta dhe një gravatë harta- harta nga njollat e verës, dhe pas pesë minutash isha bërë dhëndërr.
    Makina mbërriti më dhjetë pa pesë. Kujtim shoferi ndezi të gjitha dritat dhe, me dorën te borija e këmbën ngjitur te pedali i gazit, vërshoi në rrugë si të ishte zjarrfikëse.
    Lashë letërnjoftimin te një sportel dhe kalova për kontroll. Llambushka e pajisjes së kontrollit ndizej e fikej dhe dëgjohej vetëm një bip-bip gërricës. Ke sende metalike me vete?, më pyeti oficeri. Kisha gjashtë monedha 20 qindarkëshe. I nxorra nga xhepi dhe i lashë mbi tavolinë. Pajisja e kontrollit nuk u ndie më dhe u ndez drita jeshile. Në rregull. Drejtoria e shtypit ishte në katin e katërt. Qenë tetë palë shkallë; në të tretën nisa të gulçoj. Nuk ka ashensor?, pyeta shoqëruesin, një djalë 22-vjeçar me kokë të qethur zero. Ashensori është për shokët e udhëheqjes, m’u përgjigj.
    Gjersa mbërritëm, kisha bërë edhe njëherë dush. Vetëm se kësaj radhe isha me gjithë rroba.
  • Përkthyesi,- foli shoqëruesi kur mbërritëm te paradhoma e shokut Neti.
  • Ah, shumë mirë!- ia bëri sekretari i fshehur pas një mali me dosje e gazeta; pastaj u ngrit në majë të malit dhe më pa. U ngrys:
  • Si qenke kështu?!… Si faturino!… Ç’janë këto rroba që ke veshur?!
    U nervozova. M’u kujtuan fjalët e shefit tim për glasën. Bëji mutin!, i thashë vetes. Dhe sekretarit:
  • Puna ime është gazetar e jo përkthyes, ta dija kështu – ju siguroj, do të kisha marrë masat e nevojshme që dje!
    Qeshi me gjithë shpirt, ose bëri sikur qeshi kështu; kishte tre dhëmbë të florinjtë.
  • Ah, humori juaj!… Prandaj e duam kaq shumë gazetën. Ulu!
    Trokiti te një portë më të djathtë, ndoshta te shefi. U kthye pas njëzetë sekondash, hapi një tjetër portë majtas dhe ma bëri me dorë.
    Në anë të dhomës ishte një bar i vogël. Frigorifer, pije të ndryshme, një aparat ekspresi; në anën tjetër një gardërobë e tërë. Nja njëzetë kostume, këmisha, një bylyk me gravata, këpucë… Ça dreqin, dyqan e kishin këtë?
    Më hodhi një vështrim nga maja e kokës në fund të këmbëve. Mori një kostum gri me vija të holla, këmishë të bardhë, gravatë gri me riga të kuqe.
  • Hajde, -tha, – vishi, është kostum i shokut Neti
    Më kundroi përsëri: Për këpucë si t’ia bëjmë… Këpucët tona janë të paktën dy numra më të vogla…. Nejse, – tha pasi u mendua pak, – s’prish punë. T’i mbash këpucët fshehur poshtë karriges.
    Kostumi ishte si i qepur enkas për mua. Ndihesha vërtet tjetër njeri dhe ndejta për disa çaste duke admiruar si i babëzitur veten time. ***
    Takimi zgjati pesë orë. Pasi glorifikuam vendin tonë, që ishte i vetmi fanar i socializmit në botë, pasi i shkërdhyem karaputanën kapitalizmit, imperializmit e gjithë izmave të tjerë, shoku Neti shtroi një drekë për nder të bythëzinjve që do të ktheheshin në vendin e tyre, të udhëhiqnin edhe ata masat popullore për ndërtimin e socializmit. Edhe gjatë drekës vazhdoi orgjia seksuale ku viktimat qenë kapitalizmi, imperializmi dhe gjithë izmat e tjerë. S’është nevoja të them se unë nuk vura as edhe një çap bukë në gojë. Të gjithë ata flisnin kaq shumë, a thua se në hotel Dajti u kishin servirur sapun për mëngjes.
    Kur u ngritën për t’u larguar, shoku Neti nuk harroi t’u thoshte se mua më kishin “një nga djemtë më të mirë” dhe se gazeta jonë ishte “dobësia më e madhe e tij”, natyrisht, pas organit zyrtar të partisë…
    Dola bashkë me zezakët; zbritëm me ashensor. Kur shtrënguam duart, më thanë se do të më dërgonin menjëherë ftesën për të vizituar Burkina Fason; akoma e pres atë ftesë…
    Mora leternjoftimin, përshëndeta oficerin dhe dola jashtë.
    Ndieja një kënaqësi thuajse seksuale, tek ecja në trotuarin e gjerë, nën pishat vigane.
    -M’u thinj bytha vërtet,- thashë me vete për takimin,- ama hallall e pastë, fitova një kostum!… Im atë, 30 vjet mjek mburrej me kostumin që pati blerë me kursimet e studentllëkut. ***
    Tek po ecja, ndjeva vapë dhe thashë të kthehem te Taivani për ndonjë birrë të ftohtë. Për gazetën as që më bëhej vonë. Pastaj, xhaxhi s’kishte për të thënë gjë, përderisa ia kisha çuar për mrekulli dhe s’kisha lëshuar asnjë glasë…
    Një sirenë uturiu prapa krahëve te mi, por s’i dhashë rëndësi. Mirëpo instiktivisht u detyrova të mbaj këmbët kur dëgjova “Shoku gazetar, shoku gazetar”. Meqë në atë pjesë rruge s’kishte frymë njeriu, “shoku gazetar” duhej të isha unë.
    U ktheva. Ishte sirena. Një xhip Rand Rover që sapo kishte ardhur nga jashtë dhe për ditë të tëra ishte bërë objekt admirimi rrugëve të Tiranës.
  • Shoku gazetar, ju kërkojnë në Komitetin Qendror, në zyrën e shokut Neti.
    Ç’të ishte kjo?… Mendja më shkoi te këpucët. Do të kishin gjetur ndonjë palë në numrin tim.
    Në hyrje nuk më kontrolluan – shenjë e mirë. Lashë vetëm letërnjoftimin. I ngjita me një frymë shkallët dhe trokita.
  • Ç’janë këto që bën?! – m’u hakërrye sekretari, – Si ikën dhe merr kostumin me vete? Mos e ke të tyt eti?… A e din se kjo e ka emrin shpërdorim i pasurisë së çmuar shtetërore?
    Dhjetë minuta më parë shoku Neti u thoshte bythëzinjve se kapitali më i çmuar në vendin tonë është njeriu. A mos vallë unë nuk i përkisja kësaj kategorie?
    Më duket se vërtet nuk i përkisja.
    Shkova në mejhanen time të dashur ku mund të pija veresie sa të plasja, e deri në mesnatë rrekesha të gjeja se cilës kategori i përkisja. Dhe jo vetëm që këtë s’e gjeta, por, kur u ktheva treçerek i dehur në dhomën time, mora vesh se kisha humbur edhe xhaketën time të pocaqisur. Dhe nuk isha në gjendje të dija: e kisha harruar gjëkundi apo ma kishin përlarë…
    Athinë, 1997
Share: