Nga Desar Sulejmani
Shoqëria shqiptare, kudo ku ajo jeton brenda tërësisë së saj shtetërore, ndodhet prej kohësh nën një trysni sa të jashtme gjeopolitike (mungesa e arritjes së një marrëveshjeje historike me kombin serb), po ashtu të brendshme (problemet politike ditore përkatëse janë të kudondodhura në vendet shqiptare). Kështu gati në mënyrë periodike popullsia shqiptare po përjeton drama të forta sociale (probleme të shumta familjare, skandalet e fundit të vrasjeve dhe përdhunimeve brenda familjes apo komunitetit të ngushtë lokal, mungesa kronike e funksionimit të shtetit ligjor, më saktë, sjellja klanore, tribale në shumë raste e strukturave mbrojtëse shtetërore), qoftë edhe si rezultat i ndërhyrjeve nga jashtë për të nxitur trazira politike, shoqërore e ekonomike, të cilat padyshim krijojnë një gjendje të vazhdueshme trishtimi, mungese qëndrueshmërie shtetërore, një psikozë ankthi dhe prag shpërthimi popullor. E gjithë kjo ndodh paralelisht me vezullimin propagandistik po gjithashtu të kudondodhur e që intensifikohet gjithmonë në prag zgjedhjesh!
Relativisht e njëjtë mund të vrojtohet edhe gjendja shoqërore në Shqipërinë e 6-8 vite përpara, saktësisht gjithmonë kur një “elitë” qeverisëse e kalon një mandat parlamentar 4 – vjeçar dhe merr timonin e drejtimit, besimit popullor për një mandat të dytë. E gjithë kjo gjendje, e parë në këtë rast në një plan më afatgjatë, tregon mbi një mungesë ecjeje përpara të gjithë zhvillimit të përgjithshëm kombëtar, tregon një atmosfere absurde drejt kthimit të përhershëm në pikën zero. Kjo situatë shpërthyese, gati-gati e përhershme, e kudondodhur, edhe atëherë kur lufta politike ditore, “grindjet” nga jashtë mes “elitave” qeverisëse – opozitare, vetëm sa e heq në mënyrë djallëzore vëmendjen nga thelbi i çështjes dhe na risjell në kujtesë faktin real të një mungese të theksuar perspektive, të një zhgënjimi të provuar popullor ndaj përfaqësuesve politikë të tanishëm të të gjithë kombit shqiptar. Paçka se analiza mbi gjithë këtë gjendje kombëtare, “status quo” – në shqiptare, kërkon shtjellime të zgjeruara, kërkime e hulumtime shkencore të mirëfillta, të cilat do të na drejtonin detyrimisht drejt një të vërtete më të kapshme për të gjithë, më pak të manipulueshme, me më pak pikëpyetje, sot do donim te ndaleshim vetëm në tre nga aspektet më spektakolare të kohëve të fundit në zhvillimet politike në Shqipëri:
a) protestat e partive opozitare kundër qeverisë;
b) rezistenca dhe sjellja e ekipit qeveritar mbi to;
si dhe se fundmi
c) publikimi i përgjimeve në prag të zgjedhjeve lokale në Dibër apo Durrës nga e përditshmja BILD në Gjermani.
Duke i rradhitur këto tre ngjarje si të mirë menduara apo si pjesë e një mozaiku të përbashkët, zgjodhëm të nisnim nga e treta, sepse si histori, mund të perceptohet gjerësisht si ajo me më shume ndikim.
Peter Tiede, një gazetar gjerman nga Prigniz (shteti federal i Berlin-Branderburgut-ut), i punësuar si drejtor i raportuesve në departamentin e politikës / korrespondent i politikës së brendshme në gazetën e përditshme bulevardeske gjermane BILD (burimet e informacioneve janë te bazuara nga te dhënat zyrtare ne www.bild.de apo www.xing.de) nisi me 14 maj 2019 të publikonte lajme mbi Shqipërinë, atëherë, duke iu referuar protestave të partive opozitare, të cilat kishin përshkallëzuar metodat e tyre vepruese.
Edhe pse bild.de (sipas një kërkimi të lehtë në internet) ka mbi rreth 1 000 përkime me emrin Albanien – Shqipëri, ku lidhjet ndonjëherë janë shumë periferike, Peter Tiede, si drejtor i reporterëve, shkruan relativisht vonë në lidhje me zhvillimet në vend, ndërkohë që opozita siç shkruan ai “….kishte pothuajse një vit që e kishte braktisur parlamentin…!!!!!”.
Këtu është e rëndësishme të theksohet, se Peter Tiede gjithë historinë në lidhje me përgjimet e bujshme në Durrës dhe Dibër e ka vendosur vetëm në platformën online të gazetës BILD (faqet përkatëse, të cilat janë të zhvilluara në formatin WordPress në platformën bild.de, duken të përgatitura me shumë gjasa nga vetë Peter Tiede, pra pa redaktimin përkatës të redaksisë së BILD, përmbajnë shumë gabime formale, në përkthim, apo informacione kontradiktore me njëra – tjetrën), ndërkohë e gjithë historia nuk është botuar në gazetën e shtypur. Vetë natyra bulevardeske e gazetës, titujt bombastike, por me mungesa të shumta analize të saktë, përfundimet e shkruara, të cilat janë përherë të një natyre populiste (duke u rezervuar për t’i etiketuar si fashiste) dhe mbeten peng i një klientele, shtrese të ulët intelektuale gjermane, nuk i jep Shqipërisë statusin e një vendi interesant për publikun vendas. Sidoqoftë shqiptarët janë pjesë e BILD vetëm atëherë kur ndodh ndonjë skandal mes bandave kriminale në qytete të ndryshme gjermane, ndonjë raportim për kapje sasie të caktuar droge, apo luftë skuadrash kriminale për ruajtje territori në pazare të ndaluara. Me pak fjalë, do të ishte tërësisht NAIVE, nëse do prisnim ndonjë analizë apo largpamësi të theksuar politike nga gazeta në fjalë, apo qoftë edhe z. Tiede. E shumta një propagandë!
Sidoqoftë, popullariteti i BILD, pikërisht edhe në sajë të stilit sipërfaqësor, propagandistik, e bëjnë gazetën, segmente të caktuara të saj, në këtë rast edhe Peter Tiede, një platformë (online) interesante, një ndërmjetës të vlefshëm për oferta të ndryshme si reklamë politike, edhe jashtë Gjermanisë. Në fund të fundit edhe BILD, si pjesë e perandorisë mediatike të Axel Springer Verlag AG, duhet të sjellë fitimet përkatëse, ashtu sikurse edhe gazetarët e saj janë pjesë e një sistemi që lidhet me shëndetin financiar të gazetës.
Duke u kthyer përsëri artikullit të parë të Peter Tiede me 14 maj 2019: “Aufstand in Albanien – Revolucion në Shqipëri”, gazetari shkon në linjë paralele me formatin e gazetës, e pasqyron në mënyrë hiperbolike, ilustruar edhe me fotografi, një protestë të partive opozitare, nga e cila pati edhe përplasje të forta mes një grupi të protestuesve dhe policisë së shtetit. Në atë kohë gazetarin gjerman e njihnin vetëm pak persona, aq më pak ishte ai hero i ditës në opinionin e gjerë në Shqipëri. Serinë e artikujve Peter Tiede e vazhdoi më pas me 5, 17 dhe 19 qershor 2019, në të cilat ai i prezantoi publikut (në këtë rast shqiptar – vetë gazeta BILD nuk ka patur asnjë reagim zyrtar, ose më saktë nuk ka treguar interes për t’i botuar me faqosje artikujt konkretë) përgjime të drejtuara dhe zotëruara nga organet e prokurorisë së Krimeve të Rënda të Republikës së Shqipërisë. Në këto artikuj ai është shpeshherë kontradiktor si p.sh. në informacionet se “….ka qenë vetë në Shqipëri dhe i ka hulumtuar personalisht të gjitha çështjet….”, apo diku tjetër “….informacionet i ka marrë nga struktura të hetimit, prokurorë, policë trima nga radhët e organeve hetuese shqiptare, të cilët janë përndjekur, ose kanë emigruar…”.
Peter Tiede, edhe pse me stilin e tij gazetaresk në shkrimet përkatëse bile ngatërron hera-herës edhe pozicionet zyrtare të funksionarëve të shtetit shqiptar (fakt që të krijon të paktën një hije dyshimi, nëse ai me të vërtetë ka dijeni të mjaftueshme mbi organizimin shtetëror në Shqipëri), ai përsëri është në kornizat e lartpërmendura të stilit politik të BILD.
Duke i shkuar sidoqoftë kërkimit deri në fund, rezulton që Peter Tiede i ka marrë informacionet përgjuese nga një dorë politike, më saktë nga prokurorët afër partisë më të madhe opozitare, ose të simotrës së saj politike.
Nga ana tjetër, gazetari gjerman, nga shfaqjet e tija publike në llogaritë personale në mediat sociale mori pa dashje, nën ngazëllim e sipër, rolin e një prokurori të paftuar dhe në shumë raste duke nxjerre konkluzione të gabuara mbi situatën në Shqipëri. Është mjaft interesant vëzhgimi që mund t’i bëhet daljeve publike të z. Tiede gjatë atyre ditëve kur paralajmëroheshin përgjimet. Ai, siç duket i ndodhur nën një trysni masive të komentuesve shqiptarë, pro dhe kundra publikimeve, ndjeu kënaqësinë e të qenit protagonist, paçka se në fakt ai ishte një gazetar i instrumentalizuar, edhe nga fakti i vetëm se ishte gjerman dhe kishte hyrje në faqet online të BILD, arsye të mjaftueshme këto për t’u bërë i vlefshëm për një ofertë të caktuar. Në të vërtetë me apo pa dashje, ai i bë palë e njëanshme me një shkelje ligjore të ndodhur brenda mureve të prokurorisë së Krimeve të Rënda, atje nga ku në fakt duhet të dilnin VETËM fletë – arrestet përkatëse si pjesë e hetimeve mbi baza profesionale.
Gjithashtu interesant mbetet fakti i mbështetjes masive me llogari online anonime, personalizimi deri ne delir i gjithë çështjes, mungesa e një paanësie profesionale, kundërpërgjigjet në shume raste foshnjarake, aspak të denja për një profesionist të vërtetë të gazetarisë gjermane, apo mospërballimi real i një “shitstorm-i” në internet nga miratues apo kundërshtarë të publikimeve të tija, përfundimet e cekëta politike, sidomos mënyra me përzgjedhje e publikimit të përgjimeve, elementë të gjithë këto, që tregonin se i gjithë ky aksion ishte pjesë e rëndësishme e një oferte afatshkurtër politike, e cila nuk ishte menduar aspak si një vizion për të luftuar fenomenin mbi të cilin po bëhej fjalë. Ishte kjo një ofertë, e cila ishte përgatitur dukshëm në Tiranë, nga ku edhe dirigjohej, nga ku ishte përcaktuar deri edhe reagimi në mediat përkatëse sociale, sidomos kur dihet tashmë përdorimi i zgjeruar i saj nga shqiptarët. Redaktorët e vërtetë të gjithë kësaj historie ishin kujdesur deri në detaj edhe mbi faktin, se tek shqiptarët, me militantizmin e tyre të theksuar partiak (në këtë rast si bashkëfajtorë të një mbështetje të dhënë përfaqësuesve të gabuar) në përgjithësi është krijuar përshtypja (tërësisht e gabuar), që diçka që thuhet nga të huajt, ka më tepër peshë, merret më shumë për bazë vlerësimi. Sidomos nëse kjo thuhet nga një gazetar gjerman (në këtë rast aspak hulumtues), i cili shpeshherë humbet vetëpërmbajtjen profesionale dhe ekzaltohet nga fotografi të dërguara nga terreni me emrin e tij duke e kthyer gjithë vlerën e përgjimeve në një shfaqje butaforike “alla shqiptarçe”. Edhe atëherë kur Peter Tiede mundohet te jete i paanshëm ne integritetin e tij gazetaresk, kur shkruan në artikullin e tij të fundit me 19 qershor 2019:
Das Problem in Albanien: Es gibt so gut wie keine politische Kraft, die als „sauber“ gilt. Die Regierung beschuldigt die Opposition, Gelder aus Russland angenommen zu haben. Das Verfassungsgericht und das Oberste Gericht sind seit einem Jahr nicht beschlussfähig, weil es kaum noch Richter gab, die nach Ansicht der Mehrheit im Parlament ihre Einkünfte schlüssig erklären konnten. Aber genau diese Gerichte müssten über die Wahlmanipulationen urteilen, wenn es denn jemals zu Anklagen käme.
Problemi në Shqipëri: Nuk gjendet anembanë asnjë force politike, e cila mund të quhet “ e pastër”. Qeveria akuzon opozitën, që ka marrë para (financohet) nga Rusia. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë prej një vitit jashtë funksionit, sepse sipas shumicës parlamentare nuk gjenden gjyqtarë, të cilët mund t’i justifikojnë të ardhurat e tyre në mënyrë të rregullt. Janë pikërisht këto gjykata, të cilat duhet të gjykojnë rastet e manipulimit, nëse me të vërtete ato do ngriheshin në statusin e një akuze t mirëfilltë.
Siç shikohet edhe në paragrafin e mësipërm, Peter Tiede edhe pse shkurtimisht mundohet të jetë asnjanës, duke vazhduar më tutje, tregon qartazi që nuk ia ka idenë e funksionimit të shtetit shqiptar duke manipuluar kështu hapur një opinion të tërë në lidhje me arsyet e mungesës së funksionimit apo fushën e veprimit të Gjykatës Kushtetuese, apo Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë.
Si rrjedhojë e gjithë kësaj historie, do doja të shtroja sot një pyetje të thjeshtë: Pse nuk u veprua atëherë nga prokurorët Hajdarmataj & Co. në lidhje me gjithë çështjet që kanë të bëjnë me blerjen e votës në Shqipëri, praktikë e përdorur kjo gjerësisht nga të gjitha palët politike? A mos vallë mospërdorimi i këtyre materialeve me ndjeshmëri të lartë politike në kohën e duhur është menduar që atëherë si shpëtim, si shashka e fundit, garanci politike për vetë ata prokurore kur edhe vetë prokurorët po e ndjenin nga afër trysninë politike ndërkombëtare mbi domosdoshmërinë e riformatimit rrënjësor të gjithë sistemit të drejtësisë në Shqipëri?
A kemi të bëjmë këtu me një dorë të ligë (në këtë rast politike), e cila me vetë mënyrën sesi ua prezantoi të gjithë informacionet përkatëse shqiptarëve, mendoi më shumë për një përfitim sipërfaqësor e jetëshkurtër politik dhe aspak mbi zgjidhjen e fenomenit, i cili ka hedhur rrënjë në fakt gjatë viteve të qeverisjes së saj dhe që nuk u ndërpre asnjëherë, përkundrazi siç po shikohet në ditët tona është sofistikuar si sistem?
Gjithashtu të rëndësishme na sillen pyetje thelbësore që mund të shtrohen në gjithë këtë zhurmë mediatike, në tërë këtë ngarkesë të lartë politike, si p.sh.: A kanë një vlerë të vërtetë këto përgjime me rreze të gjerë në përfaqësimin politik në Shqipëri? A janë (ndër të tjera) këto përgjime shkëndija e duhur për ndryshime radikale, në formën e një ndryshimi konceptual nga poshtë, të gjithë politikbërjes në Shqipëri, e më tutje në vendet shqiptare?
Nëse do bazohemi mbi përgjigjet e profesionisteve të sistemit të drejtësisë, në planin juridik këto përgjime, majtas e djathtas politikës shqiptare, për fat të keq, për shkak të kohës së gjatë të (mos)hetimit rigoroz, mungesës së vullnetit politik/ligjor për të nxjerrë në kohë fletë-arrestet përkatëse, siç duket e kanë humbur vlerën e tyre procedurale. Është ky një fakt i thatë, ligjor e normativ, i cili e shfuqizon gjithë tymnajën e krijuar rreth tyre. Pavlefshmëria e procedurale e këtyre përgjimeve, mungesa e një bazë ligjore veprimi drejt vendosjes së shembujve të vërtetë, të cilët mund të çonin mendësitë kriminale pas hekurave, i bën ato fatkeqësisht të pavlera drejt arritjes së qëllimit përfundimtar. Në fakt akumulimi i durimit e ka pjekuar sot me shumë se kurrë momentin, në të cilin duhet të pushohet tashmë vetëm së foluri mbi një fenomen te caktuar, ndërkohë që forca e ligjit duhet të veproje mbi çdokënd, për ta çrrënjosur çdo metodë dhe veprim kriminal, në çdo hallkë të përfaqësimit politik, apo shtetëror. Kjo është një rrugë e gjatë, por jo e pamundur!
Një nga arsyet kryesore që kombi shqiptar gëlon akoma nën sundimin e paligjshmërisë, në të shumtën e rasteve politike, ka të bëjë pikërisht me mungesën e zbatimit të ligjit, mbetjen e fajit pa emër, mosndëshkimin politik e publik, mosdergimin mbrapa hekurave të burgut të një elementi, grupi, apo mendësie kriminale politike. Persa kohë që elemente të tillë të rëndësishëm, kushte parësore drejt çmontimit të një politike të papërgjegjshme nuk funksionojnë në bazë të legjitimitetit të tyre juridik, çdokush i prekur, jo vetëm nga këto përgjime nuk do ta ndjejë frikën nga veprimi i ligjit, forcën e tij për t’i shpënë të gjithë si të barabartë drejt bankës së të akuzuarve.
Por a ka e gjithë kjo stuhi përgjimesh një vlerë reale morale, politike dhe e menduar me gjerë, një vlerë shoqërore? Përgjigja e sinqertë është PO!
Duke dëgjuar hapur mes vetes, ndër të tjera mënyrën e punës, nivelin kulturor, gjuhësor e intelektual përtokë, “mendësinë” e punës, mungesën e rregullave, mungesën e respektit ndaj pozicionit shtetëror mbi supe, çdokush e ka tashmë të qartë akoma më shumë sa shume është kalbëzuar, sa pa dinjitet është e gjithë klasa politike shqiptare sot, segmente të caktuara shtetërore të saja, sa të padenjë janë shumica e përfaqësuesve të saj për të qenë shembuj të mirëfilltë shoqërorë, modele të një arritjeje të vërtetë njerëzore, udhërrëfyes të një shoqërie të tërë për një jetë plot dinjitet e punë në vendlindje. Nga ana tjetër shqiptarët po tregojnë një mungese të theksuar të ndërgjegjësimit shoqëror pa dallim politik. Dalja në protesta, në krye të të cilave gjenden përfaqësues politikë të inkriminuar gjerësisht, që u kanë shpëtuar dyerve të drejtësisë me procedura apo imunitet parlamentar, rrufjanë politikë, që nuk dine sesi t’i justifikojnë pasuritë e vena nga miq suedezë, kunetër, mbesa e nipër jashtë vendit, që tallen gjithë ditën e ditës me popullin shqiptar, është po aq pa qëllim dhe thjesht militantizëm politik i tejskajshëm, ashtu sikur edhe mos reagimi mbarëpopullor, bojkotimi i hapur dhe i vetëdijshëm i mitingjeve të palës tjetër (edhe pse kjo lidhet shpeshherë me ruajtjen e vendit të punës), e cila as që mendon të marre mbi vete përgjegjësitë politike mbi gjendjen e krijuar nga mëkatet dhe skandalet tashmë të përditshme, por del e bën spektakël bajat me filxhanë fallxhoresh, fluturime helikopterësh, e batuta pa shije dhe aspak serioze në lidhje me situatën, duke mbrojtur bile në mënyrë të pacipë, ose duke u spërdredhur nëpër emisione televizive, pa ditur të kërkojë falje publike, duke i paraprirë një veprimi dorëheqjeje. Në këtë rast, edhe pse thelbi i përgjimeve e nxjerr moralisht menjëherë jashtë loje një forcë të caktuar politike, leadership-in e saj, mungesa e një trysnie të vërtetë popullore, e cila ngjizet nga një vetëdijesim i përgjithshëm social mbi gjithçka po ndodh në Shqipëri – ky si një mekanizëm i domosdoshëm në mungesë të një politikë pa struktura të vërteta reflektimi e vetëpastrimi, norma etike përfaqësimi, apo ruajtjeje integriteti parimor – , bën që të arrihet në absurditete të tilla, ku secili politikan i përfolur apo nën hetim mjaftohet me ndonjë kërkim faljeje të thjeshtë në mediat sociale dhe çdo gjë mbaron atje.
Së fundmi është absolutisht e nevojshme që shqiptarët të çlirohen nga gjykimet politike ditore dhe të ndërgjegjësohen masivisht në lidhje me përgjegjësinë qe u jep liria e të menduarit jashtë kornizave partiake, jashtë dogmave të përditshme, që rëndojnë në shëndetin tyre mendor, perceptimet thelbësore dhe mbi të gjitha errësojnë gjykimin e drejtë e të paanshëm mbi gjithçka negative që po ndodh në Shqipëri e kudo rreth saj. Ka ardhur koha që shqiptarët të shkëputen një herë e përgjithmonë e me përgjegjësi të lartë kombëtare nga një rreth sociopatësh të kudondodhur në politikë, media, arsim, kulturë, kërkim shkencor, përfaqësuesit e të cilit jo vetëm që mbajnë peng me paudhësitë e tyre me dekada një komb të tërë, por mbi të gjitha e kanë dërguar atë me vetë dije të plotë në prag të një humnere sociale, kulturore, arsimore, politike e ekonomike.
Sot më shumë se kurrë duhet t’i thuhet MJAFT kësaj marrëzie kriminale politike ndaj popullit shqiptar! E diela e ardhshme, me shëtitjet familjare, takimet mes miqve e shokëve në natyrë, shijimit të bukurive të saja, shplodhjen masive nga politika ditore, JASHTË qyteteve e fshatrave shqiptarë, do t’i jepte një sinjal të fortë çdokujt që mendon se mund të tallet në mënyrë të pacipë me shqiptarët, do të ishte absolutisht guri i parë i hedhur mbi themelet e ndërgjegjësimit afatgjatë mbarëpopullor.
Ky moment do të do të ishte njëkohësisht edhe hapi i parë i çlirimit të vërtetë nga kthetrat frymë mbytëse të sociopatëve politikë në Shqipëri.