Home Approccio Italo Albanese 7 arsye që i bëjnë italianët ta duan Shqipërine!

7 arsye që i bëjnë italianët ta duan Shqipërine!

E dinit që në vitet e fundit ka pasur boom të turistëve italianë në Shqipëri? Eshtë rritur, gjithashtu, edhe numri i italianëve që kanë vendosur të jetojnë në vendin e shqiponjave.

Nëse marrim parasysh emigrimin masiv të shqiptarëve në Itali në vitet ’90, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, është e çuditshme të shohësh tani rrokullisjen e medalies, domethënë italianët që vijnë në Shqipëri për të kërkuar të njëjtën gjë. E megjithatë, ndërsa ecet nëpër rrugët e Tiranës apo edhe në qytete dhe vende të tjera turistike, dëgjohet shumë të flitet italisht.

Por kush janë, përveç turistëve, këta “shqiptarë të rinj”? Janë pensionistë, studentë, sipërmarrës dhe njerëz që kërkojnë punë.

Pensionistë. Numri është gjithnjë në rritje, ka lindur edhe një shoqatë e quajtur “Pensionistë italianë në Shqipëri”

Studentë. Në Shqipëri ekziston një universitet privat i quajtur “Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë”: shumë studentë italianë që nuk e kalojnë provimin e mjekësisë ose farmacisë në Itali e provojne fatin atje dhe nëse pranohen synojnë të marrin një diplomë universitare të njohur plotësisht në Itali.

Sipërmarrës. Si mund të mos flasim për ta? Me taksa shumë të ulëta nga shteti, një fuqi punëtore me kosto të ulët, shpejtësi dhe thjeshtësim në procedurat burokratike, dhe një popullsi ku shumica flet gjuhën italiane, Shqipëria është bërë një tërheqje e ëmbël për të hapur një biznes apo transferuar kompaninë.

Aq është rritur numri i italianëve që jetojnë në Shqipëri, sa është krijuar një komunitet i vërtetë, madje edhe me një faqe në Facebook “Italianët në Shqipëri” e cila ka pothuajse 6,600 anëtarë dhe të cilës ju mund ti referoheni nëse doni informacione mbi Shqipërinë nga italianë të tjerë që jetojnë atje.

E intriguar nga ky fenomen i viteve të fundit, kam biseduar me shumë italianë të çdo kategorie për të kuptuar mendimin e tyre, si ndihen në Shqipëri dhe përse e duan shumë atë.

Këto janë 7 arsyet kryesore:

1) Natyra: në një territor të vogël ka gjithçka, det të kristaltë, male, liqene, lugina, parqe natyrore, shpella

2) Shumë histori dhe kulturë: rrënoja romake, kështjella, muze, qytete muze trashëgimi të UNESCO-s

3) Ushqimi: pëlqehet shumë, si ai shqiptar edhe ai italian i përgatitur nga shqiptarët. Duke pasur parasysh që italianët janë paksa të vështirë për të ngrënë jashtë vendit. Ishte një italian i cili e përkufizoi Shqipërinë si vendin ku “domatja ka shijen e domates” duke iu referuar edhe sasisë së madhe të frutave dhe perimeve cilësore  “si dikur”, të cilat mund të blihen çdo ditë te fshatarët.

4) Mirësjellja dhe mikëpritja e njerëzve. Të gjithë më thanë që janë  të jashtëzakonshme dhe për shumë nga ata është ndoshta arsyeja kryesore për të qëndruar ose per t’u kthyer në Shqipëri.

5) Siguria. Të gjithë, duke përfshirë edhe vajzat që lëvizin vetëm, janë ndjerë  të sigurt edhe duke u kthyer në orën 3 të  natës në rrugët e kryeqytetit dhe janë befasuar nga prania masive e policisë nëpër rrugë.

6) Një jetë shoqërore shumë e pranishme dhe dinamizmi i vendit dhe i njerëzve. Ka nje numër të madh të rinjsh, jetohet shumë jashtë shtëpisë, lokalet dhe restorantet (shumë prej tyre teper të bukura) janë gjithmonë të mbushura me njerëz.

7) Çmimet shumë më të lira se në Itali për ushqim, strehim dhe lloje të ndryshme të shërbimeve personale si dentisti apo estetistja, berberi apo edhe thjesht taksia.

Nëse nuk keni zgjedhur akoma se ku të shkoni me pushime këtë verë, ejani të vizitoni Shqipërinë, unë jam e sigurt që do të jetë një zbulim i mrekullueshëm dhe i befasishëm, për të cilin nuk do të pendoheni …


Sonila Qesaraku

Share: