Kohët e fundit ai ka qenë një nga zërat kritikë brenda PD-së, në mënyrën se si kjo forcë politike po merr vendimet. Këtë të premte në një postim në rrjetet sociale Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së e konsideron fakt shumë të rëndë lënien pa përfaqësi të popullit opozitar në pushtetin qendror dhe vendor.
Në një reagim të gjatë, Ristani kërkon reflektim nga lidershipi demokrat mbi pasojat që solli vendimi për të mos të hyrë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
“Rruga që duhet ndjekur, sipas mendimit tim, kalon nga puna për të rritur besimin dhe angazhimin e mbështetësve të opozitës”, shprehet ish-deputeti i PD.
Duke kërkuar edhe njëherë tjetër reflektim mbi gabimet, Arben Ristani thekson se “Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm.”
Në të kundërt, sipas Ristanit, “uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës.”
Ai flet edhe për nevojën që ka PD për të rivendosur besimin dhe për të rilidhur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë, dhe këtu mbetet shumë punë për t’u bërë./ Opinion.al