Home KRYESORE MEMOUARET E KASAPIT TË BLLOKUT!

MEMOUARET E KASAPIT TË BLLOKUT!

Nga RUDOLF MARKU

Shkruaj mbi gjithë hapësiren e qiejve
Duke përfshirë krejt sferen e Tokës:
Nuk është Tirani që duhet të shajmë
Por shërbyesit që punuan për Tiranin.

Kristian Morgenstern

1.
Një telefonatë më bën të ditur që nesër duhet të filloj punë në Bllok. Më falni që nuk u prezantova, nga profesioni jam kasap. Nga ata që shesin mish npër dyqane, jo nga ata që therin kafshët e gjora. Natyra ime sentimentale ma kundërshton në mënyrën më kategorike pjesëmarrjen në vrasje dhe therrje të çdo gjëje të gjallë. Një lloj budizmi marksist i kohërave moderne.

Në orën Dhjetë më pret në zyrën e vet Udhëheqësi i Madh, shoku Enver.Gjëndem përballë njeriut , portretin e të cilit e kam parë mijëra herë në kronika televizive, në libra, gazeta,revista dhe postër të mëdhenj. Por pamja e tij live është diçka tjetër, frymëzuese dhe hipnotizuese njëherësh. Mirëseardhe, më thotë, me një shkujdesje që ma heq përnjeherë shtangien magjike të para ca sekondave . Je emëruar Kasapi i Bllokut. Dhe më flet për rëndësinë e profesionit të kasapit, me një elokuencë sikur të qe duke ligjëruar për muziken e Vivaldit. – Dëgjo-më thotë me zë të ulët- më kanë njoftuar se je djalë më kulturë dhe di disa gjuhë të huaja. Dhe përnjeherë biseda kthehet në norvegjisht. Edvard Grieg është njëri ndër kompozitorët që atij i pelqen. Në gjermanisht më thotë se kompozitori i preferuar është në fakt Richard Ëagner. Ndersa në një frengjisht të kulluar më tregon për dashurinë e hershme për Bolero-në e Maurice Ravel…Hynë e shoqja e Udhëheqësit të Madh së bashku me një zonjushe së cilës i shkelqen e gjithë qënja.Duket sikur dhoma ndriçohet nga prania e dritës boleare. Të dyja zonjat kanë ardhur thjesht nga kurreshtja që të shohin nëpunësin e ri të Bllokut ( kasap është nënpunësì, më thotë zonja N., gruaja e Udhëheqësit- nuk është profesion, shton ajo me delikatesë duke u drejtuar nga unë).

Zyra ime është një dhomë e stërmadhe katrore, me tavane të lartë. Herë pas here shërben si Gjykatë e Lartë e Drejtësisë . Te Shtunave dhe të Djelave është zyra ime, zyra ku shitet mish i freskët për banorët e Bllokut, ndërsa ditët e javës janë ditët e drejtësisë.

2.

Në ditën e neserme Udhëheqësi i Madh më fton për të pirë kafetë së bashku. Ulem në një kolltuk pranë tij. E ke dëgjuar dhe ti vetë, më thotë me butësi, atë gënjeshtren e madhe sikur populli nuk ka mish të hajë.- Si?- indinjohem përnjeherë unë-deri aty arrin shpifja dhë gënjeshtra e paturpshme, sa të thonë se nuk ka mish nëpër dyqane? Po të mos kishte mish, si do të kishte kasap?-Djalë i zgjuar!- më thotë udhqheqësi në bullgarisht- Vertetë i zgjuar. Dëgjo, më thotë, mbrëmë kam lexuar Franz Kafken. Është shkrimtari im i preferuar. Së bashku me James Joyse-in dhe J.D..Salinger-in. Po ti mos ja thuaj kujt, sepse ( dhe këtu vërtit vështrimn përreth, sikur të sigurohej mirë se nuk kishte asnjë përgjues pranë ): Ministri i Brendshëm më persekuton. Ndjehet përnjeherë se është i frikësuar. Më pelqen natyra fisnike dhe intelektuale e Udhëheqësit. Më tregon me zë të ulët se si Gjashtë Ministra dhe Kryeministri i Vendit janë të bashkuar në një komplot të quajtur Komploti i Berberëve.Vrasje me brisqet e berberëve. Rrënqethem i tëri. Udhëheqësi i Madh, me atë natyren delicate aristoktatike ( thuhet se mbiemri i vertetë i tij është Von Graccus) zë të qajë. Nuk e honeps tradhëtinë, më thotë mes dënesjeve. Fjalinë e fundit e shqipton në një danishte të pastërt të dialektit të Kopenhaagen-it perendimor. Të kujton së tepermi Hametin tragjik.

3.

Në zyrën time gjejë furnizuesin me mish të Bllokut. Është ulur në kolltukun tim, ngjitur me tavolinën e punës. Detyra e tij është që të furnizojë në kohë dyqanet me mish të freskët.
-Dëgjo- më thotë, sapo më sheh- Kurrë mos u frikëso se ndonjeherë nuk do të kesh mish në dyqanin tënd. Dhe shton- Besoj se e ke marrë vesh për gjashtë ministrat komplotist dhe për gjëmën e Kryeministrit të Vendit? Dhe përsëri shton- Sa më shumë komplotistë, aq më shumë mish do kemi nëpër dyqane. Dhe qesh me të madhe si një Mefisto i regjur!

Nuk e kuptoj atë lidhje që ai do të bëj mes ndëshkimit të komplotistëve dhe furnizmimit të sukseshëm me mish të dyqaneve. Vetë blerësit kohët e fundit kanë vënë re se cilësia e mishit që shesim ne, kasapët, është më e freskët dhe më e shijshme se kurrë ndonjëherë! Dhe nuk e di përse, pikërisht në këto çaste, më kujtohet ajo që më pat treguar një shkrimtar kolumbian, Gabriel Garcia Marquez (natyrisht, në spanjisht) …Udhëheqësi i Madh, siç dihet, është miku më i ngushtë i Shkrimtarëve dhe Udhëheqësi i Madh e pat ftuar atë, d.m.th vetë Marquez-in në një darkë intime. Menyja? Ministri i Mbrojtjes i pjekur në Furrë, një specialitet i njohur osman (me seasons t vendit).Ah, sa i shijshëm, më thosh Marquez- aq më tepër se e gjithë biseda u bë nën tingujt e muzikës së Shubertit. Udhëheqësi i Madh kishte folur gjithë kohën për poezinë e Jules Laforgue-t, dhe lidhjen e saj me poezinë e T.S.Elioitit. Këtë bisedë madje e kam përmendur dhe në fjalimin tim të marrjes së Çmimit Nobël, në Sallën e Akademisë Mbretërore të Stokholmit, më thotë në konfidencë Marquez! Ministri i Mbrojtjes qe sërvirur në një pjatancë të stërmadhe argjendi, rrethuar me pirunj me motive folklorike. Marquez këtë e mban mirë në mend. Vetë ai i pëlqen motivet folklorike.

Në orët e vona, aty pas mesnatës, një trokitje e lehtë në derë ma shkundi atë pak përgjumje që po më vinte rrotull. Hyri ajo zonjushe boleare që e kisha parë së bashku me Zonjën e Udhëheqësit të Madh. –Jam e reja e Udhëheqësit të Madh-më tha gjithë ndrojtje dhe delikatesë (në Greqisht të Vjetër). Nuk e di saktëisht se çfarë impulsesh më shtynë të vij në zyrën tënde këtë orë të vonë. Por si një Zonjushe delikate që jam, e di se nuk do të keqkuptohet nga një njeri fisnik si ti (dhe këtu u skuq, si një perendim dielli në pikturat e Paul Gauguin). Por desha të them në mirëbesim se kam sjell këtë shishe të vockël (dhe nxjerr nga sutjeten një shishe të vockël e të bukur, nga ato që mbajnë parfumet e Christian Dior). Jo, jo, nuk është Esprit de Parfums. Është një helm qetësues. Të lutem që t’ia hedhësh në porcionin e mishit që do hajë Zonja N.,, Dhe, duke parë hutimin tim të çastit, shton- Udhehëqësi i Madh është desidenti më i përbetuar i të gjithë kohërave. Dhe nuk ka se si një njeri aq i kulturuar dhe i kultivuar të mos qe desident. Me natyrën e vet aq të ndjeshme dhe delikate, ai vuan aq shumë tek mendon të burgosurit dhe të torturuarit e qelive, tek mendon padrejtësitë e sistemit dhe të pushkatuarit…Sa herë e kam gjetur duke qarë me dënesje…Por bashkëshortja e tij është kundër desidencës. Mendoj sy ky porcion i vogël në shishe e shpëton Udhëheqësin e Madh…

4.

I gjithë vendi u trondit nga vdekja e papritur e Udhëheqësit të Madh. Mjekët e tij dyshojnë për një helmim të sofistikuar. Shishen elegante të Christian Dior (natyrisht, të boshatisur) kohet e fundit ma bleu Muzeu Kombëtar për një shumë tepër të madhe. Aq sa u kanë paguar dhe Austriakëve për përkrenaren e Skënderbeut.
Por sot në mbrëmje vonë, 33 vite më pas, më telefonon Vejusha. Ka dëgjuar se më kanë ftuar në një bisedë televizive në kanalin më të njohur kombëtar. Për të folur rreth librit tim për Bllokun. Më përgëzon për ato që do të them. Qesh me të madhe. Besoj se diku, prej njërit prej yjeve të Gjithësisë, Udhëheqësi Madh na sheh në këto çaste, me atë fisnikërinë dhe ndjeshmërinë e vet arisstokratike të Pallatit të Versajës, dhe lot ngashërimi i dalin natyrshëm nga sytë.doshta kjo është dhe arësyeja përse The Weather Man në ekranin televiziv parashikon të bjerë shi ditën e nesërme.

Shënim i autorit: ( pjesët e tjera të Ditarit do botohen vetëm nëse lexuesit do të jenë të interesuar për leximin e tyre). Gazeta Liberale

Share: