Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Meta hap letrat: Si ma mbyllën telefonin ndërkombëtarët, pasi morën porosi

Meta hap letrat: Si ma mbyllën telefonin ndërkombëtarët, pasi morën porosi

I akuzuar si një nga aktorët politikë që po pengon reformën në drejtësi, Ilir Meta këtë të martë ka hapur letrat. Një javë më parë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni akuzoi kreun e shtetit se kishte bllokuar shortin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite me radhë 2017- 2018.

Por kreu i shtetit ka nxjerrë dokumentet që i ka dërguar ambasadores së BE-së, në atë kohë, Romana Vlahutin dhe ambasadorit të SHBA-së në atë kohë Donald Lu ku e vinte në dijeni për pamundësinë e ushtrimit të kompetencës së tij kushtetuese për hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të KED-së dhe ia kalon këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë. Shkresat mbajnë datën 3 nëntor 2017 dhe 10 nëntor 2017.

“Në këto kushte institucioni i Presidentit të Republikës është në pamundësi për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese, pasi për hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nuk mund të bazohet në kandidatura të propozuara nga një proces “ekstra ligjor” me interpretim. Me përgjegjësinë e lartë dhe me vullnetin e mirë për të mos humbur kohë, Presidenti i Republikës vlerëson se i takon Kuvendit të Shqipërisë, si institucion ligjbërës në Shqipëri, të realizojë procesin e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në frymën e Kushtetutës”, – shkruhet ndër të tjera në dokumentin që presidenti i ka dërguar ish-ambasadores Romana Vlahutin dhe ish-ambasadorit Donald Lu.

Sa i përket deformimeve të refromës në drejtësi, sipas tij që e cilëson si Ramaformë, Meta ka folur me tone të ashpra dhe për ndërkombëtarët.

Ai tha se iu mbyll telefoni, pasi morën porosi politike.

“Tani ata mision teknik janë, çfarë do të bëjnë ata të shkretët?! Dikush do të firmosë për lekët që ata marrin këtu!”, tha Meta

Pjesë nga intervista
Presidenti Meta: Gënjeshtra kaq banale pasi mund t’ju vë në dispozicion letrën publike që unë i kam dërguar në postin e Presidentit ambasadores së Bashkimit Europian dhe EURALIUS-it, ku pikërisht duke treguar vullnetin tim për të hedhur shortin për KED-në si President, i kam bërë të qartë se këtu ka disa probleme, që ne duhet të takoheshim që në fillim të nëntorit, që t’i zgjidhim. Duke pasur parasysh përse dështoi KED-ja e një viti më parë ku unë përsëri e hodha shortin si kryetar i Kuvendit dhe dihet ajo, se është sqaruar se kush e eliminoi. Dhe ky takim është bërë. Unë kam shprehur vullnetin për të hedhur shortin, por para se të hidhnim shortin, duhet të bënim takime me të gjithë drejtuesit e institucioneve: me kryetarin e Kuvendit, me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, me përfaqësuesit e Prokurorisë dhe të gjithë institucionet që kanë të drejtë të propozojnë në KED, në mënyrë që të evitonim debatet se jo ky institucion i ka respektuar kriteret sipas Kushtetutës, sipas ligjit, jo ky nuk i ka respektuar, sepse kuptohet që Presidenti i Republikës është një institucion, i cili çdo detyrë duhet ta përmbushë me shumë përgjegjësi dhe larg kontestimeve apo debateve që krijojnë probleme. Situata ka qenë ekstra…

Gazetarja: Vakancat?

Presidenti Meta: Situata ka qenë ekstra ligjore. Siç gënjen për këtë gënjen edhe për të gjitha. Ky takim është kërkuar nga unë. Hera e parë ndoshta, që është kërkuar nga përfaqësuesi i një institucioni shtetëror dhe ky është institucioni më i lartë, një konsultë. I është kërkuar zyrtarisht Delegacionit të Komisionit Europian këtu. I është kërkuar zyrtarisht EURALIUS-it. Qëllimi ka qenë për të parandaluar bllokimin e KED-së dhe krijimin e kontestimeve. Një ditë përpara se ky takim të bëhej, EURALIUS-i që kishte punë me stafin tim dhe kishim rënë dakord dhe ndanim të njëjtat pikëpamje, e ka anuluar pjesëmarrjen. Atëhere çfarë do të bëja unë? Do të hidhja një short që të fillonin prapë debatet midis përfaqësuesve të PD-së dhe atyre të PS-së? Unë atëhere bëra menjëherë një letër për kryetarin e Kuvendit. Për dijeni edhe për Bashkimin Europian, edhe për ambasadën e Shteteve të Bashkuara, edhe për misionet e tyre…

Gazetarja: Cili qe reagimi?

Presidenti Meta: Jua jap unë të gjitha dokumentet.

Gazetarja: Shkurt.

Presidenti Meta: U kam thënë që duke pasur parasysh këtë situatë, ju lutem shortin po ua kaloj juve pasi situata është e tillë dhe ju jeni organi, i cili mund të bëjë interpretimin më të mirë edhe të Kushtetutës, edhe të legjilacionit.

Gazetarja: Cili institucion mund ta bënte këtë?

Presidenti Meta: Kuvendi.

Gazetarja: Dhe cila qe përgjigja?

Presidenti Meta: Përgjigja ishte se mund të bllokohej përsëri KED-ja. Mund t’i referoheni postimit që kam bërë…

Gazetarja: Po, deklaratës së zotit Ulsi Manja.

Presidenti Meta: Jo, e keni në Facebook. Shikojeni!

Gazetarja: Po, deklaratën e zotit Rama dhe atë të zotit Manja.

Presidenti Meta: Po, shikojini të gjitha.

Gazetarja: Po ndërkombëtarët? Ju thoni që u keni dërguar letër për këtë arsye se përse ju nuk e hidhnit shortin, si dhe pse e dërgonit këtë kompetencë në institucionin e Kuvendit.

Presidenti Meta: Sepse në qoftë se unë do ta ushtroja…

Gazetarja: Cila qe përgjigja e ndërkombëtarëve? Më intereson. Ju ka ardhur përgjigje për këtë gjë?

Presidenti Meta: Po përgjigja dihet: U mbyll telefoni, morën porosi politike. Tani ata mision teknik janë, çfarë do të bëjnë ata të shkretët?! Dikush do të firmosë për lekët që ata marrin këtu!

Gazetarja: Ju e keni të gjithë dokumentacionin?

Presidenti Meta: Nuk jam unë që firmos për këtë gjë.

Gazetarja: Më falni zoti Meta, a e keni të gjithë dokumentacionin?

Presidenti Meta: Po patjetër!

Gazetarja: E letrave dërguar ndërkombëtarëve për pamundësinë tuaj të hedhjes së shortit?

Presidenti Meta: I kam unë të gjitha.

Gazetarja: …dhe delegimit të kësaj kompetence në Kuvend, sepse parashikohet ose Presidenti, ose Kuvendi. Dy janë institucionet.

Presidenti Meta: I kam të gjitha letrat, sepse unë për çështjet e shtetit punoj me shumë përgjegjshmëri dhe me shumë seriozitet. I kam të gjitha letrat, edhe përpara reformës, edhe me ambasadën amerikane, edhe me atë të Bashkimit Europian. Çdo gjë është e dokumentuar. Përgjegjësia ime gjithmonë ka qenë maksimale dhe për fat të keq, aktorët e tjerë kanë përgjegjësitë e tyre në lidhje me këtë situatë ku ne jemi sot. Me këtë situatë të reformës, që nga reformë e kemi kthyer në një “Ramaformë”.

Gazetarja: Kur u bë “Ramformë”? Kur u bë?

Presidenti Meta: U bë ajo që kur shkelën të gjitha afatet kushtetuese, një. Që kur u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm me 69 vota. Ma gjeni në Kushtetutë Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm?! Ma gjeni këtu?

Gazetarja: Ju keni dëgjuar…? Nuk e gjej dot. Unë e di që edhe këshillimi për këtë arsye është bërë.

Presidenti Meta: Një javë, duke kuptuar këto lojërat, të cilat nuk janë të mira dhe i sjellin kaq pasoja vendit, këtu kam qenë me Presidentin e Malit të Zi në vizitë zyrtare. Shikojeni se i keni kronikat dhe kam thënë: Lidhur me çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, i ftoj palët që të fillojnë dialogun për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm sipas standardeve dhe në frymën e Kushtetutës. Se cilat ishin standardet dhe se cila ishte fryma e Kushtetutës, besoj se mund ta gjeni në ndonjë kushtetutë tjetër, por jo në këtë Kushtetutë të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 21-22 korrik me 140 vota dhe që u firmos pas votimit nga unë. Dhe ishte kushtetutë e bërë me Komisionin e Venecias, ishte kushtetutë e bërë me amerikanët, ishte kushtetutë e bërë me europianët.

Gazetarja: T’ju kujtoj diçka zoti Meta, sepse ju përveç se kreu i Shtetit, jeni një politikan me shumë përvojë. Jeni le të themi, i lindur politikisht me pluralizimin shqiptar apo jo?

Presidenti Meta: Diçka e tillë.

Gazetarja: Diçka e tillë. Në rast se…

Presidenti Meta: Ndaj edhe është detyra ime ta mbroj pluralizimin, përveç anës institucionale.

Gazetarja: Uroj me shpirt që të ndodhë kjo gjë! Në një vend ku nuk ka Gjykatë Kushtetuese, Presidenti i Republikës është garanti i fundit i kësaj gjëje. Në rast se nuk do të kishte qenë kandidatura e zonjës Marku, ju mendoni se në Parlament do të kishte qenë një konsensus më i gjerë?

Presidenti Meta: Së pari unë nuk mendoj…

Gazetarja: Apo është gjetur alibia për të bllokuar zgjedhjen me sukses të Prokurorit të Përgjithshëm?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se kjo është një çështje e zonjë Marku apo e zonjës Meçe, po themi, sepse dua të evitoj gjëra të tilla.

Gazetarja: Emrash të përveçëm.

Presidenti Meta: …sepse edhe unë po të isha zgjedhur në atë mënyrë, do ta kisha shumë të vështirë ta bëja punën time në pavarësi të plotë. Edhe po të isha zgjedhur për shembull President i Republikës me 65 vota, nuk do të isha dot në këtë pozitë që kur ka një problem qeveria me interesin shtetëror apo me interesin publik, t’ia kthej. Unë ia kthej, sepse jam zgjedhur konform të gjitha rregullave dhe ligjeve në Republikën e Shqipërisë. Faleminderoj Partinë Socialiste dhe të gjithë deputetët që më zgjodhën President, por më kanë zgjedhur në mënyrën më të ligjshme dhe më kushtetuese që unë të respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, mbi të cilën kam vënë dorën. Dhe unë dorën e kam vënë mbi këtë Kushtetutë, që është edhe kushtetuta e 21-22 korrikut. Në rast se unë kam shkelur këtë Kushtetutë, jo shkelje të rëndë, por edhe shkeljen më të lehtë, unë mbaj çdo lloj përgjegjësie./ Opinion.al

Share: