Home KRYESORE Nën dioptrinë e paanshmërisë!

Nën dioptrinë e paanshmërisë!

Shtetërorja dhe privatja e shqiptarisë sonë

Shqipëria dhe Kosova komponentin shtetërore duhet ta forcojnë në planin e sigurisë, në politikën monetare, në diplomaci e gjetiu, por në anën tjetër, duhet të flakin nga mendësia qasjet monopoliste dhe dirigjuese në ekonomi, e biznes, sepse vetëm duke stimuluar iniciativën private, shteti bëhet i forte në aspekt fiskal, zhvillimor, infrastrukturor e kulturor

Nga Mehmet PRISHTINA

Gjithkujt që i bie të lëviz nëpër hapësirën gjithshqiptare, do të vërej dy imazhe në kontrast që kërkojnë shpjegim në vetvete. Në njërën anë, kemi dorën e privatit që bën të pamundurën që prona e tij të lulëzojë dhe, kemi dorën e shtetit, e cila edhe atë pak zhvillim që po e nxit, po e degradon nga mungesa e strategjisë për hapa të mëtutjeshëm.
Në Republikën e Kosovës, bie fjala, ajo që të paraqitet si imazh fillestar, me përmasa grandioze, është pasioni i shtetit për të ndërtuar autostrada, dhe kjo në shikim të parë asgjë të keqe nuk ka. Madje ekspertët e ekonomisë janë të një mendjeje kur thonë se zhvillimi i një vendi nuk mund të bëhet me infrastrukturë të vjetër rrugore.
Por, gjithçka këtu përfundon sa i  përket dukjes së shtetit në planin optik-publik, sepse pastaj shtetit fillon të mos vërehet dhe madje edhe të zhduket krejt në vrimat e paqarta të neglizhencës dhe kaosit menaxhues në shumë sfera, duke filluar nga shëndetësia e deri te planifikimi hapësinor dhe dembelia e administratës publike e shtetërore.

Ata që janë ithtar të ndërtimit vetëm të autostradave dhe defokusimin nga temat thelbësore zhvillimore, në njërën anë kanë dëshirë të duken se po bëjnë diçka, kurse në anën tjetër nuk janë të aftë të hartojnë strategji për të parandaluar varfërinë, strategji për nxitjen e investimeve të huaja dhe vendore, strategji për një sistem të pavarur të drejtësisë, strategji për një shëndetësi profesionale dhe efikase, me spitale e klinika të konkurrueshme në rajon dhe më gjerë, strategji për një efikasitet shumë më të lart të administratës publike e shtetërore, strategji për stimulimin e zhvillimit agrar, ku një pjesë e madhe e popullsisë do të gjente perspektivë etj. etj.

Në anën tjetër, në Republikën e Shqipërisë dy blloqet e mëdha politike (PD-PS) bëjnë luftë të pakompromis që të shkatërrojnë ato pak të arritura të pushtetit pararendës, i udhëhequr nga oponenti politik. Pastaj fokusin e kritikës e kanë të orientuar në ato çështje negative që paraprakisht kanë qenë vet bartës. 
Pushtetit aktual me vite të tëra e kishte kritikuar Sali Berishën për tolerimin e Lazaratit, si burim kultivimi të lëndëve narkotike, por më pas e mbylli atë dhe lejoi që e tërë Shqipëria të kanabizohet.
Opozita e tanishme kur ishte në pushtet lejoi që të partizohet administrata në përmasa galopante, ndërkohë që aktualisht nga pushtetit aktual kërkon administratë profesionale dhe të liruar nga nepotizmi dhe përshtatshmëria partiake.
Pushtetit aktual po e kritikon opozitën se me protesta dhe djegie mandatesh po i bllokon proceset integruese, ndërkohë që ishte vet ajo e cila kur ishte opozitë bllokonte formimin e Gjykatës Adminstrative dhe disa institucioneve të pavarura dhe me këtë shtynte datën e fillimit të negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Në Shqipëri ka një mal problemesh sa i përket çështjeve adminstrative, duke filluar nga (mos)zgjidhja e kontesteve të shumta pronësore-juridike, e deri te deformimet e shumta në funksionimin e digasterëve që rregullojnë jetën urbane e civile të qytetarëve.
Por, në anën tjetër për çdo ditë sheh nga një guralecë të çmuar në  sipëmarrësinë private shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Atje ka plot raste të kthimit të emigrantëve në vendlindje, jo si mysafirë, por si investues. Kjo është e dukshme sidomos në sferën e turizmit, ku resorte e objekte të shumta hotelerike kanë bërë për vete edhe shijet e stërholluara të turistëve të huaj, ndërkohë që bregdeti shqiptar tash më dy dekada është bërë ‘banka’ më rentabile e nxitjes së ekonomisë shqiptare. 
Nuk janë të paktë edhe shembuj të tjerë. Sipëmarrësia shqiptare, ndonëse në segmente të caktuara edhe informale, megjithatë ka bërë që fytyra sociale e Shqipërisë të shkelqejë, sepse tash më nuk sheh imazhe mjerimi nëpër rrugë, siç ndodhte në fillim të nëntëdhjetave.
Lidhshmëria e emigrantëve për tokën e të parëve dhe kreativiteti i familjarëve të tyre për të ngritur biznese të vogla e të mesme, ka bërë Shqipëria të kapërcejë për disa shkallë edhe shtetet e rajonit për sa i përket zhvillimit social, ekonomik, kulturor, duke e vendosur këtë zhvillim në proporcion me zhvillimin pararendës të Shqipërisë dhe rajonit. 
Prishtina dhe ndonjë qytet tjetër i Kosovës aktualisht gëzon mirëqenie dhe imazh të mirë urban në saje të kthimit të disa djemëve kreativë e të talentuar nga Londra, Berlini, Mynheni,Zyrihu, Vjena etj. të cilët kanë hapur kafeteri e taverna moderne, studio dizajni, kompani ndërtimi, reparte të vogla prodhimi etj. etj.
Si ta bëjmë shtetin të duket dhe të sillet i përgjegjshëm si privati?
Parasegjithash, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për një bashkëpunim substancial, që do të ishte i ndryshëm nga ai që po ndodhë aktualisht, ku dominojnë spektaklet para kamerave dhe moszbatimi i marrëveshjeve bilaterale.
Pastaj, Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë një politikë të vetme zhvillimore, ku do ti përqëndronin të gjitha resurset më kreative humane, duke thithur edhe kapacitet tona intelektuale e profesionale nga diaspora, atje ku shumë emra të shquar nderojnë veten dhe kombin me punët dhe përgjegjësitë që po i kryejnë nëpër kompani e institucione prestigjioze të Europës e Amerikës.
Shqipëria dhe Kosova komponentin shtetëror duhet ta forcojnë në planin e sigurisë, në politikën monetare, në diplomaci e gjetiu, por në anën tjetër, duhet të flakin nga mendësia qasjet monopoliste dhe dirigjuese në ekonomi, e biznes, sepse vetëm duke stimuluar iniciativën private, shteti bëhet i forte në aspekt fiskal, zhvillimor, infrastrukturor e kulturor..

Një Gjermani e fuqishme që sot e shohim (ekonomia e tretë në botë sipas termeve të kursit të këmbimit të dollarit, e pesta sipas “purchasing power parity” (PPP), dhe ekonomia më e madhe në Europë) , nuk do të ishte e tillë sikur shteti të mos krijonte parakushte për funksionimin e gjikantëve të mëdhenjë ekonomiko-industrial, që kaluan në menaxhim nga ana e koncerneve dhe shoqatave të aksionerëve, siç janë Siemensi, Mercedesi, BMW, BASF, Hoechst, Krauss-Maffei Wegmann në Mynih (e cila e prodhon Leopardin).

Suksesi i ekonomisë kombëtare të Gjermanisë mbështetet në filozofinë e një ekonomie sociale të tregut, e cila bazohet nga njëra anë në konkurencën kapitaliste dhe nga ana tjetër i lejon shtetit të jetë korrektues social. Kjo filozofi rrënjët i ka në shekullin e 19-të, në kohën e  Bismarck-u, i ashtuquajturi “kancelar të hekurt”, i cili ishte i pari që hapi rrugën për legjislacionin social, duke krijuar sigurimet për pensionet dhe ato shëndetësore.

Kjo skemë u ngrit dhe u zhvillua me dekada dhe në këtë mënyrë shteti krijoi parakushte për një ndarje të barabartë, pra: gjysmën e paguante punonjësi, gjysmën tjetër e mori përsipër punëdhënësi. Kjo skemë përbën edhe sot esencën e legjislacionit social, i cili u përsos dhe u zhvillua pas Luftës së Dytë Botërore, kurse në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik ky është një infuzion i shkëlqyer për arsye se ekonomia gjermane furnizohet çdo vit me një numër të sigurt punonjësish të specializuar, prej ku përfiton mbi të gjitha klasa e mesme – shtylla kryesore e ekonomisë gjermane, por njëherësh edhe kontigjenti më i madh ipunësimeve. Në fakt kjo kategori ndërmarrjesh përbëjnë me shumë se 90 për qind e sipërmarrësve në Gjermani, kurse shumica prej tyre janë në pronësi familjare.

Jo rastësisht po e marrim Gjermaninë si model, aty ku i ka rrënjët edhe  edukimi im universitar dhe kultura menaxhuese e drejtimit të biznesit, për ta shtri këtë model edhe në praktikat tona të zhvillimit ekonomik dhe në këtë mënyrë suksesi që mban siglën e “Modelit Gjerman” të reflektohet edhe në ambientin tonë ekonomik, politik, social e kulturor.
Por, për t’u arritur kjo, nevojitet një parakusht i madh dhe i domosdoshëm: Shqipëria, Kosova dhe hapësirat shqiptare në vendet e Ballkanit duhet të bëjnë beteja të pakompromis me kastat e vjetra politike, duke i zëvendësuar ato me elita të reja, që frymimin evropian në politikë e përkthen në parametra ekonomikë, kurse përparimin social e shoqëror e shndërron në iluminim kulturor e emancipues.

Ndryshimi duhet të ndodhë tani, sepse vetëm me një qasje të re në politikë, mund të kemi edhe bilance pozitive në ekonomi.

Resurset natyrore e humane nuk i mungojnë hapësirës shqiptare, por mungon vetëm një faktor koheziv që i vë në lëvizje këto resurse. Këtë faktor duhet ta krijojmë patjetër. Alternativë tjetër nuk ka.

Prishtinë, 29 korrik

Share: