Poetja Rita Petro i bën një surprizë me një poezi psikologes së mirënjohur Denata Toçe, e cila është bërë mama për herë të dytë, përsëri me djalë. Ajo çka shkruan Petro lidhet me ndjenjën e mrekullueshme të amësisë, dhe mesazhi i saj është sa i bukur për çdo grua në moshë për riprodhim, por dhe trishtues pêr gratë që nuk mundem më. Gjithësesi, poetja Rita Petro vazhdon të na befasojë me sinqeritetin e saj provokues, duke e mbyllur me vargjet e fundit, se në çdo moshë kënaqësitë nuk mungojnë, ndonëse të ndryshme.
GËZOJE KËTË KËNAQËSI!
Kushtuar Denata Toçes dhe çdo gruaje tjetër të aftë për riprodhim…
Mikesha ime e bukur
E mençur, elegante
Me forma sensuale intriguese,
Gëzoju amësisë tënde
Momentit kur mashkulli yt të thotë:
Dua të të lë me barrë!
Nuk ka gjë më të përsosur
Se harmonia e seksit me dëshirën e riprodhimit
Bota nuk do të ripërtërihej dot.
Të kam zili pasi vetë jam në një moshë
Që nuk mundem më,
Të kam zili që tashmë e çliruar
Nga ndjesia e mbartjes
Foshnja jote gudulis thithën e cicës tënde,
Të kam zili për ato aroma qumështore
Në shtëpinë tënde,
Për netët e pagjuma prej gugitjeve të foshnjës,
Dhe mëngjeset që zbukurojnë ditën
Me qeshje dhe qarje foshnjore.
Gëzoji mikesha ime e adhuruar këto çaste
Që fluturojnë,
E shyqyr Zoti
Për mua që jam grua në moshë
E çdo grua tjetër edhe më të moshuar se unë
Ka rezervuar të tjera kënaqësi.
Gezohu mikesha ime e bukur me këto çaste
Larg zhurmës idiote urbane
Jemi femijë të Zotit e të askujt tjetri
Që pretendon të bëhet zot i jetës sonë.
Ta kam zili!
Tërhiqem në paqen time
Duke pritur në heshtje
Që ta dëgjoj të paktën edhe njëherë
Atë zë të bukur mashkullor:
Dua të të lë me barrë!