Kryministri Rama ka reaguar sot në mëngjes përsëri përsa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar. Pozicioni i tij mesa duket mbetet i pandryshuar pavarësisht protestës dhe ngjarjeve që ndodhën ditën e djeshme.
“Zoti u shtoftë inatin, që të na shtojnë takatin” shkruan Rama në postimin e tij në Facebook të cilin e shoqëron me një video ku tregohen disa nga zonat e rikonstruktuara në Tiranë.
“Nisi kundër këndit të lojërave, pastaj kundër sheshit Skënderbej, kundër Pazarit të Ri, Kundër bulevardit të ri, kundër stadiumit të ri, tani kundër Teatrit të Ri” shkruhet në video.
Artistët dhe qytetarët në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar protestuan dje gjatë gjithë ditës deri sa arritën “të marrin” godinën. Forcat e policisë u tërhoqën në mbrëmje pasi për disa orë rrethuan godinën me artistët brenda dhe nuk lejuan që aty të futeshin ushqime ose ujë.
Qëndresës së qytetarëve iu bashkua edhe opozita, ndërkohë që kryetari i saj , Lulzim Basha paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje me Aleancën për Teatrin ditën e sotme në orën 11:30.
Debati për Teatrin ka nisur që prej fillimit të vitit të shkuar, kur qeveria bëri të njohur projektin për shembjen e tij dhë ndërtimin e një godine të re, pas së cilës qëndron një projekt i paracaktuar për një kompleks ndërtimesh shumëkatëshe që do të ngrihen nga kompania private “Fusha”. Qeveria ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës se projekti ka qenë një ofertë e pa kërkuar e kompanisë “Fusha”, me pretendimin se ajo ka një pjesë të pronësisë mbi truallin, ndonëse jo më shumë se tre përqind.
Por faktet kanë dëshmuar se ajo ka qenë një ofertë e koordinuar më parë me qeverinë e cila fillimisht paraqiti një ligj të posaçëm i cili u kritikua dhe nga Komisioni europian, për shkak se projekti shmangte një garë të hapur.
Socialistët bënë më pas ndryshime në ligj, duke vendosur hapjen e një gare, por e gjitha duket të jetë vetëm në letër, pasi asnjë konkurrent tjetër nuk plotëson të paktën kushtin që të marrë miratimin e të gjithë pronarëve të truallit, pasi i duhet të marrë leje dhe nga kompania Fusha./ Opinion.al