Presidentit të Republikës, Ilir Meta i ka rikthyer në Kuvend një tjetër ligj Qeverisë “Rama”. Në dekretin e kreut të shtetit të publikuar sot, Presidenti ka kthyer edhe një herë për shqyrtim në Parlament ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Ligji në fjalë edhe pse ka disa amendime në dukje të parëndësishme, cenon direkt pronarët e pronave. Sipas ligjit, nëse qeveria vendos të ndërtojë një vepër publike në pronë priave nuk ka detyrim të kërkojë pëlqimin apo miratimin e pronarit të truallit. Një ligj i tillë, që përjashton pëlqimin e pronarëve vë në pikëpyetje gjithë procedurat ligjore për pronën, pasi çdo pronar mund të shpronësohet në bazë të vendimeve të qeverisë, pa lejen e tij.
“Në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve mbi të cilin realizohet vepra. Për këtë shkak, zbatimi i këtij neni sipas formulimit aktual, mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të interesit publik. Aplikimi i pikës 2, të nenit 8 të ligjit nr. 42/2019, mund të sjellë konflikt të vazhdueshëm midis sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e pasurive pronë private, mbi të cilat realizohet ndërtimi/vepra”,- thuhet në argumentet e kreut të shtetit për kthimin e ligjit.
Ligji në fjalë prashikon që të zgjidhë konflikte si ai të Unaza e Re ku pronarëve po u shemben shtëpitë për shkak të një projekti publik, por nuk u jepen dëshpërblime sipas vlerës së tregut. Gjithashtu, ligji në fjalë mund të shpjegohet edhe me atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar, ku për shkak të projekteve të biznesit privat po shkatërrohet pasuria publike dhe trashëgimia kulturore.
LIGJ I KTHYER PËR RISHQYRTIM NGA PRESIDENTI
Presidentit të Republikës në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, me Dekretin nr. 11235, datë 23.07.2019, ka vendosur :
Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 42/2019 ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’’, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e nenit 8 të këtij ligji, sipas arsyetimit bashkëlidhur.
Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 4 korrik 2019, ka miratuar ligjin nr. 42/2019, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’’.
Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 42/2019 duke bërë një analizë të thelluar të përmbajtjes së tij në raport me respektimin e parimeve kushtetuese dhe interesin publik.
Argumentet kryesore për kthimin e ligjit:
Ky projektligj është nisëm ligjore e Këshillit të Ministrave e përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nga shqyrtimi rezulton se nuk është konsultuar me ministritë e tjera që lidhen me përmbajtjen dhe efektet e aktit, apo me grupet e interesit.
Për më tepër përveç se procesi i konsultimit publik dhe i bashkërendimit të detyrueshëm institucional nuk është kryer, Këshilli i Ministrave ka kërkuar dhe Kuvendi i Shqipërisë e ka pranuar duke realizuar shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar.
Nuk rezulton e arsyetuar se përse është shmangur procesi i konsultimit publik dhe i bashkërendimit institucional dhe cila është nevoja urgjente e shfaqur për shqyrtimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar.
Neni 8 i ligjit nr. 42/2019, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë ka parashikuar disa shtesa në nenin 48 të ligjit aktual nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’ të cilat rregullojnë procesin e ndryshimit të projekteve ndërtimore gjatë fazës së zbatimit të tyre. Këto dispozita aplikohen si për investime publike shtetëror ashtu dhe për investime me karater privat.
Presidenti i Republikës çmon se, neni 8 i ligjit nr. 42/2019, i paraqitur për shpallje, është jo i plotë dhe i paqartë në formulim.
Sipas kësaj dispozite në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve mbi të cilin realizohet vepra.
Për këtë shkak, zbatimi i këtij neni sipas formulimit aktual, mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të interesit publik.
Aplikimi i pikës 2, të nenit 8 të ligjit nr. 42/2019, mund të sjellë konflikt të vazhdueshëm midis sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e pasurive pronë private, mbi të cilat realizohet ndërtimi/vepra.
Ndryshimi i projektit gjatë zbatimit të tij sjell ndryshim të veprës që po ndërtohet, është e nevojshme që ligjbërësi në këto ndryshime ligjore, duhet të mbajë parasysh edhe rregullimin e procedurës së rishikimit të lejes së ndërtimit dhe projektit me qëllim që ky proces të shoqërohet me pjesëmarrjen dhe shprehjen e vullnetit edhe të pronarit të pasurive pronë private, mbi të cilin ndërtohet vepra.
Dispozitat ligjore dhe ndërhyrjet në legjislacion që kanë lidhje me të drejtën e pronësisë apo me të drejtat e tjera reale që lidhen me të, duhet të jenë të mirëmenduara, të qarta dhe të plota me qëllim që, aplikimi në praktikë të mos cenojë aspak dhe në asnjë rast këtë të drejtë.
Me paqartësinë dhe dykuptimësinë që ka dispozita e nenit 8 të ligjit nr. 42/2019, bëhet e pakuptueshme mbi mënyrën sesi ajo do të aplikohet në praktikë. Pikërisht kjo paqartësi dhe mungesë rregullimi prej ligjit, përbën cenim të parimit të sigurisë juridike.
Gjithashtu nëse qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet këtyre ndryshime në ligj synojnë të rregullojnë ato çështje që kanë lindur, apo lidhen me rishikimin e kushteve të lejes dhe ndryshimin e projektit gjatë ndërtimit për veprat ndërtimore të sipërmarrjeve publike, atëherë ky qëllim duhet të shprehet qartë dhe të parashikohet në mënyrë të plotë në dispozitën e propozuar për ndryshim, duke përmirësuar kështu përmbajtjen e saj.
Presidenti i Republikës, vlerëson të domosodshme të theksojë se, ndërhyrjet në dispozitat e nenit 48 të ligjit nr. 107/2014, që parashikojnë mundësinë e ndryshimit të projekteve ndërtimore publike gjatë fazës së zbatimit të tyre, duhet të jenë në harmoni me kuadrin ligjor në fuqi të prokurimit publik dhe partneritetit publik privat në mënyrë që çdo ndryshim ligjor që bëhet dhe që ka si synim parashikimin me ligj të ndryshimit të projekteve për veprat publike infrastrukturore gjatë zbatimit të tyre, të mos devijojë nga zbatimi i kuadrit ligjor ekzistues, si dhe të garantojë ruajtjen dhe mirëpërdorimin e financave publike.
Në këtë mënyrë çdo ndërhyrje në ligj nuk duhet të krijojë asnjë hapësirë për keqintepretim, gjë e cila mund të sjellë në praktikë keqpërdorim të fondeve publike e rrjedhimisht dhe cënim të interesit publik.
Nëse ky ndryshim ligjor i referohet vetëm aplikimit për projektet ndërtimore apo veprave me iniciativë private, atëherë ligjvënësi duhet të qartësojë në mënyrë të sigurtë dhe shteruese, se cila do të jetë procedura për realizimin e procesit të konsultimit, midis pronarëve të truallit, investitorëve dhe sipërmarrësve për ndryshimin e kushteve të lejes dhe projekteve gjatë fazës së zbatimit.
Në këtë mënyrë shmangen në praktikë konfliktet gjyqësore midis palëve, si dhe qartësohet me ligj procesi përfshi këtu dhe detyrimet e autoritetit publik, kur ndryshimet në projekt vijnë për shkak të ndërhyrjes së interesit publik dhe që duhet të përkojnë më një shpërblim të drejtë për kostot që kjo ndërhyrje shkakton në dëm të interesave të palëve private.
Presidenti i Republikës vlerëson se është çasti që neni 8 i ligjit nr. 42/2019 duhet të rishikohet edhe një herë nga Kuvendi me qëllim përmirësimin, plotësimin dhe qartësimin tërësor të dispozitës ligjore, në mënyrë që aplikimi i saj jo vetëm të sigurojë një bazë ligjore të shëndoshë për organet publike, por të garantojë që të drejtat e pronësisë të shtetasve apo çdo e drejtë tjetër reale e lidhur me të, të mbrohet dhe të mos cenohet nga zbatimi në praktikë i këtij ndryshimi ligjor.
Bazuar këto arsye kryesore, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin e ligjit nr. 42/2019, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar,’’ për tu rishqyrtuar nga Kuvendi me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e nenit 8 të këtij ligji.
Dekreti dhe arsyet janë të publikuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës