Home KRYESORE Protestuesit “marrin” Teatrin Kombëtar, tërhiqet policia

Protestuesit “marrin” Teatrin Kombëtar, tërhiqet policia

Pasi rezistuan për më shumë se 12 orë pa ujë dhe pa ushqime në temperatura të larta, grupit të artistëve, iu janë bashkuar rreh orës 21:30 edhe qytetarët protestues.
Gjatë pasdites ka patur disa përplasje mes policisë dhe protestuesve, që janë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Në mbrëmje vonë më pas policia u tërhoq, ndërsa duke rrethuar gjithë godinën nuk lejonin as futjen e ujit dhe ushqimeve. Protestuesit u futën brenda godinës, ndërsa nuk munguan thirrjet: Fitore; Poshtë Diktatura.

Situata ka qenë e tensionuar që prej paradites, ku artistë dhe përfaqësues të opozitës kanë qëndruar aty pasi kanë marrë njoftim se ambientet e Teatrit po zbrazeshin. Bashkia e Tiranës ndërkohë ka konfirmuar se shembja e godinës nuk do të bëhej gjatë ditës së sotme.

Debati për Teatrin ka nisur që prej fillimit të vitit të shkuar, kur qeveria bëri të njohur projektin për shembjen e tij dhë ndërtimin e një godine të re, pas së cilës qëndron një projekt i paracaktuar për një kompleks ndërtimesh shumëkatëshe që do të ngrihen nga kompania private “Fusha”. Qeveria ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës se projekti ka qenë një ofertë e pa kërkuar e kompanisë “Fusha”, me pretendimin se ajo ka një pjesë të pronësisë mbi truallin, ndonëse jo më shumë se tre përqind.

Por faktet kanë dëshmuar se ajo ka qenë një ofertë e koordinuar më parë me qeverinë e cila fillimisht paraqiti një ligj të posaçëm i cili u kritikua dhe nga Komisioni europian, për shkak se projekti shmangte një garë të hapur.

Socialistët bënë më pas ndryshime në ligj, duke vendosur hapjen e një gare, por e gjitha duket të jetë vetëm në letër, pasi asnjë konkurrent tjetër nuk plotëson të paktën kushtin që të marrë miratimin e të gjithë pronarëve të truallit, pasi i duhet të marrë leje dhe nga kompania Fusha./ Opinion.al

Share: