Këshilli Bashkiak i Shkodrës, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ngërçin e krijuar për drejtimin e bashkisë.
Pas konstituimit të Këshillit të ri të Bashkisë së Shkodrës, vendi i kryetarit të bashkisë u bë një mollë sherri për politikën e gushtit. Socialistët nga ana e tyre nuk duan që drejtimin e bashkisë ta vijojë Voltana Ademi, por në mungesën e një kryetari të zgjedhur, ekuacioni ligjor duket se komplikohet edhe më shumë.
Ekspertë të çështjeve zgjedhore pohojnë se jemi përpara një rasti shumë të komplikuar nga pikëpamja ligjore. Ata theksojnë se nëse Valdrin Pjetri paraditen e së hënës do të ishte betuar si kryetar i Bashkisë Shkodër e më pas Kryeministri do ta shkarkonte menjëherë, atëherë situata do të ishte më pak e komplikuar.
Por a ka kompetencë ligjore Këshilli Bashkiak Shkodër t’i drejtohet KQZ-së? Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ-së, deklaroi për televizionin “Top Channel” se Këshilli nuk ka ndjekur rrugën e duhur për të zgjidhur këtë situatë.
“Pasi Këshilli Bashkiak Shkodër verifikoi vakancën e krijuar nga dorëheqja e zotit Pjetri, për mendimin tim duhet që të njoftonte për këtë vakancë prefektin e Qarkut të Shkodrës, i cili njofton pas kësaj Kryeministrin e vendit. Nuk e kuptoj pse Këshilli Bashkiak do të njoftojë KQZ-në, ndërkohë që ky proces për këtë të fundit është i mbyllur, për sa kohë ai ka deklaruar vendimin përfundimtar për zgjedhjet e 30 Qershorit. Duke qenë se vakanca nuk është krijuar si rezultat i veprimit të një personi përkatës sipas ligjit të dekriminalizimit, konstatim që në këtë rast do ta bënte KQZ-ja e të shpallte pavlefshmërinë e mandatit, por kemi të bëjmë me një dorëheqje. Prandaj nuk e shikoj se çfarë mund të bëjë KQZ”, sqaroi Kume.
Për zgjidhjen e kësaj krize për Bashkinë e Shkodrës, Kume theksoi se gjithçka është në dorë të Presidentit Meta.
“Jemi në kushtet kur është krijuar një vakancë në Bashkinë e Shkodrës që duhet të plotësohet vetëm përmes një procesi zgjedhor. Pra, ribërje e zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë Shkodër. Dhe për këtë është natyrisht e nevojshme që data të përcaktohet nga Presidenti i Republikës, ashtu siç e përcakton Kodi Zgjedhor. Nuk shoh rrugë tjetër alternative. Çdo zgjidhje tjetër që mund të bëhet, do të jetë zgjidhje e sforcuar për të kapërcyer situatën, pasi duhet të kemi parasysh se cili është qëndrimi Presidentit ndaj këtij problemi. Dhe ajo që arrihet në fund të fundit është shmangia nga kërkesat e atij që duhet të emërtohet si një shtet ligjor: respektimi i ligjit”, përfundoi Kume.
Anëtarët e PS me pushime, në zyrë vetëm Zguri
Gjetja e një zgjidhjeje se kush do ta drejtojë Bashkinë e Shkodrës, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, po kthehet në një sfidë të vërtetë juridike.
Kryetarja e re Këshillit Bashkiak Shkodër, Briseda Kadia, tha dje se për këtë situatë do t’i drejtohen me një kërkesë KQZ-së. Kjo kërkesë nuk ka mbërritur ende në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Por edhe kur të mbërrijë, ajo pritet të hasë në vonesa, pasi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste janë me pushime, ndërsa në zyrë qëndron vetëm Klement Zguri.
Që pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi zyrtarisht pushimet vjetore. Kodi i Punës përcakton se leja vjetore është 28 ditë kalendarike dhe për rrjedhojë, rikthimi i tyre në punë pritet të jetë në fillim të shtatorit./tch