Home KRYESORE Italia e krizave politike, skenarët për të ardhmen

Italia e krizave politike, skenarët për të ardhmen

Që pas Luftës së Dytë Botërore, Italia ka ndërruar plot 65 qeveri. Tani italianët e mësuar më krizat politike, po përgatiten për qeverinë e 66. Me 14 muaj qeverisje koalicioni i të djathtëve dhe populistëve të majtë konsiderohet si një ndër më jetëgjatët në Itali.

Pak ditë më parë, Ministri i Brendshëm italian dhe kryetari i Lega-s së djathtë, Matteo Salvini i dha fund që nga plazhi koalicionit me lëvizjen “Pesë Yjet”. Gjatë një vizite në Pescara ai nuk duroi më, kërkoi zgjedhje të reja dhe shpalli kandidaturën për kryeministër.

Matteo Salvini pas fitores së zgjedhjeve europiane në maj si dhe disa zgjedhjeve rajonale ndihet i fortë për të guxuar kalimin e partisë radikale Lega në Palazzo Chigi, selia e kryeministrit në Romë.

E pazakontë është që kriza qeveritare shpërthen në mes të gushtit, sezonin kryesor të pushimeve në Itali. Në fakt italianët janë të ambientuar me krizat qeveritare. Dhe tani po fitet për skenarët e mundshëm.  Kryeministri italian (pa parti) Guiseppe Conte do të shtrojë në parlament, që tani ndodhet në pushimet e verës, çështjen e votëbesimit. Për t’i dhënë një patericë kryeministrit, Lega e Salvinit ka deklaruar, se do të kërkojë votëbesimin.

Pas kësaj deputetët e Pesë Yjeve dhe Lega duhet të pozicionohen qartë. Megjithatë kjo procedurë ka një kosto të lartë, sepse deputetët duhet të ndërpresin pushimet dhe të kthehen enkas në Romë. Për këtë Salvini ka moton: “Ata duhet të lëvizin nga vendi për të ardhur këtu.”

Nëse Giuseppe Conte nuk merr shumicën, presidenti Sergio Mattarella mund të mandatojë një tjetër politikan që të krijojë mazhorancën qeveritare. Nëse kjo lëvizje dështon, Mattarella mund të angazhojë një qeveri teknike, që ta qeverisë Italinë deri në vjeshtë. Kreu i shtetit, që më parë ka lënë të nënkuptohet, se nuk i preferon populistët e kalibrit të Salvinit, mund ta shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja. Zgjedhjet mund të zhvillohen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, por edhe në fund të vitit.

Në sondazhe Matteo Salvini me Legan radikale të djathtë arrin të ketë një mbështetje prej 36%. Pesë Yjet, themeluar e drejtuar prej humoristit Luigi Di Maio, kanë rënë në vendin e tretë. Në zgjedhjet e vitit 2018 kjo parti ishte më e forta. Salvinit për qeverisje i duhej mbështetja e “Fratelli d’Italia”, që sipas normave gjermane mund të klasifikohet si parti fashiste apo neonaziste. Nuk përjashtohet as një koalicion me “Forza Italia” të Silvio Berlusconit. Ish-kryeministri mund të dalë si mbështetës i kryeministrit të ardhshëm. Por ka edhe mundësi që ai të jetë vet kandidati kryesor i partisë së tij nacional-konservatore./ Opinion.al

Share: