Pak muaj pasi qeveria anuloi procedurat për ndërtimin me koncesion PPP të autostradës Thumanë – Kashar kundrejt vlerës rreth 330 milionë euro, një studim fizibiliteti që tashmë ka përfunduar, me financimin e donatorëve, tregon se, kosto e segmentit është 169 milionë euro ose gati 50% më lirë se koncesioni.
Studimi i fizibilitetit për autostradën Thumanë – Kashar, pjesë e autostradës Adriatiko –Joniane, ka përfunduar duke rezultuar me kosto 169 milionë euro. Lajmi njoftohet nga Ministria e Infrastrukturës në “Raportin e monitorimit të strategjisë së zhvillimit të transportit për vitin 2016-2020”. Në të njëjtin dokument bëhet e ditur se për segmentin në fjalë është gati studimi i fizibilitetit dhe projekti teknik.
Qeveria, në të njëjtën kohë që nisi procedurat e koncesionit, të cilin e fitoi kompania Gener 2, autorizoi një studim fizibiliteti që u financua nga donatorët për autostradën Adriatiko – Joniane, pjesë e së cilës është edhe boshti i qendrës me aksin Thumanë – Kashar. Ky segment është ndër më të rëndësishmit e autostradës, pasi kalon në një gjurmë tërësisht të re në zonën e qendrës së vendit, e cila është e mbingarkuar nga trafiku.
Autostrada Adriatiko-Joniane ishte projekti i vetëm i infrastrukturës rrugore shqiptare që ka marrë financime nga Bashkimi Europian nëpërmjet Nismës së Berlinit. Të gjitha segmentet e këtij aksi, nga kufiri në Malin e Zi në zonën e Shkodrës deri në kufijtë jugorë me Greqinë do të financoheshin nga Bashkimi Europian. Pavarësisht këtij fakti, qeveria e Shqipërisë, nisi të ndërtonte me PPP kundrejt kostove shumë më të larta për projektin e vetëm i cili mund të siguronte financime të huaja.
Madje, kontratat për ndërtimin me PPP për dy akse të autostradës, Milot – Balldren dhe Thumanë – Kashar u dhanë ende pa përfunduar studimi i fizibilitetit.
Qeveria e anuloi koncesionin e aksit Thumanë – Kashar në janar të këtij viti, kur sapo kishin përfunduar protestat studentore, me argumentin se fondet do të devijoheshin për të plotësuar nevojat e arsimit të lartë.
Në projektbuxhetin 2019, qeveria raportoi se kishte planifikuar të financonte segmentin Thumanë – Kashar me vlerë 45.5 miliardë lekë ose rreth 330 milionë euro.
Gjurma e rrugës fillon nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë – Krujës. Gjurma e rrugës vijon me një kthesë djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krah të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë –Durrës)
Qasja e qeverisë për autostradën Adriatiko – Joniane mbetet paradoksale, pasi segmenti Milot – Balldren, edhe pse më pak i rëndësishëm, po financohet me koncesion PPP, ku kompania ANK do të ndërtojë 15 kilometër kundrejt 300 milionë eurove (36 miliardë lekë) sipas parashikimeve në kuadrin afatmesëm buxhetor./monitor.al