Home Gjeo-Ekonomia Si po na rrjep karteli i bankave! Nga Klodian Tomori

Si po na rrjep karteli i bankave! Nga Klodian Tomori

Karteli ligjor i bankave që ka ngritur koncesioni i qeverisë

Nën petkun e luftës kundër ekonomisë informale, përgjatë dy dekadave të fundit qeveritë shqiptare njëra pas tjetrës i kanë dhënë jetë dhe kanë ngritur një skemë monstruoze grabitjeje, në qendër të të cilave qëndron sistemi financiar. E gjithë skema është ngritur dhe mbrohet me forcën abuzive të ligjit, i cili çon ujë vetëm në një krah, tek bankat, ndërsa qytetarët janë të detyruar të paguajnë haraçet kriminale.

Fillimisht ishte detyrimi me ligj për të kaluar të gjitha pagat përmes sistemit bankar. Më pas të gjitha pagesat e biznesit mbi kufirin 150 mijë lekë dhe masa e fundit është detyrimi i çdo biznesi për të patur llogari bankare, pavarësisht aktivitetit që ai ushtron. Si rezultat, çdo transaksion ekonomik, që qytetarët kryejnë në jetën e përditshme janë të detyruar ta bëjnë përmes bankave, pa patur fuqinë minimale të negocimit për kostot.

I gjithë ky korpus ligjor i ka vënë qytetarët në një pozitë të pafuqishme përballë bankave, ndërsa këto të fundit në një pozitë qartazi dominuese, të cilën mund ta përdorin për fitime abuzive. Kjo fushë loje e pabarabartë ka çuar në një situatë çmendurie, duke e bërë sistemin financiar shqiptar të vetmin në botë, i cili aplikon komisione dyshifrore edhe për veprimet më të thjeshta, që nuk kanë asnjë risk.

Vitin e kaluar, një i njohuri im duhet të kryente një transfertë 288 euro nga një bankë jashtë shtetit tek një bankë vendase. Komisioni që ju ngarkua ishte plot 65 euro ose 22.5 për qind e shumës së transferuar. Transferta ishte e detyruar nga ligji të kalonte përmes bankës. Shkurt duke përdorur aparatin represiv të fuqisë legjislative në anën e tyre, bankat mund të shfrytëzojnë ekonomikisht qytetarët deri në nivele çmendurie.

Praktikisht prej disa vitesh, biznesi kryesor i bankave janë bërë komisionet dhe veprimet pa risk me borxhin e qeverisë. Kjo ka krijuar një incentivë perverse, e cila dëmton jo vetëm qytetarët por të gjithë ekonominë kombëtare. Duke patur fitime të garantuara nga komisionet dhe blerja pa risk e borxhit të qeverisë, bankat nuk kanë asnjë nxitje të kryejnë rolin kryesor për të cilin ato ekzistojnë, ndërmjetësimin financiar. Pra të grumbullojnë depozitat e qytetarëve për t’i shpërndarë si kredi për ekonominë. E madje, u lejon drejtuesve të tyre që të përfshihen edhe në marrëveshje okulte, pra të japin kredi të cilat kanë risk të lartë kthimi përkundrejt rryshfeteve.

Nuk është rastësi, e madje është rast unikal në botë, që një sistem financiar të rezultojë çdo vit fitimprurës edhe pse niveli i kredive të këqija arriti deri në 25 për qind dhe kreditimi real i ekonomisë prej 6 vitesh është në stanjacion të plotë.

Kjo situatë perverse nuk është e rastësishme. Fuqia lobuese e bankave është e jashtëzakonshme dhe sa herë që dikush tenton të vendosë barazinë në fushën e lojës dhe të thyejë këtë qerthull negativ ato përdorin pushtetin për ta ndaluar. Arben Malaj, anëtari ende në detyrë i Bordit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë ka kërkuar disa herë përgatitjen e listës së zezë të bankierëve, të cilët kanë rekordet më negative në treguesit e kredisë së keqe. Por pavarësisht kësaj institucioni i Bankës së Shqipërisë, të paktën deri tani nuk e ka mbështetur ndërmarrjen e një hapi të tillë.

Kjo është një situatë, e cila nuk mund të vazhdojë më kështu. Jo vetëm për shkak të padrejtësisë, por edhe sepse dëmton rëndë ekonominë. Ka ardhur koha që Banka e Shqipërisë, rregullatori i sistemit, të kuptojë se është një institucion publik, që i përket qytetarëve dhe nuk është krijuar për të qenë palë në kartelin ligjor të bankave. Nga ana tjetër, qeveria duhet të rishikojë tërësisht korpusin rregullator të sistemit financiar, për të mbrojtur qytetarët nga koncesioni gjigand dhe abuziv që ka krijuar në sistemin financiar.

Share: