Nga Gladiola JORBUS
Kanë kaluar katër vite qëkur Gabriel Garcia Marquez, personaliteti i rëndësishëm i letrave latine dhe botërore, është larguar përgjithmonë nga kjo botë. Një jetë e tërë e ndërlidhur me letërsinë, gazetarinë, politikën, botimet, çmimet, listat e zeza, suksesin dhe vetminë…
Ai është pa diskutim hispaniku më i shfletuar dhe më i mirënjohur, profili i shkrimtarit të mirëfilltë që pasohet nga mijëra adhurues në të gjithë botën.
Emri Gabriel Garcia Marquez asociohet gjithnjë me realizmin magjik, dhe sidomos romanin e tij më të famshëm “Njëqind vjet vetmi”. Marquez ka lindur në Aracataka, në Kolumbi, “e diel, 6 mars 1927 në orën nëntë të mëngjesit …” siç shkruan vetë, në kujtimet e tij. Gjyshen e tij Tranquilina Iguaran Cotes, të cilën e quante gjyshe Mina, e përshkruan si “një grua me imagjinatë mahnitëse dhe të dhënë pas besëtytnive”. Ajo e kishte veshur shtëpinë me tregimet e saj mbi fantazmat, parandjenjat, oguret dhe shenjat. Gjyshe Mina është cilësuar nga shkrimtari si ndikimi i parë i madh letrar, si frymëzimi i tij. Mënyra e saj origjinale për të trajtuar të jashtëzakonshmen, si të ishte një e vërtetë e pakundërshtueshme, ka shënjuar romanet e autorit nobelist. Gjithashtu edhe tema e vetmisë përshkon shumë nga veprat e Marquezit. Mund të evidentojmë se romani “Dashuri në kohën e kolerës”, ku shqyrton vetminë e personit dhe të qenies njerëzore … si një portret që përjeton vetminë e dashurisë duke qenë i dashuruar!
Në veprat e tij hasim “obsesionin për të përimtësuar tiparet e identitetit kulturor latinoamerikan dhe atij karaibian”. Po kështu, ai përpiqet të analizojë normat shoqërore të përcaktuara në këtë pjesë të botës dhe jo rrallëherë ndonjë nga personazhet mund të identifikohet si instrument përmes të cilit kritikohen konvencionet dhe paragjykimet e shoqërisë. Në disa nga veprat e tij gjejmë ekskluzivisht realitetin kolumbian. Ai e konsideron atë në një letërsi të paramenduar dhe nuk manifeston asnjë shenjë pendimi për vizionin e shpalosur aty.
Një tjetër temë e rëndësishme e Marquezit është fshati imagjinar Makondo. Ai i referohet qytetit të tij Arakatakës, si një simbolikë kulturore, historike dhe gjeografike. Për të Makondo është një vend, një gjendje shpirtërore, e cila i lejon lexuesit të shohë atë që do dhe ashtu siç do.
Marquez shquhet për mënjanimin e detajeve dhe ngjarjeve në dukje të rëndësishme, në mënyrë të tillë që lexuesi të jetë i detyruar të përvetësojë një rol më aktiv, në rrjedhën e ngjarjeve. Për shembull, te “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”, personazhet kryesore nuk përmenden me emra. Kjo praktikë është imituar nga tragjeditë greke, “Antigona” dhe “Edipi mbret”, në të cilat momentet e rëndësishme janë lënë të zhvillohen në imagjinatën e lexuesit.
Garcia Marquez krijon një mënyrë të jetuari kaq të ngjashme, por në të njëjtën kohë krejtësisht të dallueshme me këtë botë. Teknikisht, ai është realist në pasqyrimin e së vërtetës dhe joreales, duke arritur pothuajse në zbehjen e plotë të kufijve mes tyre. Madje, ai shprehet se “në romanet e mia nuk ka asnjë linjë që të mos jetë e mbështetur në realitet”. Teksa lexojmë dhe rilexojmë me ëndje artikulimet e tij, bindemi se Marquez ka nënshkruar një kontratë me pavdekësinë. A priori!
Marquez mbetet Marquez dhe vepra e tij një testament universal. “Gjatë rrjedhës së viteve të dy mbërritën duke përshkuar rrugë të ndryshme, në përfundimin e mençur se nuk ishte e mundur të jetonin ndryshe, as të duheshin ndryshe; asgjë në këtë botë nuk qenka më e vështirë se dashuria”. “Duhet të përpiqemi ta dëgjojmë zërin e fëmijës që ende është brenda nesh. Nëse e dëgjojmë atë fëmijë, diçka do të fillojë të digjet pas syve tonë prapë. Nëse e humbim lidhjen me atë fëmijë, lidhja jonë me jetën do të përfundojë”. “Asnjë akt lirie nuk është më i mrekullueshëm, se sa të shpikësh botën para një makine shkrimi”. “E nesërmja vjen gjithmonë, dhe jeta na jep edhe një mundësi tjetër për të bërë gjërat e duhura, por në qoftë se unë gabohem dhe e sotmja është gjithçka që kemi, do të më pëlqente të të thoja se të dua, se kurrë s’do të të harroj”.
Kjo s’është veçse një grimcë nga magjia e tij e pakrahasueshme. Për të shijuar paksa nga krijimtaria e El Gabos, le të zhytemi në botën surrealiste dhe ekzotike të veprave të tij, si njëri prej krijuesve më magjepsës të shekullit XX. Ky autor diti të krijonte marrëdhënie empatike me lexuesin, ndriçoi dhe penetroi në shpirtin e tij, pa u shkëputur asnjë moment nga realiteti magjik.
Papritmas, sikur një shakullinë t’i kishte mbjellë rrënjët në qendër të fshatit, kompania e bananes erdhi, e ndjekur nga “Gjethurinat”. Ai nuk guxonte të afrohej, por e thirri me një zë të shurdhër për ta zgjuar atë, kur nuk ishte shkuar ende ora pesë që të niste marshimin, sapo të zbardhte dita, “Gjenerali në labirintin e tij”. Gjatë fundjavës, hutat hynë në shtëpinë presidenciale… dhe në agimin e së hënës, qyteti u zgjua nga letargjia shekullore nën një fllad të ngrohtë dhe të butë… si “Vjeshta e Patriarkut”. Bota ishte e trishtuar që prej së martës, ashtu si “Historia e trishtë dhe e pabesueshme e Erendirës së çiltër dhe e gjyshes së saj të pashpirt”. At Angeli i fshiu qepallat me eshtrat e duarve të tij, hoqi mënjanë rrjetën e tyltë të mushkonjave dhe u ul në tryezën i rraskapitur, i shqetësuar për një çast, koha e nevojshme për të kuptuar se ai ishte gjallë dhe për të kujtuar “Një histori me paskuinë”. Për pesëdhjetë e gjashtë vjet – që nga përfundimi i luftës civile të fundit – koloneli nuk kishte bërë asgjë, përveçse të priste.
Tetori ishte një nga gjërat e pakta që erdhi sepse “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”. E bëri rrugën duke shkuar mes tryezave plot me libra, qëndroi para meje, dhe duke më parë në sy me buzëqeshjen djallëzore të ditëve të saj më të mira, dhe para se të mund të reagoja më tha: ”Jeto për të treguar”. “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” qëkur dolën në dritë eshtrat e adoleshentes, Sierva Maria de Todos los Angeles, floknaja e saj e mahnitshme arrinte 22 metra gjatësi… Ishte e pashmangshme: era e bajameve të hidhura gjithmonë i kujtonte fatin e dashurive të kundërshtuara si “Dashuria në kohërat e kolerës”. Ditën që do ta vrisnin, Santiago Nasari u ngrit në orën 5:30 të mëngjesit dhe shkoi të priste anijen me të cilën po vinte peshkopi si “Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar”. “Unë kurrë nuk shkova në shtrat me një grua pa e paguar atë, dhe ato pak që nuk e ushtronin këtë zanat i kam bindur me hir a me pahir t’i merrnin paratë, qoftë edhe për t’i hedhur në plehra”. Eh! “Kujtime laviresh të trishta”. Cigani ishte i vendosur të qëndronte në fshat. Ai kishte qenë i vdekur, në të vërtetë, por ishte kthyer sepse nuk mund të duronte “100 vjet vetmi”.
Ndërsa vetë krijuesi i ciganit, El Gabo, nuk do të jetë kurrë i detyruar të jetojë në vetmi apo të jetë një emër i harruar, sepse ai njihte energjinë sekrete të jetës.
Shkrimtari, nobelisti, gazetari, skenaristi shprehu një univers të tërë, plot fantazi flakëruese në veprën e tij duke e përjetësuar në fondin e artë të letërsisë botërore, sepse siç u reflektua në publikimin e tij të vitit 2010, “Nuk kam ardhur të mbaj fjalime”; misionin e tij në këtë botë, ai e përmbushi me stilin ëndërrimtar të të shkruarit, me vlerat dhe sofizmat e papërsëritshme.