Home Approccio Italo Albanese Italia mbështet edicionin XIV të Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut

Italia mbështet edicionin XIV të Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut

IHRFFA 2019,

Inaugurimi më 16 shtator me filmin “Tradhtari” të Marco Bellocchio-s

Do të mbahet në Tiranë, në datat 16-21 shtator, në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, Edicioni i XIV i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA),aktivitet ndërkombëtar që përfshin dokumentarë, filma me metrazh të shkurtër dhe artistikë dhe që, përmes mjetit kinematografik dhe dokumentaristik, paraqet një mënyrë të re për të ndërgjegjësuar qytetarët për të drejtat e njeriut, veçanërisht në lidhje me aspektet më të ndjeshme për shoqërinë shqiptare.

Tema qendrore e këtij edicioni është “Injoranca vret” dhe përqendrohet në rëndësinë e arsimimit si një e drejtë themelore për qytetarët në të gjithë botën. Programi përmban mbi 45 filma dhe takime që do të krijojnë mundësinë e shkëmbimit të mendimeve dhe përvojave midis artistëve dhe qytetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Programi i këtij edicioni të XIV të Festivalit do të përurohet me filmin “Il Traditore” (Tradhtari), të Marco Bellocchio-s, prezantuar në konkurrim në Festivalin e Filmit në Kanë 2019 dhe fitues i çmimeve të shumta, përfshirë edhe 7 Nastri d’Argento.

Kinemaja dhe aktivitetet kulturore janë një mjet mjaft i efektshëm për t’iu drejtuar një audience të gjerë dhe Italia, si mbështetëse kryesore i këtij edicioni të IHRFFA-s, si dhe në kuadër të angazhimit në Këshillin e të Drejtave të Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara, është aktive në zhvillimin dhe përhapjen e kulturës së të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Kështu, Italia beson me vendosmëri se ky angazhim do të kontribuojë në promovimin e paqes, dinjitetit njerëzor dhe respektit midis njerëzve.

“Ndërsa rëndësia e arsimimit cilësor të fëmijëve është mëse e natyrshme, mendojmë se po aq thelbësore është edhe për të rriturit të cilët e meritojnë mundësinë për t’u çliruar nga injoranca si dhe për të pasur një shanc të dytë për t’u integruar në shoqëri. Arsimimi i ofron të gjithëve mundësinë për të përftuar kushte më të mira jetese, ndërsa përhapja e dijeve ndihmon në nxitjen e tolerancës mes njerëzve”, deklaroi Ambasadori Alberto Cutillo.

Festivali IHRFFA për herë të parë përfshin edhe shkollat dhe Ambasada e Italisë këtë vit ka promovuar nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi mes Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” dhe shkollave dygjuhëshe italo – shqiptare të Tiranës, Shkodrës dhe Korçës. Ky bashkëpunim i ri do të bëjë të mundur që studentët të jenë pjesë aktive e Festivalit falë programeve të përbashkëta në sektorin e kinematografisë, si shfaqja e filmave, analiza dhe diskutimi mbi çështje të veçanta në interes të të rinjve shqiptarë si dhe krijimi i një forumi vullnetarësh për të rritur më tej vetëdijen mbi të drejtat e njeriut si dhe për të inkurajuar shoqërinë drejt integrimit të Shqipërisë në Europë.

Share: